Muhamed Sytari
thirrës islam
Shehrun
Mubarek!
(Dialog me shpirtin e Ramazanit)
"Ju
erdhi Ramazani, muaji i begatisë.
Ju mëshiron All- llahu në të,
duke iu fshirë me mëshirën e Tij gabimet tuaja
dhe duke iu përgjigjur lutjeve tuaja.
All- llahu shikon në adhurimin tuaj
dhe mburret me ju para melekëve.
Tregoni pra, All- llahut nga vetja juaj vetëm të mira.
I shkretë është vetëm ai,
që s'e meriton mëshirën e All- llahut në këtë muaj".[1]
Në një nga
netët e fundit të muajit të madhërueshëm Shaban, ndjeva flladet
e Ramazanit, që më sollën pranë zemrës, mendjes e shpirtit tim,
vetë shpirtin e Ramazanit të Begatë. Dritat e asaj nate më
bashkuan me shpirtin e Ramazanit dhe një sërë pyetjesh m'u
mblodhën në zemër, që doemos kërkonin një përgjigje.
Dialogu me
shpirtin e Ramazanit është përherë ngazëllues, ngjall prehje,
jep mbarësi, tërheq vëmendjen nga hutimi, fal dhunti, dritëson…
-
O Muaj i begatë,- fillova ta pyes mikun hyjnor- kam dëshirë të
di se si parapërgatiten besimtarët, punëtorët, njerëzit e
zellshëm, ata të dijes, urtësisë e udhëzimit për të të pritur?
-
Ah, sa të vëmendshëm janë ata, për të shfrytëzuar mbi të gjitha
kohën time, në mënyrë që ta angazhojnë atë me adhurime,
bamirësi, falje e agjërim… Ah, sa ëmbël e këndojnë Kur'anin, sa
bukur tingëllon zëri i tesbihëve të tyre, sa ngrohtë u rrjedh
loti i pendesës e sa përgjërueshëm shfaqet lutja e tyre… Ata,
orë pas ore e ditë pas dite mundohen të përfitojnë nga stina
ime, për të përfituar edhe dëshminë e Resulull- llahut, që
thotë: "Agjërimi dhe
Kur'ani i ndërmjetësojnë robit tek All- llahu ditën e gjykimit.
Agjërimi thotë: O Zot, unë ia ndalova ushqimin dhe epshet gjatë
gjithë ditës, prandaj më prano mua për të! Ndërsa Kur'ani thotë:
O Zot unë ia ndalova gjumin gjatë natës, prandaj më prano mua
për të dhe i ndërmjetësojnë".[2]
-
O Muaj i mëshirës, faljes e amnestisë hyjnore nga ndëshkimi i
merituar, më trego të lutem, se si të presin Myftilerët me
çallma të bardha?
-
Ata, ngrysin netët duke menduar e planifikuar për 30 ditët e
prezencës time në mesin e besimtarëve. Sëbashku me teologët e
thirrësit, ata mblidhen siç anëtarët e një familjeje të madhe e
të lidhur ngushtë bëjnë. Kuvendojnë, dialogojnë, ndajnë detyra,
marrin përsipër angazhime, hedhin vështrimet e tyre nga
horizontet e së nesërmes dhe konkludojnë të rrethuar nga dritat
e mbarësisë: "Dora e All-llahut është mbi duart e tyre"[3]…
Tek i vështron sëbashku, të shqetësuar dhe të angazhuar për të
zgjidhur "mundimet" e
njëri-tjetrit, të duket se po prek shpirtin e cilësimit të
sahabëve: "Janë të mëshirshëm ndërmjet vete"[4]…
-
-
Edhe ata të karakterizuar nga kjo frymë, luten që All- llahu t'u
ndriçojë mendjet e tyre, që gjatë ditëve të mia të sjellin risi
në lëvizjet e xhematit e aktivitetet e xhamive. Mendojnë për
shtimin e derseve dhe mbledhjeve të ndryshme për të përmendur
All- llahun në xhemat, sikurse sahabët bënin ditëve të epokës së
nurit… Mblidhen për të kënduar hatme të shumta, ulen për të
komentuar Fjalën e All- llahut, thërrasin për bamirësi e
vrapojnë për të evidentuar familjet në nevojë…
-
-
Besimtarët, të përkushtuar ndaj Fjalës së Krijuesit të tyre,
vrapojnë të shtojnë dhikrin e emrave dhe cilësive të Zotit të
tyre dhe i luten Atij, që t'i veshë me cilësitë e atyre, për të
cilët thotë:
"E
robërit e Zotit janë ata që ecin nëpër tokë të qetë, e kur atyre
me fjalë u drejtohen injorantët, ata thonë: "Paqë!". Dhe që për
hir të Zotit të tyre natën e kalojnë duke i bërë sexhde dhe duke
qëndruar në këmbë (falen).
