Sabejtë…
("Nëse bëni mirë, bëni për vete, e nëse bëni keq, bëni kundër vetes")
Në të vërtetë, kjo temë është shumë e gjerë dhe duhet një
studim i veçantë vetëm për të, megjithatë do të mundohem të
përmbledhi disa fakte, për të nxjerrë disa përfundime.
Me sa dëgjoj e me sa lexoj nëpër gazeta e revista të ndryshme,
po bëhet e modës, në mos është bërë tashmë dhe e paditurisë
njëkohësisht që të fillosh ditën me dëgjimin e horoskopit ose të
shkosh herë pas here tek falltoret e shumta që mban mbi kurrizin
e saj kjo tokë, për të parë e për të pyetur për punë të ndryshme
rreth vetes e familjes…
Duke iu referuar literaturës së pasur islame rreth kësaj teme,
vërejta se çështja e horoskopit është një çështje e lidhur me
rrugët për mënjanimin e besimit në njësinë e All-llahut, pasi
horoskopi, si besim në ndikimin e yjeve në jetën e njeriut e më
gjerë është një besim për të cilin ka sinjalizuar edhe Kur'ani
Famëlartë, kur thotë: "Është e sigurt se All- llahu do të bëjë
dallimin (do të gjykojë) në ditën e kijametit në mes atyre që
ishin besimtarë (muslimanë) dhe të atyre që ishin jehudi, sabejë,
të krishterë, zjarrputistë, idhujtarë. All- llahu di dhe
vështron çdo gjë".[1]
Për këta që Kur'ani i quan (sabejë), është thënë: "Es-sabvetu,
në gjuhën arabe: quhet animi dhe devijimi. Prandaj meqë ata (sabejtë)
devijuan me besimet e tyre nga rruga e vërtetë dhe rruga e
profetëve, u quajtën sabej: të devijuar apo të anuar.
Ata janë, të cilët besojnë në planetet, duke besuar gjithashtu
në ndikimin e tyre dhe të galaktikave përmbi Universin".[2]
Po cili është qëndrimi i Islamit ndaj këtyre fenomeneve mjaft të
përhapura këto ditë, por edhe më parë, në shoqërinë tonë?
Po t'i referohemi Kur'anit, librit të fundit të zbritur nga
qielli, do të gjejmë se Vetë All- llahu (xh.sh) e ka mohuar
qënien e Profetit (a.s) parashikues apo falltor, madje duke e
lartësuar atë Zotëri me dhuntinë e Kur'anit, nga të qenurit
parashikues a falltor, All- llahu (xh.sh) i drejtohet Profetit
të Tij me këto fjalë:
"Pra ti përkujto (me Kur'an) se me dhuntinë e Zotit tënd ti nuk
je as falltor, as i çmendur".[3]
Kjo pa dyshim të bën të mendosh se falli e parashikimet (nëpërmjet
falleve, horoskopit,etj.), janë larg natyrës së një muslimani,
aq më tepër kur ai është misionar a propagandues i fesë!
Kjo sepse fallet e të gjitha këto terma të ngjashme me të, kanë
të përbashkët mashtrimin e magjepsjen, të fshehtën dhe ankthin,
njëkohë që misioni i Zotit është i ngritur mbi vërtetësi të
palëkundshme, mbi logjikën, natyrën e shëndoshë njerëzore dhe
qetësinë shpirtërore!
Përse muslimani nuk mund të ketë lidhje me këto dukuri?
Sepse ai beson në një Zot të Vetëm e të Pashoq dhe pos kësaj që
është fondamentale, ai beson në diçka që quhet kader, i cili
është: Besimi se çdo e mirë apo e keqe, e hidhur apo e ëmbël,
është nga ana e All- llahut (xh.sh).
Pas kësaj ka gjasa që dikush të pyesë: Po pse a vijnë edhe të
këqia nga ana e Zotit?
Vetë Ai (xh.sh), na mëson se: "Ai është që krijoi vdekjen dhe
jetën, për t'ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë".[4]
Prandaj, ne si muslimanë besojmë se All- llahu është Krijues i
gjithçkaje; të mirë e të keqe.
Mirëpo ne besojmë po ashtu, se Zoti e krijoi të mirën dhe na e
pëlqeu veprimin e saj, madje edhe na premtoi shpërblimet e Tij
për veprimin e mirësive. Por, Ai krijoi edhe të keqen, duke na
paralajmëruar për mosveprimin e saj: "Nëse ju nuk besoni, All-
llahu nuk është nevojtarë për ju; megjithatë, Ai nuk është i
kënaqur me mosbesimin e robërve të Vet, e nëse jeni mirënjohës
ndaj Tij, Ai e pëlqen atë (mirënjohjen) për ju".
[5]
Me këtë besim, themi se i besojmë përcaktimit të Zotit (xh.sh)
dhe jetojmë të qetë jetën tonë, pa patur nevojë për falltorë a
parashikues të së nesërmes tonë, sepse Ai që na ka krijuar, na
sheh, na dëgjon dhe është Mbikqyrës mbi ne, na ka përcaktuar një
fillim e një fund, sikurse na ka dhuruar edhe mendjen për të
punuar me të në jetën tonë!
