Për Imamët

("...një udhëheqës i fortë, një gjykatës i drejtë, një tregfunksional, një lumë rrjedhës dhe një mjek i aftë")  

el-hikmetu

Në lidhje me personalitetin e Imamit, Ebu Hanife, Ebu Jusufi, Muhammed Shejbaniu dhe Shafiiu, kanë thënë: "Ai që nuk i di këto katër çështje, nuk lejohet të jetë Imam:

1. Nëse të thuhet: A ke falur namazin tënd, apo namazin e njerëzve pas teje? Thuaj: Namazi im është për All-llahun dhe për njerëzit.[1]

2. Nëse të thuhet: Ne u lidhëm pas teje, po ti pas kujt je lidhur? Thuiaj: Unë jam lidhur pas Muhammedit (a.s).

3. Nëse të thuhet: Ti je Imami ynë, po Imami yt kush është? Thuaj: Imami im është Kur'ani.

4. Nëse të thuhet: Namazi ynë është i plotë me ty. Po namazi yt më çfarë plotësohet? Thuaj: Namazi im është i plotë me dije, me moral dhe me udhëzim.

(Kështu shkruhet në "Mukaddimetu Ebi Lejth)

 

Urtësia e Hz. Sulejmanit (a.s)

 

   Ka thënë Sulejmani (a.s): "Kujt t'i jenë dhënë këto katër gjëra, i është dhënë më mirë sesa ajo që i është dhënë familjes së Davudit, nga kjo botë:

1. Frika e All-llahut, në të fshehtë e në të dukshme,

2. Mesatarizmi, në pasuri e në varfëri,

3. Drejtësia, gjatë nevrikosjes e në qetësi,

4. Falenderimi i All-llahut, në miradi e në vështirësi.

(Nga "Tenbihul-gâfilin", fq.148,

transmetuar nga Muhammed ibn Ka'b el-Kuredhi)

 

Urtësi

 

   Kanë thënë ca të urtë: "Nuk duhet që një i mençur të zbresë në një vend, nëse aty nuk gjenden pesë gjëra: një udhëheqës i fortë, një gjykatës i drejtë, një tregfunksional, një lumë rrjedhës dhe një mjek i aftë"

(Nga "Tenbihul-gâfilin", fq.149)

 

Shenjat e lumturisë

 

   Kanë thënë: Shenjat e lumturisë së njeriut janë njëmbëdhjetë:

1. Të jetë asket në këtë botë, kërkues i ahiretit,

2. Të ketë vullnet për adhurimet dhe këndimin e Kur'anit,

3. Të pakësojë fjalët aty ku s'i nevojitet,

4. Të jetë i kujdesshëm për kryerjen e pesë namazave ditore,

5. Të jetë i ruajtur nga e pakta dhe e shumta e haramit,

6. Të jetë modest, jo mendjemadh,

7. Të shoqërohet me njerëz të mirë,

8. Të jetë bamirës, bujar,

9. Të jetë i mëshirshëm me krijesat e All-llahut (xh.sh),

10. Të jetë i dobishëm për të tjerët,

11. Të kujtojë shpesh vdekjen.

(Nga "Tenbihul-gâfilin", fq.62)

 

Këshilla e Hz. Omerit

 

   Një ndër këto shënime të vlefshme, është edhe një këshillë që i atribuohet Hz. Omerit (r.a), sahabiut të devotshëm, kalifit të dytë pas ndërrimit jetë të Profetit Muhammed (a.s), të quajturit "Fâruk"; Ndarës i së vërtetës nga e shtrembërta, ku thuhet: "I tha Omer ibnul-Khattabi (r.a.), njërit prej vëllezërve të tij: Po të këshilloj me gjashtë gjëra:

1. Nëse dëshiron të qortosh dikë a ta kritikosh atë, kritiko veten tënde, sepse nuk njeh dikë më me shumë të meta sesa atë.

2. Nëse dëshiron të armiqësohesh me dikë, armiqësohu me barkun tënd, sepse nuk ke armik më të rrezikshëm sesa atë.

3. Nëse dëshiron të falënderosh dikë, falëndero All-llahun, sepse askush nuk është më mirëbërës dhe më i butë ndaj teje sesa Ai.

4. Nëse do të largohesh nga diçka, largohu nga kjo botë, sepse po e bëre këtë do të jesh i lavdëruar, e nëse nuk e bën, ajo do të largohet prej teje duke të lënë të sharë.

5. Nëse do të përgatitesh për diçka, përgatitu për vdekjen, sepse po nuk e bëre këtë, do të meritosh dëshpërim e pendim.

6. Nëse kërkon diçka, kërko Ahiretin, sepse nuk do ta kesh atë, vetëm duke e kërkuar".

 

 

Nga monografia e thirrësit islam Muhamed Sytari:

Hafiz Qamil Tresi- në gjurmët e një biblioteke që sfidon heshtjen e kohës”,

Shkodër, 2006.

 



[1] Në kuptimin e angazhimit të dyfishtë, si Imam.