ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

“Sepse në barkun e tij ka haram!”

(Shkodër, më 10 korrik 2009) 

Në hytben e xhumasë së sotme, hatibi i xhamisë Tophanë, thirrësi islam Muhamed Sytari, ka vazhduar të flasë për të tretën javë mbi vlerat, dobitë dhe sekretet e duasë.

Duke argumentuar me ajete dhe hadithe të ndryshme, ai ka treguar rregullat dhe veprimet e pëlqyeshme që duhen zbatuar gjatë kryerjes së lutjes.

“Kushtet e duasë përmbledhjen në këto pika:

Së pari: Duhet që njeriu kur të lutet, të dijë me bindje të plotë se nuk ka forcë as ndikim pos vullnetit të All-llahut.

Së dyti: All-llahu është posedues i shkaqeve dhe tjetërsues i tyre, me vullnetin dhe fuqinë e Tij. Ngjarja e hz. Ibrahimit (a.s), teksa hidhej në zjarr dhe tjetërsimi i zjarrit nga djegës në një lulishte të freskët, është dëshmitari dhe argumenti më i qartë në këtë pikë.

Së treti: Duhet që lutja të bëhet me nijet të mirë dhe zemër të përgatitur. Zemër e përgatitur, është ajo zemër në brendësinë e së cilës është dashuria për All-llahun, përmendja e Tij e vazhdueshme, dashuria për Resulull-llahin (a.s) etj.

Ndërsa ndër gjërat e pëlqyeshme gjatë duasë, përmenden:

1. Ngritja e duarve, me të brendshmet e tyre drejtuar nga lartësitë. Për këtë dëshmon hadithi profetik, në të cilin përmendet se All-llahu: “turpërohet t’i kthejë bosh dy duar të drejtuara me lutje drejt Tij”.

2. Fërkimi i fytyrës më duar, pas përfundimit të duasë. Për këtë hz. Omeri (r.a) dëshmon se Resulull-llahi (a.s): “Kur ngrinte duart në lutje, nuk i kthente pa fërkuar me to fytyrën e tij”.

3. Mosngritja e shikimit lart. Që do të thotë se gjatë lutjes, njeriu duhet të tregojë përuljen dhe nevojën e tij për Krijuesin Fuqiplotë.”- ka thënë gjatë hytbes së tij Sytari.

Më pas, ai ka përmendur edhe historinë e hz. Musait (a.s): “i cili po ecte, ndërkohë pa një njeri që lutej dhe qante me dënesë. Iu drejtua All-llahut dhe it ha: Ja Rabbi, përse nuk i përgjigjesh këtij njeri? Zoti ia ktheu: Edhe po të shkrihej nga të qarat, edhe po t’i mbërrinin duart në majat e qiejve, nuk do t’i përgjigjesha lutjes së tij! Hz. Musai, e pyeti: Përse? All-llahu i Madhëruar tha: Sepse në barkun e tij ka haram!

 

Ahmed Mahiri