Rruga më e mirë për kërkimin e dijes

("Rruga më e mirë për kërkimin e dijes është të kesh ndjenjë për dijen...") 

Tophana-Kalaja

 Cilat qenë hapat tuaj të parë në kërkimin e diturisë islame dhe ku?

"Hapat e parë të dijes i kam filluar në Shkodër, me ato pak derse që merrja nga baba, që ishte pothuajse i zënë përherë, pastaj në mejtepin e Perashit tek Hafiz Hasani, pastaj në xhaminë Plakë tek Hafiz Ibrahim Kraja, ku kam mësuar Ilmihalin (besim, ibadete e akhlakë)".

Duke iu referuar librit "Të kthyemtë nga Zoti (xh.sh)", të autorit A. Senxheri, i përkthyer në shqip nga H. Vehbi Gavoçi, ku pas përkthimit dijetari Gavoçi ka bërë edhe një shtesë, në të cilën duke folur për edukimin e fëmijës, ndër të tjera thekson: "Kur të rritet edhe pak duhet të shtyhet në një shkollë (kopësht, mejtep) ku meson parimet e fesë, si kushtet e besimit, shtylat e Islamit… Kështu jena mësu në vogëlinë tonë para se me hy në shkollën fillore, pose mësimeve të babes pastë rahmet, me nanën, Zoti (xh.sh) ia ruajtë jetën me shëndet.

Jena mësue te H. Qazimi në Perash, i cili na mësonte në shtëpi të vet e kur vijshin policët me shiku mos po meson kend, na shpërndante në kopështin e shtëpisë… Kena jetu në Garuc, kena ba 4 orë mësim në shkollë para drake, kena ardhë në shtëpi me hanger drekën, mandej shpejt kena shku në Xhaminë Plakë me mësu me lexu Kur'anë te H. ibrahim Sulejmani, mandej shpejt kena shku në shkollë për mësimet pas drake. Në verë shkojshim  për ditë në Xhaminë Plakë, të cilën e prishën të kuqt si të tjerat".[1]

 

Ç'ju shtyu të ndiqni rrugën e diturisë islame dhe t'i përkushtoheni asaj?

 

"Ndoshta ka qenë pamja e babës si hoxhë e mësues feje, kur e shihja duke dhënë derse e duke u marrë me mësime fetare. Them, se Zoti (xh.sh) ma vendosi në zemër dashurinë për studimin e dijeve fetare, qëkur shkoja në mejtep për të mësuar që në moshën 6- vjeçare… Arsye tjetër e fortë që më shtyu më tepër për këtë, ishte se kur emigruam me gjithë familje në Sham, babai më kërkoi të shkoja në Ez'her për të studiuar atje Sheriatin Islam. Asaj kërkese, siç ju thashë, iu përgjegja menjëherë e që atë ditë u vizatua rruga ime në jetë…".

 

Kush kanë qenë mësuesit tuaj të parë në Shkodër?

 

"Nuk më kujtohet mirë tashti se jam plakur, por nuk harroj H. Ibrahim Krajën në mejtep.

Shuajb Domnorin që më ka mësuar të heq shkrimin e punimin me dorë të majtë, kur hyra 7 vjeç në shkollën fillore të Parrucës. E nderojshim shumë atë mësues, se na mësonte mirë. Tjetër s'kujtoj…".

 

Cilat janë pengesat që keni vënë re gjatë kërkimit të diturisë islame?

 

"Asnjëherë nuk kam pasur pengesa për të studiuar, por përkundrazi kam gjetur prej babës e prej nanës tërë kurajon e duhur. Edhe Sheuqeti, vëllai i madh, kur ishim në Ez'her, interesohej për mua e për mësimet e mia më tepër se për veten e tij. Edhe hyrja në shkollë atje qe e lehtë. Mësuesit e Ez'herit ne të huajve na donin shumë e na ndihmonin për të hequr mërzinë, sidomos në kohën e luftës së dytë botërore. Zoti ua shpërbleftë me sevap të madh"!

 

Cila është rruga më e mirë sot për kërkimin e kësaj diturie?

 

"Rruga më e mirë për kërkimin e dijes është të kesh ndjenjë për dijen dhe nevojë për të, me duru kushtet e kërkimit të dijes dhe me ba nijetin e mirë, që Zoti (xh.sh) me të udhëheqë me lehtësi e shpejtësi në rrugën e shpëtimit".

 

Nga monografia e thirrësit islam Muhamed Sytari:

Vehbi Sulejman Gavoçi- dijetar nga dijetarët e ymmetit”, Prishtinë 2005.



[1] Shih: A. Senxheri, "Të kthyemtë nga Zoti (xh.sh)", përktheu, përshtati dhe shtoi Profesor Vehbi Sulejman Gavoçi, fq. 82- 83.