ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

“Pasuria, një ndër pesë shtyllat e fesë islame!”

(Shkodër, e xhuma,  më 16 tetor 2009) 

Në ligjëratën e kësaj jave, hatibi i xhamisë Tophanë, thirrësi islam Muhamed Sytari, ka hedhur dritë mbi vlerën e pasurisë në fenë islame dhe sesi Islami ka luftuar varfërinë me shumë mënyra.

“Pasuria në fenë tonë islame konsiderohet si një ndër pesë shtyllat kryesore mbi të cilat ngrihet feja e All-llahut! A mund të japë kush zekat pa poseduar pasuri të mjaftueshme për kryerjen e këtij obligimi të rëndësishëm të fesë tonë?! A mund të shkojë në haxh një njeri që nuk posedon pasuri të mjaftueshme për kryerjen me rregull të këtij adhurimi të madhërueshëm islam? Për këtë, dijetarët tanë kanë thënë se: “çdo obligim fetar që nuk realizohet veçse me ndihmën e një faktori tjetër, edhe ai faktor bëhet obligim!” Si pasojë, themi se pasuria është një shtyllë e rëndësishme prej pesë shtyllave të Islamit!”- ka thënë Sytari në hytben e tij.

Gjithashtu ai ka tërhequr vëmendjen se “varfëria në Islam është e barabartë me femohimin! Profeti (a.s) ka thënë: “Varfëria, desh të bëhej femohim!” Ky është një argument më shumë për të shikuar secili në veten e tij sesi e administron kohën në shërbim të mirëqenies së tij! Duhet që secili prej nesh të përfitojë nga koha e tij për të punuar sa më shumë, në rrugë të lejuara, larg harameve, në kërkim të hallallit dhe begative të shumta me të cilat Zoti i gjithësisë e ka mbuluar njeriun në këtë jetë!”.

Në këtë hytbe, ai nuk ka lënë pa iu drejtuar edhe rinisë. Nëpërmjet ajeteve të sures “Jusuf”, ai ka argumentuar sesi profeti i All-llahut, Jusufi (a.s), ka kërkuar nga i pari i Misirit, punën më të rëndësishme për kohën; drejtimin dhe administrimin e financës dhe ekonomisë së vendit. Nga këtu, Sytari i është drejtuar të rinjve me këto fjalë: “Ja tradita e hazreti Jusufit; ekonomia! Të rinjtë muslimanë sot, kanë për detyrë ta studiojnë ekonominë dhe financat, në gjurmët e hz. Jusufit, i cili jo vetëm që e kërkoi këtë punë por faktoi para punëkërkuesit se ishte “hafidhun, alim”’ i ndershëm dhe ruajtës i amanetit, ekspert i ditur! Pse të mos jetë muslimani i ri sot, ekonomisti kompetent nesër? Ministri i ekonomisë? Ministri i energjetikës? Kryeministër i këtij vendi? Përse jo?!” – ka vijuar ai.

Në hytben e dytë, Sytari ka përmendur rastin e konvertimit në fenë islame të dy amerikanëve të rinj, në xhaminë e shqiptarëve të Phoenix. “Sapo më lajmëroi vëllai im, Imam Didmar Faja, se sot, pas namazit të xhumasë, në xhaminë e shqiptarëve në Phoenix, dy amerikanë të rinj do të deklarojnë para të gjithëve konvertimin e tyre në Islam! Kjo është madhështia e kësaj feje! Drita e Islamit nuk shuhet kurrë! Sado që përpiqen në vendin tonë e në botë, asnjëherë nuk do të kenë sukses sepse kjo është fe, për të cilën është garant Vetë Zoti i gjithësisë!”- ka përfunduar hatibi i Tophanës.

 

V. Mehmeti


Shiko në youtube: http://www.youtube.com/watch?v=T-aELzGza7g

(Shkodër, e xhuma,  më 16 tetor 2009) 
(Shkodër, e xhuma,  më 16 tetor 2009) 
(Shkodër, e xhuma,  më 16 tetor 2009) 
(Shkodër, e xhuma,  më 16 tetor 2009)