ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

Resulall-llah…

("Dëshirova t'i shikoj vëllezërit e mi, ata që më besuan pa më parë") 

 Resulall-llah…
  
E falenderoj Krijuesin tim, Atë që krijoi gjithësinë, që është i Vetëm, i Pashoq, që sundon gjithësinë me sekretet e saj dhe që mbikqyr çdo gjë dhe fshehtësitë që kanë… Atij i përulem dhe s'e di në do të arrij t'ia shlyej ndonjëherë këtë mirësi të madhe, me adhurimet dhe falënderimet e sinqerta, që kam ndaj Madhërisë së Tij, që më bëri të besoj dhe të dëshmoj që Ti je rob dhe i dërguar i Tij! Sa madhështore është të besosh dhe të dëshmosh para gjithë botës që je besimtar!..
  
A ka mëshirë më të madhe, sesa të Të tregojë rrugën dhe të udhëzojë drejt saj?.. "Ne e udhëzuam atë (njeriun) në rrugë të drejtë, e ai do të jetë: mirënjohës ose përbuzës".[1]
  
A ka mëshirë më të madhe sesa të Të bëjë prej pasuesve dhe dëshmuesve të profetësisë së njeriut më të madh e më të dashur për Të, të atij që e dërgoi mëshirë për të gjitha krijesat (rahmeten lil-alemin)… "Jam dërguar mëshirë dhe s'jam dërguar dënim"[2]?..
  
A ka mëshirë më të madhe sesa të Të krijojë në një kohë shumë të vonë nga dalja e të fundit Profet, por shumë afër zemrës dhe dashurisë së këtij njeriu-mëshirë, aq afër sa vetë Profeti të të konsiderojë vëlla dhe të përmallohet për ty, shekuj para ardhjes tënde në botë? "Dëshirova t'i shikoj vëllezërit e mi, ata që më besuan pa më parë".[3]
  
Resulall-llah…
  
Unë dëshmoj se ti je robi dhe i dërguari i fundit i All-llahut! "Muhammedi… ishte i dërguari i All-llahut dhe vulë e të gjithë pejgamberëve…"[4]
  
Unë dëshmoj para botës, se ti erdhe për të larguar errësirat me dritën e udhëzimeve të Krijuesit tënd. Erdhe që të ndriçosh rrugën e të errësuarve..! "Elif-Lam-Ra. (ky është) Libër; Ne ta shpallëm ty që me urdhërin e Zotit t'i nxjerrësh njerëzit prej errësirave në dritë; (t'i nxjerrësh prej errësirës) në rrugë të Fuqiplotit, të Falënderuarit".[5]
  
Resulall-llah…
  
Ti besoje, sikurse edhe vëllezërit e tu profetë, në atë që të zbritej nga Zoti yt… "I dërguari i besoi asaj që iu shpall prej Zotit të Tij, si dhe besimtarët. Secili i besoi All-llahut, engjëjve të Tij, shpalljeve të Tij, të dërguarve të Tij…"[6], për të na mësuar se njerëzia janë një familje e madhe besimi dhe përkushtimi. Mjerë ai që mundohet, qoftë edhe "në emër të Zotit", ta prishë këtë lidhje madhështore e këtë besë profetike!.. Mjerë ai..!
  
Resulall-llah…
  
U dërgove për të plotësuar moralin e lartë. Moralin e njerëzve të mirë e besimtarë. Moralin e udhëzimit dhe të dashurisë së njeriut për të rregulluar botën. Moralin e njerëzve punëtorë e durimtarë. Moralin e dijes dhe punës konform dijes së dobishme. Moralin e lartë… "Jam dërguar të plotësoj moralin e lartë".[7]

