ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

“Sa  mjeran, ai që humbet mëshirën e Zotit!”

(Shkodër, e xhuma, më 19 dhjetor 2008) 

Në xhumanë  e tretë të këtij muaji, të parafundin e këtij viti, në hytben e tij të xhumasë, thirrësi islam Muhamed Sytari, ka folur për shkaqet që e largojnë njeriun nga mëshira e All-llahut. Nëpërmjet minberit të xhamisë së Tophanës, ai ka bërë edhe një krahasim ndërmjet shkaqeve që i ndalojnë njeriut përfitimin e mëshirës dhe fakteve të shumta me anën e të cilave Krijuesi Fuqiplotë i afrohet krijesave të Tij, me mirësinë dhe mëshirën e pakufishme.

“Sa mjeran është ai njeri që i kalon tërë jeta pa përfituar në asnjë moment nga flladet mëshironjëse të Krijuesit Fuqiplotë, të përhapura kudo në atmosferën tonë!

Sa mjeran është ai njeri që i kalon tërë jeta pa kuptuar veten, pa vëzhguar në mrekullitë e shumta me të cilat Krijuesi, është prezantuar, në veten e tij, në mjedisin e gjithësinë!

Motra dhe vëllezër! Nëpërmjet haditheve të shumta, i dërguari i All-llahut (a.s) na ka treguar sesi Zoti, me mirësinë dhe mëshirën e Tij ndaj nesh, i shfaqet njerëzisë, duke i dhënë mundësinë natë pas nate e ditë pas dite, për t’u afruar me Të, për të kërkuar prej Tij e, për të shtuar dashuri mbi dashuri në marrëdhënie me Të”- ka theksuar Sytari gjatë hytbes së tij.

Në përfundim të saj, ai ka kërkuar nga xhemati i xhamisë së Tophanës, që të zgjasin dorën e bamirësisë për të kontribuar për ndërtimin e xhamisë së re në zonën  Fshati i Ri, Postribë.

Në përfundim të xhumasë, një shumë e konsiderueshme e mbledhur nga xhemati i kësaj xhamie, i është dorëzuar komisionit të xhamisë së re.

 

V. Mehmeti

 
xhamia Tophane, 19 dhjetor 2008
xhamia Tophane, 19 dhjetor 2008
xhamia Tophane, 19 dhjetor 2008
xhamia Tophane, 19 dhjetor 2008
xhamia Tophane, 19 dhjetor 2008