H. Musa Hoxha për mësuesin e tij H. Muhamed Bekteshi

("Dituria është pus, përsëritja është kovë") 

hafiz Musa Hoxha

“Me kulturën që na ka dhanë ai, nuk mund t'i dalim kurrë hakut,

kaq Hoxhë i naltë ka kenë.

Na ka mësu me pasë frikë Zotin, me pasë karakter feje,

jo m'u mburrë me diploma e ixhazete!...

Na porosiste përherë: "El-ilmu bi'run vel-muzakeretu dilvun", që do të thotë:

"Dituria është pus, përsëritja është kovë", si e si të na nxiste për të mësuar

e për t'u lidhur sa më shumë me diturinë dhe përsëritjen e saj!"

 

   Në periodikun e Bashkësisë Islame të Kosovës, “Takvim 1427/28 – Kalendar 2007”, botova një material kushtuar njërit prej nxënësve të gjallë të H. Muhamed Bekteshit. Studimin tim e titullova: “Hafiz Musa Hoxha- Vaizi besnik i qitabeve të vjetra...”. Studimi në fjalë ka për bazament esencën e përmbledhur të disa intervistave të zhvilluara në një hark kohor dymujor me hoxhën anamalas, ku spikasin edhe kujtimet për hoxhën e tij të dashur...

   Në kujtimet e tij për mësuesin e madh, që nuk jeton më, H. Musa Hoxha bëhet jo vetëm interpretues i ditëve të dersit e vazhdimësisë në dyert e H. Muhamed Bekteshit, por, nëpërmjet një force të padukshme emocionale, ai përcjell edhe një dashuri të sinqertë, që si nxënës i moshuar, mban për hoxhën e tij rahmetli.

   E pyeta për dersin e H. Muhamed Bekteshit, mësuesit të tij. Ai u emocionua. Sytë iu mbushën me dritë hoxhallarësh e kujtime talebeshë. U ngrit në këmbë për të ndërruar vendin. Rregulloi këmishën, duke mbyllur edhe pullin e saj të fundit. U ul në gjunjë, pastaj tha: "Esteidhu bil-lah[1], bismil-lah[2]" dhe filloi rrëfimin e 16 viteve të rinisë së tij dhe ditëve të saj të mbushura me ecejake dyerve të hoxhallarëve të njohur të Shkodrës si: H. Muhamed Bekteshi, H. Esat Myftija, H. Ibrahim Kaduku, H. Malja[3] i Tepes, etj., te të cilët kishte kënduar ders dhe kishte filluar hatmen e Kur'anit Kerim, vasin, gramatikën arabe, etj.

   "Te Haxhi Muhamed Bekteshi, fillimisht kemi mësuar sarf e binâ, si: nasere, jensuru, fe huve nasirun. Nasere, lem jensur, len jensur. Nasere Zejdun Amren, pra Filani (Zejdi) e ndihmoi Amrin. Ose:  ef'ale, jef'ilu, if'alen. Ose: hurufi kamerijje[4], hurufi shemsijje[5], etj.", fillon të na tregojë Hafizi, për mësimet e morfologjisë, sintaksës arabe e të texhvidit të Kur'anit, të cilat i ka mësuar te Hoxha i tij, për të cilin gëzon një nderim e një respekt të jashtëzakonshëm.

   "Pas "Emthiles"…", vazhdon bisedën e tij Hafizi, "kena kndu "Binâ". Pas "Binas", kena marrë "Avamil". A e dini se kujt i thonë "Avamil"? "Avamil" i thonë këtyre: hurufi xherr[6]: min, ila, ala, an, fi…", kujton ditët e dersit Hoxha me mjekër të bardhë, të cilit i shndërisin sytë nga gëzimi i kësaj bisede, bën me duar si një  mësues i vëmendshëm përpara nxënësve të tij dhe na vështron në sy, i përqendruar dhe serioz në tregimin e rinisë së tij, pse jo të vetë jetës së gjatë e plot peripeci në kërkim të diturisë islame.