U dërgove për të vazhduar e për të plotësuar punën e lënë nga vëllezërit e tu, Profetët e tjerë para teje. U dërgove që të vazhdoje rrugën e Hz. Ibrahimit, babait të Profetëve, që shekuj para shfaqjes tënde, lutej: "Zoti ynë, dërgo ndër ta, nga gjiu i tyre të dërguar që t'u lexojë atyre ajetet Tua, t'u mësojë atyre librin dhe urtësinë, e t'i pastrojë (prej ndytësisë së idhujtarisë) ata. S'ka dyshim se Ti je ngadhënjyesi, i dijshmi"[8], dhe Zoti (xh.sh) të dërgoi... U dërgove të plotësoje mësimet e vëllait tënd Hz. Isait (Jezusit), i cili shtroi rrugën e ardhjes tënde me profetësinë e tij për ty, pikërisht kur beni israilëve (e mbarë botës pas tyre), u tha: "Dhe, kur Isai, biri i Merjemes tha: "O beni israilë, unë jam i dërguar i All-llahut te ju, jam vërtetues i Tevratit që ishte para meje dhe jam përgëzues për një të dërguar që do të vijë pas meje, emri i të cilit është Ahmed!" E kur ai u erdhi atyre me argumente të qarta, ata thanë: Kjo është magji e hapët".[9]
  
Resulall-llah…
  
Shfaqja jote madhështore i mësoi botës pastërtinë dhe dlirësinë e shpirtit, pikërisht, kur me udhëzimet e tua, u mësove atyre se: "Çelësi i xhennetit është namazi dhe çelësi i namazit është pastërtia".[10] Ajo u mësoi atyre të duan njëri-tjetrin dhe të kujdesen për njëri-tjetrin siç kujdesen për veten, pikërisht, kur i udhëzove se: "Nuk më ka besuar mua, kush fle i ngopur, ndërkohë që komshiu i tij është i uritur dhe ai e di"[11] dhe se: "Ata që duhen vetëm për hatrin e All- llahut, do të ulen në karriga prej smeraldi, ditën e kijametit".[12] Ajo u mësoi atyre se mbarësia në jetë është e shoqëruar me frikën e Zotit…"Nuk ka dije më të madhe për njeriun sesa frika e Zotit, siç nuk ka injorancë më të madhe për të sesa mendjemadhështia".[13]
  
U mësove atyre që të mos dorëzohen para gabimit dhe se pendesa hap dyert e mundësive të reja, pikërisht kur u sqarove se: "Secili nga bijtë e Ademit gabon, por më i miri ndër ata që gabojnë është ai që pendohet".[14] U mësove ta duan Krijuesin e tyre dhe ta shtojnë përmendjen e tij, siç bëjnë të dashuruarit me njëri-tjetrin: "Shenjë e dashurisë së All- llahut është dashuria e përmendjes së Tij dhe shenjë e urrejtjes së All- llahut është urrejtja e përmendjes së Tij".[15]
  
Resulall-llah…
  
Fjalët për Zotërinë tënde dhe mirësinë hyjnore e të qenurit prej pasuesve të tu, sot në shekullin e 21- të, s'kanë të sosur dhe s'mund të mbarojnë..! Ato zbukurojnë bisedat dhe qetësojnë zemrat, kthjelltësojnë mendimet e qartësojnë konceptet…
  
Resulall-llah…
  
Dëshmoj para botës, se ti je rob dhe i dërguar i All-llahut… dhe kjo mjafton..!
 


Imam Muhamed Sytari



[1] Kur'ani: 76:3.    
[2] Transmetuar nga Bukhariu në "Et-Tarikh"  nga Ebu Hurejra (r.a).
[3] Transmetuar nga Ahmedi  nga Enesi (r.a).
[4] Kur'ani: 33:40.  
[5] Kur'ani: 14:1.    
[6] Kur'ani: 2:285.  
[7] Transmetuar nga Bukhariu në "El-Edeb", Hakimi dhe Bejhekiu nga Ebu Hurejra (r.a).
[8] Kur'ani: 2:129.  
[9] Kur'ani: 61:6.    
[10] Transmetuar nga Ahmedi dhe Bejhekiu nga Xhabiri (r.a).
[11] Transmetuar nga Bezzari dhe Tabaraniu nga Enesi (r.a).
[12] Transmetuar nga Tabaraniu nga Ebu Ejjubi (r.a).
[13] Transmetuar nga Bejhakiu nga Mesruku (mursel).
[14] Transmetuar nga Ahmedi, Tirmidhiu, Ibni Maxhe dhe Hakimi nga Enesi (r.a).
[15] Transmetuar nga Bejhakiu nga Enesi (r.a).