“Rrugëtime të një hatibi”, në duart e lexuesit
(autori ka skalitur historinë dhjetë vjeçare të xhamisë së Tophanës)
Doli në qarkullim libri më i ri i thirrësit islam Muhamed
Sytari, titulluar: “Rrugëtime të një hatibi”. Në faqet e tij,
autori ka skalitur historinë dhjetë vjeçare të xhamisë së
Tophanës, ku edhe shërben si vaiz dhe hatib që nga viti 1998.
Në një farë mënyre, libri i ri i Muhamed Sytarit është
monografia e parë në shërbim të jetës dhe veprimtarisë së një
xhamie shqiptare, asaj të Tophanës. Aty janë dokumentuar të
gjitha aktivitetet, tematika e hytbes së xhumasë, lista e plotë
e shkrimeve dhe kronikave të botuara në shtypin periodik islam,
por jo vetëm, brenda vendit dhe jashtë tij, në lidhje me këtë
xhami etj.
Në shërbim të hatibëve, por edhe të lexuesit në përgjithësi,
autori ka përkthyer edhe 301 hadithe relativisht të shkurtra nga
enciklopedia e Imam Sujutit, “El-xhamius-sagir”, gjë që ia shton
vlerën këtij libri.
“Autori ka ba mund të madh, tue hulumtue nëpër arkiva e
biblioteka për të nxjerrë shumë shkrime, poezi satirike të
shkruara në gazetat e revistat e kohës, disa prej të cilave
citohen edhe në libër.
Por gjithë ata shkrime e poezi satirike, si agjitacion i madh
kundra fesë, derisa u arrit edhe krijimi i muzeumit të parë
ateist në botë, me qendër në Shkodër, kishin si qëllim kryesor
largimin e njerëzve nga besimi në Zotin! Gjithë kjo punë
keqdashëse ndaj fesë nuk pati rezultat! Këtë, më së miri e
vërteton dita e rihapjes së xhamisë Plumbit, pas 35 vjetësh, me
pjesëmarrje të madhe të popullit të Shkodrës, të çdo moshe,
sidomos të rinisë. Kjo vërtetoi edhe një herë kotësinë e
propagandës keqdashëse kundra fesë. Por
njëkohësisht vërtetoi se populli i Shkodrës asht
besimtar, beson në Zotin dhe kryen me dëshirë ritet dhe
urdhëresat fetare.
Për mendimin tem, autori me këta shkrime, ka ba një punë të mirë
për t’i treguar brezave të ardhshëm luftën e madhe që i asht ba
fesë e dogmave të saj. Merita e tij është se ai është autori i
parë që ka tregue në mënyrë konkrete këto veprime monstruoze të
diktaturës ateisto-komuniste! I lumtë!”- shkruan ndër të tjera,
në parathënien e librit, Haxhi Faik Hoxha, myfti i Shkodrës në
vitet 1991 – 2003.
Autorit i urojmë mbarësi dhe frute të mëtejshme në punën e tij
shkencore dhe në shërbim të Thirrjes Islame, me urtësi e dituri!
www.muhamedsytari.net