ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

“Jemi pak për t’u përçarë!”

(Shkodër, më 5 qershor 2009) 

 

“Jemi pak për t’u përçarë!”

  

Në hytben e xhumasë së parë të muajit qershor 2009, hatibi i xhamisë Tophanë, thirrësi islam Muhamed Sytari, ka vazhduar të flasë për të nëntën javë me radhë mbi veçoritë dalluese të profetit Muhammed (a.s) mbi të dërguarit e tjerë të All-llahut.

Gjatë saj, ai është ndalur edhe te realiteti i Thirrjes Islame në vendin tonë dhe nuk ka lënë pa përmendur domosdoshmërinë e një prijësi të urtë e të aftë që drejton me pjekuri interesat e Thirrjes Islame në këtë kohë, në këtë vend.

Gjatë hytbes së tij, ndër të tjera ka thënë: “Sot jemi pak që të përçahemi e të konfliktohemi për interesa banale e kapriço provinciale! Realiteti i jonë dëshmon një plogështi dhe një mefshtësi nga secili prej nesh në shërbim të fesë së tij, Thirrjes Islame, Kur’anit e Traditës muhamedane! Përse muslimani sot, stepet përpara çthurrjes së kohëve të reja? Përse mungon kurajoja për ta parë realitetin në sy e për të dëshmuar Islamin dhe dashurinë e Resulull-llahit (a.s) si kredo jete, aty ku jemi, secili në pozicionin e tij? Është koha që duart tona të bashkohen për të mirën e Islamit dhe Thirrjes Islame, larg interesave të ngushta e vështrimeve të errësuara!

Më pas, në hytben e dytë ai ka kërkuar nga të pranishmit që të angazhohen maksimalisht për ta bërë Islamin pjesë të jetës, në shtëpi e jashtë saj, në punë e përtej saj, në xhami e jashtë mureve të saj rrethuese. Kur’anin, pjesë e leximeve të përditshme, me vëmendjen e duhur, dëshirën e përfitimit dhe vullnetin për të praktikuar mirësitë e tij. Traditën profetike muhamedane, si udhërrëfyes të pashmangshëm në rimëkëmbjen islame dhe përmendjen e vazhdueshme të All-llahut, me dhikre të ndryshme, si mbështetje dhe mburojë përballë vështirësive dhe pengesave të ditëve.

 

V. Mehmeti