Por besimi në përcaktimin e Zotit nuk do të thotë se njeriu
është lindur "robot i telekomanduar", pasi kjo nuk është e
përmenduar askund në tekstet islame, por Zoti i ka dhënë njeriut
mendjen që të dallojë me anë të saj të mirën nga e keqja,
sikurse i ka zbritur edhe Librin e Tij udhëzues e sqarues të
dispozitave islame, e më pas të veprojë atë që sheh të arsyeshme,
sepse në bazë të punëve të veta do të llogaritet ditën e pyetjes
dhe gjykimit.
Në Kur'an thuhet: "Nëse bëni mirë, bëni për vete, e nëse bëni
keq, bëni kundër vetes".[6]
Muslimani beson në Zotin Krijues dhe jeton në qetësi me ajetin
kur'anor: "Thuaj: “Neve nuk na godet asgjë tjetër, përveç çka na
është caktuar nga All- llahu; Ai është ndihmëtari ynë”. Prandaj,
vetëm All- llahut le t'i mbështeten besimtarët".[7]
Imagjinonie një njeri që e di të ardhmen e tij; ku do të shkojë,
si do të veprojë, si do të punojë e sa do të fitojë, kur
do të vdesë, si do të mbyllet jeta e tij etj...
Ky person nuk mund të quhet njeri që jeton jetën e tij me të
papriturat e saj, por një teleshikues që shikon një film që e ka
mësuar përmendësh, e që u thotë të tjerëve: “Tani bëhet kjo e më
pas ajo…” Ai jeton në një monotoni të zymtë e të
palavdëruar!
Kështu, muslimani me besimin e tij në përcaktimin e Zotit, e ka
të rehatuar mendjen e tij dhe i mbledh të gjitha energjitë që
posedon për të punuar e për t'u ballafaquar për çdo ditë me të
rejat e jetës.
Zoti (xh.sh) e mëshiroftë autorin e këtyre vargjeve, i cili duke
sqaruar pozicionin e besimtarit në jetë karshi çdo të panjohure
e të paditure, thotë:
Bëhu i devotshëm ndaj Zotit, në qoftë se je
hutuar!
Të mirat ty t'i sjellë nga diçka e pamenduar.
Pse vallë ke frikë varfërinë? Zoti furnizon,
ka ushqyer zogun dhe peshkun kur noton.
Dhe kush kujton, se të mirat vijnë me egërsi,
s'do kish ngrënë gjë pëllumbi, me skifterin në liri!
Zemërmirë në këtë botë bëhu, se ti nuk e di,
a jeton nga mbrëmja deri sa të dalë dielli.
Sa të shëndoshë kanë shkuar, pa bërë "uf" e "i"
dhe sa të sëmurë jetuan ditët në vetmi?
Sa të rinj kanë fjetur, duke qeshur janë zgjuar
pa e ditur, se pas qeshjes Zoti vdekjen u ka dërguar?
Mos harro, se në këtë botë s'je veçse udhëtar
dhe nesër do të kthehesh te gjyshërit me baballarë!
Po vetë Profeti (a.s) çfarë thoshte në lidhje me fallet
dhe parashikimet?
Imam Ahmedi dhe Muslimi, na e japin përgjigjen e kësaj pyetje,
nëpërmjet transmetimit të tyre të hadithit të mëposhtëm:
"Kushdo që shkon tek një falltor, duke e pyetur për ndonjë gjë,
nuk i pranohet namazi i tij 40 net".
Po! Nuk i pranohet namazi, sepse në atë namaz njeriu i drejtohet
Zotit të tij me mbështetje në Madhështinë e Tij, kur thotë: "Ty
të adhurojmë dhe prej Teje ndihmë kërkojmë"[8],
e pastaj ai me dëshirën e tij dhe me vetëdije të plotë e thyen
këtë besim, duke kërkuar ndihmë nga një falltor a të afërt me të!?
Vetë veprimi i këtij njeriu është shumë paradoksal, sepse nga
njëra anë drejtohet nga Zoti (xh.sh) i tij me lutje e nënshtrim,
e nga ana tjetër drejtohet edhe nga falltorët a çka i përngjet
atyre, ose nxjerr fall për të tjerët, duke e përzier atë edhe me
besimin e pastër!?
Madje Profeti (a.s) në lidhje me këtë çështje, thoshte
gjithashtu:
"Kushdo që shkon tek një parashikues apo falltor, duke u besuar
fjalëve të tija, ka mohuar atë që i është zbritur Muhammedit".[9]
Sepse, nuk mund të jenë paralel besimi në fjalët e Profetit të
Zotit (xh.sh) dhe besimi në fjalët e profetërve të Iblisit!?
(vazhdon…)
Imam Muhamed Sytari
[1] Kur'ani: 22:17.
[2] Shih: Bessam Davud Axhik: "El-hivarul-islamil-mesihi",
fq. 35.
[3] Kur'ani: 52:29.
[4] Kur'ani: 67:2.
[5] Kur'ani: 39:7.
[6] Kur'ani: 17:7.
[7] Kur'ani: 9:51.
[8] Kur'ani: 1:5
[9] Ahmedi dhe Hakimi.