Promovohet libri “Rrugëtime të një hatibi”
(Shkodër më, 30 maj 2009)
Në një atmosferë të gëzueshme, në mesin e personaliteteve të
ndryshme fetare islame, intelektuale, studentëve të
Universitetit të Shkodrës, besimtarëve të shumtë, miqve e të
ftuarve nga jashtë Shkodrës, me rastin e Mevludit Sherifë,
përkujtimit të Lindjes së Hz. Muhammedit (a.s), thirrësi islam
Muhamed Sytari, hatib i xhamisë Tophanë, organizoi promovimin e
librit të tij të ri: “Rrugëtime të një hatibi”.
Aktiviteti që u zhvillua në sallën e madhe të konferencave, në
ambientet e Grand Hotel Europa, ditën e shtunë, më 30 maj 2009,
ora: 18.30, ishte një dëshmi e qartë e domosdoshmërisë së
organizimit të aktiviteteve të tilla që mbledhin rreth sofrës së
dijes dhe fesë, shtresa të ndryshme të shoqërisë tonë, nevojtare
të mesazheve që burojnë nga këto tubime qytetëruese.
Aktiviteti që u drejtua me shumë elokuencë nga teologu Altin
Loshi, nisi me këndimin e një pjese kur’anore nga teologu Alban
Kali.
Më pas promovimi i librit në fjalë vijoi me përshëndetjen e bërë
nga H. Faik Hoxha, myfti i Shkodrës (1991-2003), i cili vlerësoi
punën dhe angazhimin e Sytari që në ditët e para të kthimit të
tij nga studimet në Damask të Sirisë, duke u vënë në shërbim të
myftinisë Shkodër, si hatib i xhamisë Tophanë. Ai përshëndeti
edhe arritjet e reja të xhamisë Tophanë duke e falënderuar
hatibin e saj për angazhimet në këtë drejtim.
Aktiviteti vijoi me diskutimet e bëra nga prof. dr. Njazi
Kazazi, prof. as. Dr. Bajram Xhafa dhe mr. Genti Kruja, të cilët
hodhën dritë mbi vlerat e këtij libri, ku përmblidhet historia e
xhamisë Tophanë, ndër më të vjetrat në qytetin e Shkodrës, lufta
e sistemit komunist kundër Islamit dhe mësimeve të tij, vlera e
arkivimit të aktiviteteve të ndryshme të zhvilluara në xhaminë e
Tophanës gjatë dhjetë viteve të fundit, dobia e 301 haditheve të
përkthyera nga autori nga gjuha arabe etj.
Më pas, të pranishmit patën kënaqësinë të ndjekin nëpërmjet
videoprojektorit një material ku shfaqej historiku i xhamisë
Tophanë nëpërmjet fotove të shumta të aktiviteteve të saj ndër
vite.
Në fjalën e tij autori i librit, ndër të tjera ka thënë: “Libri
“Rrugëtime të një hatibi”, është një përpjekje për të pajisur
xhaminë shqiptare me një arkiv të gjallë të jetës së saj, në
shërbim të brezave që do të vijnë pas nesh!
Të gjithë jemi dëshmitarë që në një mënyrë a një tjetër taborrat
e iblisit, nëpërmjet politikave të ndryshme dhe vekilëve të
tyre, po përpiqen dita-ditës ta shveshin individin shqiptar nga
identiteti i tij islam, me pretendime nga më të ndryshmet,
shpesh qesharake.
Kryqëzata e re ndaj Islamit, profetit Muhammed (a.s), Kur’anit
Famëlartë dhe simboleve të ndryshme islame, edhe në vendin tonë,
ka kohë që lëvron qetësisht në atmosferat e ndryshme të kësaj
shoqërie. E, përballë kësaj roli i institucionit të Thirrjes
Islame duhet të jetë më i organizuar se asnjëherë tjetër!...
“Rrugëtime të një hatibi”, në të vërtetë, është edhe një thirrje
e fortë për ndërgjegjësimin e faktorëve kryesorë të Thirrjes
islame në këtë vend, për të vendosur mbi interesat personale,
ato të Thirrjes Islame, kulturës dhe qytetërimit të saj!”
Pas fjalës së autorit, të pranishmit kanë dëgjuar me vëmendje
edhe fjalën e myftiut të Krujës, z. Islam Hoxha që solli
përshëndetjen e kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar, H.
Selim Muça. Nëpërmjet saj, ai vlerësoi angazhimet e thirrësit
islam Muhamed Sytari në shërbim të fesë islame dhe mesazheve të
saj qytetëruese, nëpërmjet aktiviteteve të tij në sfera të
ndryshme të Thirrjes Islame.
Pas përfundimit të aktivitetit, të pranishmit morën pjesë në
ftesën për çaj, ku përshëndetën thirrësin islam Muhamed Sytari
për librin e tij dhe ndanë së bashku kënaqësinë e këtij takimi
me vlera.
Ilir Dizdari
Imam i xhamisë Tophanë
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|