   Pastaj, ai nisi të na përmendte librat e dersit të tyre, si: "Kitabul-Emthâl"[7], "Merakil-Felah", "Isaguxhi"[8], etj. Herë pas here, e ndërpriste bisedën e tij të ngrohtë dhe na pyeste: "A ja keni ndi zanin?", e kur merrte përgjigje pozitive nga ne, na e kthente: "Bravo, ju lumtë!", si për ta konfirmuar sërish përgjigjen tonë, njëkohë qe ne rrinim si të mpirë përpara kujtimeve, njohurive të reja dhe emocioneve që na dhuronte Hafiz Musaja i moçëm, me bisedën e tij.

   Dhe biseda vazhdon. Kujtimet e shumta e kthenin herë pas here Hafizin te një pikë e vetme referimi, te Hoxha i tij, për të cilin gëzonte një respekt të madh. Dhe ndalonte për një moment rrëfimin e tij dhe thoshte: "Vetëm se ka kenë i pari i Shqipris, Haxhi Muhamed Bekteshi. I pari n'Shqipri, aj ka kenë. Aj ka kenë Vaizi i tân Shkodrës. Shum Vaiz i fortë ka kenë…", kujtonte ai.

   Pastaj, biseda fillon të marrë rrugën e kujtimeve të ish-talebes së ri, prej aty ku ishte ndaluar më parë: "Pas "Merâkil-Felah", kena ba rregullat e mësimit dhe të shkuarjes te hoxhallarët, "Ta'limul-muteal-lim"[9]. Pastaj, kena vazhdu me qitabet e vasit, si: "El-mexhalisus-senijje"[10], "Mexhalis irshadijje", "Dekâikul-akhbâr"[11], etj.", vijon të na tregojë Hafizi për librat kryesorë të dersit të tyre. "Gjithashtu kemi lexu edhe shumë libra të tjerë si në dijen e Mantikut (logjikë); "Kitâbul-Mantik", pastaj librat e vasit, si: "Kenzul-irfân", "Nexhâtul-mu'minine", "Dur-retun'nâsihine", "Dur-retul-vâidhine", librat e fikhut hanefi, si: "El-halebijjus-sagir" dhe "El-halebijjul-kebir", etj", tregon me shumë pasion njeriu që rininë e tij të hershme ia kushtoi derseve të hoxhallarëve të mëdhenj të Shkodrës dhe që më pas u bë një trashëgimtar besnik i tyre.

   "Meqë kisha Kur'anin (hafiz), me izën e Zotit do të vendosja çallmën. Ishim shumë shokë të gatshëm për këtë ceremoni, prandaj ramë dakort ta bënim me rrallë që mos ta lodhnim Hoxhën, pasi do bëhej këndimi, duâja e këshillat e çallmës. Para nesh e lëshuan çallmën Sabri Koçi, Halit Mertoshi dhe Mani i Cafit[12]...".

   Dhe vjen çasti i veshjes së çallmës edhe për Hafizin e ri Musa Hoxha dhe këshillat e Hoxhës së urtë: "Pasi na këndonte e na bënte duanë, Hoxha na vendoste çallmën, na përhajronte për këtë syneti-resul dhe na thoshte: "Para se të shkoni Imamë, duhet të plotësoni rregullat e mia:

Pikë së pari, kur të shkoni në xhami, t'i jepni selam gjithkujt.

Pas hyrjes në xhami, të uleni për vasë.

Vasin ta bëni nga ajo që shihni në qitab, jo me kritiku njerëzit, ti je kështu e ti ashtu, jo!

Me të butë e me durim[13].

Kur të shkoni nëpër shtëpitë e hallkut, mos shikoni femrat, por shikoni burrat tuj bisedu.

Kur të uleni për të ngrënë bukë, hani me kulturë.

