Rimëkëmbja e Islamit përballë ateizmit komunist
(Pak fjalë
për librin "Rrugëtime të një hatibi" dhe autorin e tij Muhamed
Sytari)
Prof. as. Dr. Bajram XHAFA (Universiteti i Shkodrës)
Përpjekja për rimëkëmbjen e Islamit
përballë bidatit të ateizmit komunist në
veprën e një
hatibi
(Pak fjalë për
librin "Rrugëtime të një hatibi" dhe autorin e tij Muhamed
Sytari)
Kur lexon librin "Rrugëtime të një hatibi" (10 vjet shërbim në
xhaminë e Tophanës 1998-2008)
të thirrësit islam dhe punëtorit të palodhur të besimit islam
Muhamed Sytari, gjëja e parë që
të bën përshtypje dhe të mbush me kënaqësi është angazhimi i
mrekullueshëm i këtij të riu mysliman në rimëkëmbjen e besimit
islam tek shqiptarët. Edhe më shumë të përforcohet ky
mendim kur në anën e pasme të kapakut të librit shikon një
pasqyrë me krijimtarinë e tij, që bashkë
me librin që po promovojmë sot shënon numrin e 12-të. Dhe, e
gjithë kjo krijimtari realizohet
brenda 10 vjetëve nga një i
ri tashmë 30 vjeçar.
Lënda që mbush faqet e librit përbën punën dhe eksperiencën e
imamit e vaizit të xhamisë
së Tophanës, njëherazi edhe autor i tij. Në pjesën më të madhe
libri ka karakter didaktik të mësimit
islam dhe të praktikës së besimit, por nuk mungon edhe materiali
historik. Ajo që bie në sy në këtë
veprimtari teorike dhe praktike është dashuria e autorit për
profesionin që ka zgjedhur, lidhja e tij e
ngushtë me të, përkushtimi ndaj tij dhe angazhimi i fuqishëm për
t'ia dalë në krye misionit që ka
marrë përsipër.
Nga libri kuptohet se sa të forta janë lidhjet e imamit të ri
edhe me besimtarët me të cilët
lutet dhe punon së bashku për Islamin. Këto lidhje të marra së
bashku frymëzohen nga dashuria
tjetër e madhe e autorit: ajo
për vendin e tij, për qytetin e tij, për lagjen ku ushtron
detyrën e shenjtë.
Prandaj ai kërkon t'i hyjë punës me rrënjë e me themel, ta shohë
e ta njohë atë në gjenezë,
jo vetëm nga pikëpamja
teorike, gnoseologjike, nga pikëpamja e dogmës, por edhe në
historinë e saj. Këtë
ambicie të autorit e provon e gjithë vepra e tij e gjerë dhe e
gjithanshme.
I sapo kthyer nga Siria ku kishte kryer studimet teologjike, të
riun energjik e ambicioz për të ushtruar profesionin fisnik nuk
e mundoi egoja për t'u caktuar në ndonjë xhami më afër qendrës
së qytetit ku mund të binte më shumë në sy. E kërkoi thesarin e
besimit aty ku i ra shorti dhe, po aty e
gjeti atë: në xhaminë e Tophanës. Atëherë 20 vjeçar, Muhamed
Sytari filloi punën e tij misionare.
Por ai nuk mjaftohet vetëm me rutinën e zakonshme të praktikës
së besimit, që gjithsesi çmohet e
vlerësohet lart nga ai dhe besimtarët, por rrëmon thellë në
traditën e besimit islam, në historinë e
atij objekti kulti, të xhamisë, për ta bërë atë pjesë të
ligjërimit fetar në punën e tij.
Në kërkim të përsosjes profesionale, hoxha i ri hulumtoi në
historikun e xhamisë së
Tophanës ku filloi punën, në të kaluarën e besimit islam në
lagje e në qytet në mënyrë që, mbi
traditën e së shkuarës ta ngrejë më lartë e të ngjizë frymën e
besimit dhe praktikën fetare, thuajse të harruar e të lënë pas
dore. Këtë detyrë ai e bën duke ndjekur e zbatuar kritere
shkencore, bazuar në
burime historike. Për historikun e xhamisë së Tophanës ai
rezervon një çështje të veçantë "Xhamia e Mustafa efendisë" (f.
21-23, shoqëruar edhe me një fotografi të rrallë e cila botohet
për herë të
parë).
Xhamia e Tophanës, shkruan ai, është ndërtuar qysh në vitin
1617, d.m.th. 140 vjet pas dorëzimit të Shkodrës nga sundimi
venedikas në atë osman. Vetiu del konkluzioni se procesi i
islamizimit të shqiptarëve, në rastin tonë në Shkodër, nuk qenka
bërë menjëherë sapo përfundoi
fushata ushtarake osmane, por, së paku 140 vjet më vonë. Ky fakt
shërben si argument se konvertimi i popullsisë në fenë Islame
nuk është bërë me dhunë dhe sapo u vendos pushtimi i huaj.
Për autorin lidhja e predikimit të besimit me historikun e
besimit nuk është e rastësishme.
