Imam Muhamed Sytari
Nga gjuha arabe, fjala sahib, do të thotë shoqërues, mik, shok. Në terminologjinë
fetare islame, sahabiu është: “Ai që e ka takuar profetin (a.s) duke qenë besimtar
dhe që ka vdekur në Islam”.
Për nga natyra humane, sahabët janë njerëzit më të mirë pas profetëve të All-llahut.
“Ehlus-sunne janë dakort se të tërë sahabët janë të ndershëm e të drejtë”, fakt që
na obligon me më shumë respekt dhe nderim për secilin prej këtyre burrave të nderuar
që All-llahu i Madhëruar i përzgjodhi të ishin në krahët e më të dashurit të krijesave
të Tij, në momentet më kulminante të jetës dhe misionit të tij profetik.
Në ilahitë e tij të botuara me shkronja arabe, Hafiz Jusuf Këlmendi (1876-1943),
thotë:
Salavat bjerni rob mas atij habibit
Sahabeve tân rob se janë yjet e dinit
Nër sahabe rob fort ruje gojen ti
Se me shâ sahabet rob bahesh rafidí
Rafidí asht q’aj hej që levdon Alínë
Shân Eba Beqirin hej edhe Omerínë
Gjashtë vargjet e mësipërme tërheqin vëmendjen drejt një çështjeje për të cilën
duhet të zbardhim disa fakte. Autori nxit salavatin dhe respektin ndaj sahabëve të
Resulull-llahit (a.s). Në këtë pikë, ai shkon pas udhëzimit kur’anor, në të cilin
sahabët kanë marrë një vlerësim të jashtëzakonshëm duke u etiketuar si: “populli
më i mirë i dalë për njerëzimin”. Ata kanë merituar pëlqimin dhe kënaqësinë e All-llahut,
sikurse dëshmohet në Librin e Tij: “Sa u përket besimtarëve të parë prej muhaxhirëve
dhe ensarëve, All-llahu është i kënaqur me ata dhe me të gjithë të tjerët që i pasuan
me vendosmëri e përkushtim në besim; edhe ata janë të kënaqur me Atë” etj.
Autori tregon se sahabët “janë yjet e dinit” dhe ka plotësisht të drejtë. Për këtë
dëshmohet në transmetime të ndryshme profetike, si thënia e tij (a.s): “Sahabët e
mi janë si yjet, cilindo që të pasoni do të udhëzoheni”, ose transmetimi i Rezinit,
nga hadithi i Omerit në thelbin e të cilit qëndron një pyetje me të cilën Resulull-llahi
(a.s) i drejtohet Krijuesit të gjithësisë rreth divergjencave të sahabëve, pas tij.
Zoti i Madhëruar i përgjigjet: “O Muhammed, sahabët e tu tek Unë, janë si yjet në
qiell, njëri më i fortë se tjetri, ku secili ka dritë…”. Vall-llahu a’lem!
Më pas, autori tërheq vëmendjen e lexuesit për të ruajtur gjuhën në hak të sahabëve,
krejt sahabëve, sepse sharja, fyerja a mungesa e respektit në hak të cilitdo prej
sahabëve është diçka e ndaluar në fenë tonë. Resulull-llahi (a.s) urdhëron: “Mos
i shani sahabët e mi!”. Poashtu, thotë: “Kijeni frikë All-llahun, kijeni frikë All-llahun
në sahabët e mi! Mos i bëni ata objekt sharjesh pas meje!...”.
Transmetohet nga Enesi (r.a), se Resulull-llahi (a.s) ka thënë: “... Do të ketë
në kohën e fundit (ahirizaman) njerëz që do të pakësojnë vlerën e tyre (sahabëve).
Mos u martoni me ta! Mos i martoni atyre! Mos u falni me ta! Mos u falni për ta!
Ata e kanë merituar mallkimin!”
Gjithashtu është transmetuar se Resulull-llahi (a.s) ka thënë: “Kur të shfaqen fitnet
(sprovat e intrigat) dhe të shahen sahabët e mi, le ta shfaqë i dituri dijen e tij,
e nëse nuk e bën këtë i qoftë mallkimi i All-llahut, melekëve dhe mbarë njerëzve.
Atij nuk do t’i pranojë All-llahu as farz, as synet”.
Në vargjet e mësipërme, ata që shajnë sahabët janë krahasuar me rafiditë, që janë
një “grupim shiit që beson se njerëzit e ehli-bejtit meritojnë të jenë prijës mbi
të gjithë sahabët e tjerë, përfshi edhe Ebu Bekrin dhe Omerin…”.