Edhe ata që thonë: "Zoti ynë, largoje prej nesh vuajtjen e
Xhehennemit, e s'ka dyshim se vuajtja në të është gjëja më e
rëndë". Ai, vërtet është vendqëndrim dhe vendbanim i keq. Edhe
ata që kur shpenzojnë nuk e teprojnë e as nuk janë
dorështrënguar, por mbajnë mesataren e janë të matur. Edhe ata
që pos All-llahut, nuk lusin zot tjetër dhe nuk mbysin njeriun
që ka ndaluar All-llahu, por vetëm kur e meriton në bazë të
drejtësisë, dhe që nuk bëjnë kurvëri, ndërsa kush i punon këto,
ai gjen ndëshkimin. Atij i dyfishohet dënimi ditën e kijametit
dhe aty mbetet i përbuzur përgjithmonë. Përveç atij që është
penduar dhe ka bërë vepër të mirë, të tillëve All-llahu të
këqiat ua shëndrron në të mira. All-llahu është mëshirues, ndaj
Ai falë shumë.
Ai që është
penduar dhe ka bërë mirë, në të vërtetë, ai është kthyer te
All-llahu dhe është i pranishëm. (Robërit
e Zotit janë) Edhe ata që nuk dëshmojnë rrejshëm dhe kur (rastësisht)
kalojnë pranë së keqes, kalojnë duke e ruajtur karakterin e vet.
Edhe ata që kur këshillohen me ajetet e Kur'ânit të Zotit të
tyre, nuk u kthejnë shpinën si të shurdhët e të verbër. Edhe ata
që thonë: "Zoti ynë, na bën që të jemi të gëzuar me (punën)
e grave tona dhe pasardhësve tanë, e neve na bën shembull për të
devotshmit". Për shkak se duruan, të tillët shpërblehen me një
shkallë të lartë (Xhennet)
dhe aty priten me përshëndetje të selamit. Aty janë
përgjithmonë, e sa vendqëndrim dhe vendbanim i mirë është ai"[5]...
Ata fillojnë të pakësojnë fjalët e tyre të pavlera, të
distancohen nga thashethemet, nga përgojimi dhe të lidhin miqësi
me heshtjen e të urtëve, atë që shoqërohet me meditim...
-
Po
studentët e dijes, ata që kërkojnë dritën e dijes së dobishme,
për të punuar me të e për t'u bërë udhëzues të sinqertë me baza
të shëndosha diturie?
-
Ata,
Zoti i ruajtë dhe u shtoftë mbarësinë, janë shembullorë dhe plot
mbarësi... Zgjohen herët në syfyr dhe pasi hanë dhe pinë,
përgatiten për të shkuar në xhami. Pas faljes së sabahut, ata
qëndrojnë në xhami duke u lutur e duke përmendur Zotin e tyre
deri në lindje të diellit. Falin namazin e duhasë dhe pastaj
shkojnë nëpër shtëpi. Marrin librat dhe nisin punën e një dite
të gjatë... Në drekë pushojnë pak dhe pasi zgjohen, falin
iqindinë, këndojnë pjesën e programuar nga Kur'ani dhe përsëri
marrin studimet e hulumtimet e tyre. Akshami vjen shpejt. Pas
iftarit marrin nga një pije të ngrohtë me të afërmit a miqtë dhe
vrapojnë për në teravi... Kthimi i tyre në shtëpi është sinjal i
përfundimit të një dite të mbushur me aktivitet, punë, studim e
adhurim. Ata flenë herët dhe bëhen gati për një ditë të re...
-
O
Muaj i dashur. Kam edhe shumë pyetje të tjera...
-
Mos,
u nxito. Edhe pak ditë hëna e re do t'ju shënojë ardhjen time
dhe më beso se, realiteti i ditëve do të jetë përgjigjja ime për
çdo pyetje tënde. Por mos harro: Unë vij vetëm një herë në vit
dhe e kam zakon të shkoj shumë shpejt. I lumi ai, që do të dijë
të përfitojë gjatë ditëve të mia, nga mëshira, falja, pranimi,
drita, pendesa, loti, sexhdja e zgjatur e duart e ngritura lart
...
Ishte jaci.
Freskia e asaj nate shtatori, kishte hedhur pelerinën e saj mbi
Shkodrën e lashtë. Po shkoja drejt xhamisë, kur flladet e
dritave hyjnore të muajit Shaban, më sollën shpirtin e Ramazanit
të bardhë…
Ishte natë drite, që me dritat e dialogut të nurshëm, ndriçoi
edhe qytetin tim… Dëshirova që ajo natë të mos kishte fund…
Muhamed Sytari
Shkodër, natë e xhumâ, më 23. 09. 2005
[1]
Transmetuar nga Tabaraniu.
[2]
Transmetuar nga Ahmedi, Tabaraniu, Hakimi dhe Bejhakiu
nga Ibni Amr (r.a).
[3]
Kur'âni:
48:10.
[4]
Kur'âni:
48:29.
[5]
Kur'âni: 25:63-76.