Ai e kupton se kjo i bën më të ndjeshëm edhe besimtarët, i afron
më shumë ata me xhaminë, sepse
ata janë të interesuar për historinë dhe traditat. Të gjithë
duan të dinë rrënjët. Tradita dhe
trashëgimia janë dukuri që respektohen dhe frymëzojnë për më
shumë besim. Pikërisht në këtë
drejtim sulmohet besimi islam në Shqipëri, duke e sulmuar në
historinë dhe traditën e tij, duke e
paraqitur përqafimin e besimit islam ndër shqiptarët si shmangie
nga zhvillimi normal apo si një
gabim "të pafalshëm" historik në zgjedhjen që i bënë shqiptarët
myslimanizmit. Sot kjo bëhet për
qëllime të caktuara politike.
Në punën e tij imami i xhamisë kërkon të japë më shumë edhe si
intelektual, sepse realiteti
shqiptar ka nevojë për më shumë, sidomos në lëvrimin dhe
ekspozimin e islamit politik. Besimi
islam sot sulmohet në radhë të parë politikisht. Terrenin,
vakumin, boshllëkun e krijoi politika
femohuese e sistemit diktatorial, komunist. Ai boshllëk tani
duhet mbushur me besimin që vjen
nga Krijuesi, pa deformimet,
shmangiet dhe diversionet që i bëhen sot Islamit në emër të
"ndryshimit",
"reformimit", largimit nga "fundamenti", "fundamentalizmi" e
plot shpikje të tjera.
Diktatura komuniste me politikën e saj ateiste i dha një
goditjeje shkatërrimtare besimit
fetar në përgjithësi dhe
atij islam në veçanti..Kjo goditje ka qenë kataklizmike pas
vitit 1967. Autori e
denoncon rëndë këtë qëndrim dhe me tone ironike, pa pretenduar
për ndonjë analizë të
thelluar teorike. Kësaj
problematike i kushtohet një çështje e veçantë: "Në muajt e parë
të vitit 1967..."
(f. 28-35).
Sulmi kundër myslimanizmit të viset shqiptare ka filluar herët.
Lufta ruso-turke dhe serbo
e malazezo-turke e vitit 1877-1878 u shoqërua me dëbimin e një
milion myslimanëve nga
Ballkani, pjesë e së cilës ishte pastrimi etnik i viseve
shqiptare të Kosovës Lindore (Sanxhaku i Nishit). Faza tjetër e
kësaj rekonkuiste ballkanike kundër Islamit, e cila tërësisht ra
mbi kombin
shqiptar dhe myslimanët shqiptarë ishin Luftërat Ballkanike
1912-1913.
Edhe më pas gjatë periudhës së Pavarësisë lufta kundër
myslimanizmit në Shqipëri nuk
pushoi, por u bë me mënyra të fshehta, kryesisht në formë
diversioni. Vendosja e regjimit
komunist në Shqipëri (1944-1990) shënoi një fazë të re të sulmit
frontal mbi kombin shqiptar dhe
myslimanizmin shqiptar. Karakteri ateist i politikës së
partisë-shtet ishte e vendosur dhe
konsekuent që në fillimet e jetës së saj.
Fjalimi i 6 shkurtit 1967 i diktatorit Enver Hoxha nuk ishte i
papritur. Ai shënoi fazë të re,
një hop të ri cilësor në qëndrimin ndaj fesë e besimit fetar,
ndaj institucioneve fetare, klerikëve, traditave e trashëgimisë
kulturore të popullit shqiptar. 6 shkurti i vitit 1967 shënoi
një sulm të egër e të gjithanshëm për të fshirë nga faqja e
dheut çdo gjë që e lidhte shqiptarin me besimin fetar, me
njerëzit e besimit, me kulturën, traditën dhe trashëgiminë
fetare etj. Në bazë të kësaj politike
qëndronte ateizmi. Sipas
shprehjes së Milovan Gjilasit: "Ateizmi është fe e kthyer kokë
poshtë". Kësaj
"feje" të re në Shkodër iu ngrit edhe një muze i posaçëm, "Muzeu
Ateist", dukuri unikale në
botë.
Duke qenë larg botës myslimane dhe larg çdo kontakti kulturor e
fetar me të, myslimanët shqiptarë i përjetuan më shumë se
besimet e tjera pasojat e politikës ateiste shtetërore për shkak
të
izolimit edhe nga pikëpamja mediatike. Angazhimi i gjithanshëm
teorik e praktik i autorit tregon
se imami e vaizi i Tophanës Muhamed Sytari ka "ngritë topin"
kundër injorancës dhe xhahilizmit të
kultivuar nga ateizmi komunist në qytetin e ish "Muzeut Ateist",
për ta rimëkëmbur e vendosur
besimin islam me kokën lartë që ateizmi komunist e kishte kthyer
me kokë poshtë. Sfida ka sfidën. Përballë bidatit xhahilist të
ateizmit komunist, kemi përpjekjen fisnike për rimëkëmbjen
fetare dhe
kombëtare.
E përgëzojmë autorin për punën, angazhimin e seriozitetin e
gjithanshëm në rimëkëmbjen e besimit islam në vendin tonë.
Shkodër, 20. 05. 2009
(Fjala
e mbajtur me rastin e promovimit të librit "Rrugëtime të një
hatibi"
në
sallën e Konferencave në Grand Hotel Europa, Shkodër, më 30 maj 2009)
|
|
|
|