Me fjalë të tjera, autori kthehet me vëmendjen tonë në çështje të vjetra divergjenciale
që e kanë ndarë këtë ymet të madhnueshëm islam në sunitë e shiitë. Por, unë nuk do
të hy në këtë temë, sepse gjykoj nuk është as vendi as koha për ta bërë një gjë të
tillë. Ajo që do të bëj është të zbardh fakte rreth madhështisë së sahabëve dhe të
nxjerr në pah gabimin fatal të atyre që guxojnë të prekin me gojët e tyre emrin,
madhështinë dhe përkushtimin e cilitdo prej sahabëve të Resulull-llahit (a.s), kushdo
qofshin ata e kudo qofshin!
Rafidí asht q’aj hej që shân Muavínë
Përmi gjithë sahabet hej qet Hazret Alínë
Rafidí asht q’aj hej që levdon Alínë
Shân Eba Beqirin hej edhe Omerínë
Në lidhje me atë çfarë ka ngjarë në mesin e disa sahabëve, dijetarët thonë se “ajo
çfarë ka ndodhur ka qenë me planifikim dhe kurdisje të sebeistëve, pasuesve të jehudiut
Ibnus-Seuda”. Ndërkohë, Ibn Haxher Hejtemiu thotë se: “duhet të mbajmë gojën rreth
asaj që ka ndodhur në mes tyre, veçanërisht injorantët e rafiditëve dhe shpikësit
përçudnues në hak të ndonjërit prej tyre (sahabëve), pasi Resulull-llahi (a.s) ka
thënë: “Kur të përmenden sahabët e mi, mbani gojën!” Detyrë e kujtdo që dëgjon diçka
është ta vërtetojë dhe të mos ia atribuojë ndonjërit prej sahabëve, vetëm se e ka
lexuar në ndonjë libër a e ka dëgjuar prej dikujt...”
Realisht, në botën e sotme ka njerëz, që autori i etiketon si “rafiditë”, të cilët
të veshur edhe me rrobë fetare dhe në emër të besimit dhe dashurisë së elementëve
të caktuar fetarë, shajnë dhe mallkojnë më të mirin e sahabëve të Resulull-llahit
(a.s), Ebu Bekrin (r.a), i cili në Kur’anin Famëlartë cilësohet si: “shoku i tij”
dhe njeriun, për të cilin Resulull-llahi (a.s) ka thënë: “All-llahu e ka vendosur
të vërtetën në gjuhën dhe zemrën e Omerit!”
E kam parë me sytë e mi, e kam dëgjuar me veshët e mi, një njeri me rroba të zeza,
në një ekran të zizuar nga zia e tij, teksa lutej dhe mallkonte “armiqtë” e Fatimesë
(r.a) dhe babait të saj! All-llahu e udhëzoftë! Në jetën time nuk kam ndjerë keqardhje
dhe zemërim më të madh se në atë moment për atë rrobëzi dhe nga ai zipërhapës, që
vetëm zi e përçmim shpërndante teksa lutej, lutjen e tij injorante, duke mallkuar
dy ndër sahabët më të dashur të Resulull-llahit (a.s)!
Ne si muslimanë, jemi të urdhëruar të mbajmë gojën dhe të jemi të kujdesshëm në
fjalët tona kur flasim për sahabët e Resulull-llahit (a.s), ata që sakrifikuan dhe
qëndruan krah për krah me të dërguarin (a.s) në ditët më të vështira, në bojkote
e beteja, në etje e uri, në skamje e persekutime të papërshkrueshme!
Ne i duam dhe i lartësojmë krejt sahabët. Cilësojmë me veçoritë përkatëse ata që
i ka cilësuar vetë Resulull-llahi (a.s), pa dashur të bëjmë me këtë veprim dallim
a anim nga njëri apo tjetri prej tyre. Në këtë kontekst, Imam Tahaviu thotë: “Ne
i duam sahabët e Resulull-llahit (a.s), por nuk e teprojmë në dashurinë tonë ndaj
tyre, as nuk heqim dorë nga asnjëri prej tyre. Urrejmë këdo që i urren! Dashuria
e tyre është fe, besim, ihsan, ndërsa urrejtja e tyre femohim, hipokrizi dhe devijim!”
E teksa rasti na ndal tek Ebu Bekri (r.a) dhe Omeri (r.a), e shoh të udhës të zbardh
disa argumente në hak të madhështisë, gradës dhe vendit të tyre në zemrën e Resulull-llahit
(a.s).