Kur të shkoni me ra me fjetë, mos flini vetëm në shtëpi, por me të zotin e shtëpisë në shtëpi.

Kur të shkoni në banjo, lajmëroni të zotin e shtëpisë, jo me shku pa lajmëru.

Nëse jeni në rrugë së bashku me një shkodran e një njeri të largët, nga Gostivari për shembull, me e shti të largëtin në midis.

Atje ku të shkoni, nëse nuk falni pesë vaktet e ditës, nuk ju nisi Imamë..."

   Me kulturën që na ka dhanë ai, nuk mund t'i dalim kurrë hakut, kaq Hoxhë i naltë ka kenë. Na ka mësu me pasë frikë Zotin, me pasë karakter feje, jo m'u mburrë me diploma e ixhazete!", na thotë plot nderim për Myderrizin e tij, Hoxha në moshë të thyer që vijon: "Na porosiste përherë: "El-ilmu bi'run vel-muzakeretu dilvun", që do të thotë: "Dituria është pus, përsëritja është kovë", si e si të na nxiste për të mësuar e për t'u lidhur sa më shumë me diturinë dhe përsëritjen e saj!"

 

Muhamed Sytari



[1] Që do të thotë: Kërkoj mbrojtjen e All-llahut.

[2] Që do të thotë: Me emrin e All-llahut.

[3] Hafiz Smajl (Mala) Haxhi Abdia: 1908-1965. (Për më shumë, shih: Smajl Bala, "Institucionet islame dhe hoxhallarët e Shkodrës", fq.511-513).

[4] Shkronjat hënore të gjuhës arabe, që janë: elifi, baja, xhimi, haja, khaja, ajni, gajni, faja, kafi, kefi, lami, mimi, heja, vavi, jaja. 15 shkronja.

[5] Shkronjat diellore të gjuhës arabe, që janë: taja, thaja, dali, dhaja, raja, zaja, sini, shini, sadi, dadi, tâja, dhâja, nuni. 13 shkronja.

[6] Hurufi xherr në gjuhën arabe i thonë parafjalëve.

[7] Këtë libër vasi e kam gjetur edhe në bibliotekën e mbetur të Hafiz Qamil Tresit (1922-1988), shok dersi i Hafiz Musa Hoxhës.

[8] Libër në shkencën e mantikut (logjikë). Një kopjo të tij e kam gjetur, kohë pasi ishte botuar ky studim në Kosovë.

[9] Ky libër rezulton prezent edhe në katalogun e dorëshkrimeve osmane në arkivat e Shqipërisë, me numër 108. Për të shënohet: "Dorëshkrim me 13 kapituj i shkruar nga Burhaneddin ez-Zernuci... Në çdo kapitull trajtohen probleme të ndryshme që lidhen me shkencën. Kjo vepër që përfshin metodat e mësimdhënies së shkencave dallohet për vlerat e veçanta didaktike"- Shih: As.prof.dr. Guyasettin Aytas- Dr. Haci Yilmaz, "Katalogu i dorëshkrimeve osmane në arkivat e Shqipërisë", Ankara, 2001, fq. 43.

[10] Këtë libër vasi e kam gjetur edhe në bibliotekën e mbetur të Hafiz Qamil Tresit, në faqet e së cilit shkruhej se ishte dhuratë nga Hafiz Musa Dërguti.

[11] Këtë libër vasi e kam gjetur edhe në bibliotekën e mbetur të Hafiz Qamil Tresit, në Shkodër.

[12] H. Sulejman Kraja, i cili ndërroi jetë më 08 qershor 2006, në moshën 86 vjeç.

[13] Në këtë pikë të rrëfimit të këshillave të H. Muhamed Bekteshit, Hoxhës së tij, Hafiz Musaja lëviz nga vendi i tij dhe me emocion thotë:  “Ka kenë njiri i naltë, prandaj kjaj për te!" dhe pas një heshtjeje të shkurtër, merr të plotësojë këshillën e Myderrizit të ditur.