“Qetësohu Uhud!”
(Tophanë, e xhuma, më 05 mars 2010)
Në hytben e xhumasë së datës 5 mars 2010, Imam Muhamed Sytari,
ka vazhduar të flasë për të katërtën javë me radhë mbi
mrekullitë e shumta të hz. Muhammedit (a.s) duke i paraqitur
para të pranishmëve të shumtë që frekuentojnë xhaminë e Tophanës.
“Në hadithe të ndryshme është transmetuar se edhe ushqimi ka
bërë tesbih në dorë të Resulull-llahit (a.s). Edhe gurët kanë
bërë tesbih në dorën e tij (a.s). Edhe pemët i jepnin selam,
sikurse malet, kur kalonte pranë tyre! Resulull-llahi (a.s)
është përkrahur me mrekulli të shumta nëpërmjet të cilave është
dëshmuar botërisht grada e lartë e vulës së të dërguarve të
Zotit të Vetëm të gjithësisë!
Një ndër momentet më interesante në këtë mori mrekullish të
ndodhura me Resulull-llahin (a.s) është kur ai së bashku me Ebu
Bekrin, Omerin dhe Osmanin qëndronin mbi malin Uhud. Në një
moment, Uhudi dridhet nën këmbët e tyre dhe pejgamberi (a.s) e
urdhëron: “Qetësohu Uhud! Mbi ty po qëndron një profet, një
siddik dhe dy dëshmorë!”, sikurse transmetohet në librat e saktë
të Bukhariut dhe Muslimit!”- kanë qenë disa nga momentet më
interesante të hytbes së parë të kësaj jave.
Në hytben e dytë, Sytari ka kritikuar me të madhe ata që “nga
mungesa e dijes dhe edukatës ndaj të dërguarit të All-llahut,
patën kurajon të etiketonin ceremoninë madhështore të prezencës
së “Lihjei Seadetit” në xhaminë tonë me bidat, haram etj. Ata
gabohen rëndë! Në fenë tonë nuk lejohet të flitet pa dije,
sidomos kur bëhet fjalë për dashurinë ndaj të dërguarit! Feja
jonë ka nisur me dashuri, është ujitur me dashuri dhe është
përhapur me dashuri, jo me shpatë, gjak e flakë! Argumente të
shumta e të sakta nga librat e hadithit, veprimi i sahabëve e ai
i korifenjve të diturisë, tregojnë se ajo që ne vepruam është
katërciprisht legjitime dhe në përputhje të plotë me rregullat e
dashurisë në fenë tonë!”- ka thënë ai.
V. Mehmeti