Transmeton Bukhariu, nga Ebu Hurejra (r.a), që thotë: Ka thënë Resulull-llahi (a.s):
“Ai që më bindet mua, i është bindur All-llahut. Ai që më kundërshton mua, ka kundërshtuar
All-llahun. Ai që i bindet dy emirëve të mi, më është bindur mua. Ai që kundërshton
dy emirët e mi, më ka kundërshtuar mua!”.
Amr ibnul-Asi (r.a), tregon: E pyeta profetin (a.s): “Kush është më i dashuri i njerëzve
për ty?” Tha: “Aishja!” Thashë: “Po prej burrave?” Tha: “I ati i saj!” I thashë:
“Pastaj kush?” Tha: “Omer ibnul-Hattabi!”
Ibni Omeri, thotë: Doli Resulull-llahi (a.s) në mes të Ebu Bekrit dhe Omerit dhe
tha: “Kështu do të ringjallemi!”
Ebu Xhuhajfe es-Suvai, thotë: Kam dëgjuar Aliun (r.a) që thoshte: “A t’ju tregoj
për më të mirin e këtij ymeti pas profetit të tij? Ebu Bekri! A t’ju tregoj për më
të mirin e këtij ymeti pas Ebu Bekrit? Omeri!”
Transmeton Enes ibni Malik (r.a), nga profeti (a.s) që ka thënë: “Më mëshiruesi i
ymetit tim për ymetin tim, Ebu Bekri! Më korrekti i tyre në fenë e All-llahut, Omeri!”
Transmeton Said ibni Vekkas (r.a), në një hadith të gjatë, ku Resulull-llahi (a.s)
i thotë Omerit: “O i biri i Hattabit, pasha Atë që e ka shpirtin tim në dorën e Tij,
sa herë që shejtani të takon duke ecur në një shteg, do të ndjekë një shteg tjetër,
ndryshe nga shtegu yt!”
Këto argumente e shumë të tjera si shembulli i tyre, duhet të na mësojnë mbi të gjitha
edukatën dhe respektin e madh në hak të këtyre burrave të nderuar që sakrifikuan
çdo gjë nga jeta e tyre për hatrin e fesë dhe përhapjes së saj me drejtësi, dashuri
e argumente të qarta!
Gjithashtu duhet theksuar se teksa flasim për këta dy sahabë të nderuar, nuk nënvleftësojmë
aspak asnjë nga sahabët e tjerë, aq më tepër hz. Aliun (k.v.), i cili ka një vend
të madh në zemrën e Resulull-llahit (a.s), një përkushtim e kontribut të pashoq në
përhapjen e fesë dhe mësimeve të saj, një dashuri të madhe në zemrat tona!
Ndërkohë, është e çuditshme sesi “rafiditët” e mallkojnë Omerin (r.a) për hz. Aliun,
kur historia na tregon se Omeri (r.a) është martuar me vajzën Aliut dhe Fatimes,
vajzës së Resulull-llahit (a.s), zonjën Ummi Kulthum, prej të cilës ka patur dy fëmijë,
Zejdin dhe Rukajen!?
Sidoqoftë, All-llahu ua ndriçoftë mendjen dhe zemrën për t’u kthyer nga rruga e gabuar
në të cilën shtegtojnë ditë pas dite!
Në këtë pikë, po mjaftohem me thënien e Ebu Zur’at Raziut, i cili thoshte: “Nëse
sheh dikë që pakëson vlerat e sahabëve të Resulull-llahit (a.s), dije se ai është
zindik! Kjo, sepse Resulull-llahi (a.s) është hak, edhe Kur’ani hak, edhe ajo çfarë
ai na ka mësuar hak. Të gjitha këto na kanë mbërritur nëpërmjet sahabëve, ndërsa
ata (pakësuesit e vlerës së sahabëve) deshën të preknin dëshmitarët tanë (sahabët)
për të hedhur poshtë Kur’anin dhe Synetit. Në të vërtetë, ata kanë rënë poshtë, ata
janë zindikë!”
Sahabet të tân rob janë yjet e dinit
Cilit don i ujdisesh ti ja mrrín pështimit
I dërguari i All-llahut ka urdhëruar: “Nderojini sahabët e mi sepse ata janë më
të mirët tuaj!” Ndërsa Imam Kurtubiu ka thënë: “Ata krejt janë prijësit tanë!”
All-llahu na ruajtë nga devijimi dhe na bëftë prej respektuesve të sahabëve të Resulull-llahit
(a.s), yjeve të kësaj feje!