Një natë sa një jetë…
(Phoenix,
më 16 shtator 2009 )
Në hyrje
Teksa hyja në xhami, kuptova rëndësinë e madhe që ka kjo natë në
zemrat e shqiptarëve që e kishin tejmbushur atë! Madje, shumë
prej tyre, sidomos gratë muslimane, nuk kishin vend se ku të
rrinin…
Teksa hyja në xhami, kuptova sesi Nata e Kadrit u kishte
pushtuar zemrat shqiptarëve, me dashurinë e saj, me bujarinë e
pakufijshme, me rrezatimet e saj hyjnore, me përshpirtësinë e
saj, me shpirtin e paqes që dominonte kudo në atmosferën e
Phoenixit dhe ambientet e xhamisë së shqiptarëve…
Teksa hyja në xhami, kuptova sesa e fortë është besa e
shqiptarit me fenë e tij; Islamin, fenë e të parëve, baballarëve
të devotshëm e nënave zemërbardha!
Teksa hyja në xhami, kuptova sesa i dashur kumbon emri i Natës
së Kadrit në veshët e të rinjve shqiptarë, që mbajnë të varur në
qafë shqiponjën e shqiptarisë e në zemër vulën e besimit,
shpirtin e Islamit!
Teksa hyja në xhami, kuptova sesa të pandara janë nënat tona nga
djepi i Islamit, me ngrohtësinë e të cilit kanë rritur shtate
djemsh e vajzash që sot dëshmojnë shehadetin me fytyra të
qeshura e zemra të ndritura!
Teksa hyja në xhami, kuptova se me ndriçimet e kësaj nate edhe
xhamia ishte kthyer në një fener ndriçues që u hapte rrugën
shkelësve në ambientet e saj, drejt lartësimit në shkallët e
Paqes që dhuron kjo Natë e Madhe..!
Teksa hyja në xhami, kuptova se Nata e Kadrit kishte hedhur
siparin e saj dhe.., atmosfera përreth nesh reflektonte
ruhanijetin e më të madhes natë, natës në të cilën filloi
zbritja e mesazhit të fundit hyjnor që lidh qiellin me tokën..!
Ishim bërë fëmijët e saj..!
Pas faljes së namazit të jacisë, Imami u ngrit dhe mori drejt
podiumit të vendosur me fytyrë nga të pranishmit. “Pas pak do të
fillojë programi i përgatitur me rastin e Natës së Kadrit, që do
të hapet me këndimin e një pjesë kur’anore…”- lajmëroi hoxha i
ri shkodran, me xhybe dhe çallmë, si xhybja dhe çallma e
hoxhallarëve të vjetër të Shkodrës. Për një moment teksa fliste,
kujtimet më morën në një kohë, ndryshe nga kjo kohë e në një
vend, ndryshe nga ky vend… Ishin vitet e para të postdiktaturës
së kuqe. Në Shkodër, një grup të rinj kishin filluar të
frekuentonin kursin e parë të besimit islam të hapur në qytetin
tonë të lindjes. Ata së bashku, frekuentonin edhe namazin e
xhumasë në xhaminë bri Rozafës. E, në mesin e tyre ishte edhe
një djalë i vogël shumë energjik, që përherë kishte dëshirë të
këndonte ezanin a ndonjë sure të shkurtër që kishte mësuar në
kursin e besimit… Asokohe, askush nuk e dinte se Didmari i
vogël, muezini me pantallonat e bardha, si ngjyra e fesit që
mbante mbi kokë, do të bëhej një ditë Imam Didmar Faja, me xhybe
dhe çallmë, si xhybja dhe çallma e hoxhallarëve të vjetër të
Shkodrës…
Pas këndimit të ajeteve të para të sures “Ed-Duhan”, në podiumin
e xhamisë u shfaq hoxha i ardhur nga Shkodra për shërbimet e
muajit të agjërimit. Sesi më dukej vetja në këtë natë
dritësuese, para atyre qindra burra e gra që kishin mbushur “Greenway
Masjid”… Një emocion i fortë më kishte pushtuar zemrën dhe
hera-herës, më dukej se më ushqente me dashuri dhe respekt
karshi tyre. Ata qëndronin të ulur para syve të mi. Ishin të
fiksuar dhe prisnin se çfarë do t’u sillte dersi i kësaj natë
dhe në çfarë brigjesh do t’i merrte përshpirtësisa e tij…
Qëndronin në heshtje dhe prisnin.
Në një moment, mora të flas mbi dashurinë e All-llahut dhe
lidhjen e kësaj nate me ngulitjen e kësaj dashurie në zemrat e
besimtarëve. Dukej sikur Paqeja e kësaj kohe na kishte rrethuar
dhe me butësinë e saj na përkëdhelte ndjenjat dhe emocionet.
Ato, nga ana e tyre, rrezatonin dritë besimi mbi sytë tanë dhe
rrahjet e zemrës, që në momente të caktuara rendnin e rendin
dashurisht, si të çmendura, drejt Tij…
Sa na kishte marrë malli për Natën e Kadrit..! Sa na kishte
marrë malli për frymën e saj..! Sa na kishte marrë malli për
futuhatet e kësaj Nate plot futuhate rabbanite..!
Dersi i kësaj nate në gjuhën shqipe, u mbyll me dëshminë e gruas
besimtare, që nga dashuria e madhe për Krijuesin e saj, thoshte:
“Sikur të më urdhëronte drejt xhehnemit, nuk do ta ndjeja
nxehtësinë e tij, nga dashuria ime për Të! Dhe, sikur të më
urdhëronte drejt xhennetit, nuk do ta shijoja kënaqësinë e tij,
nga dashuria ime për Të, sepse dashuria ime për Të (All-llahun)
më ka mbizotëruar!”
Programi i kësaj natë vazhdoi me faljen e tetë rekateve të para
të teravisë, pushimet e së cilës shoqëroheshin me këndimin e
salavateve mbi Resulull-llahin (a.s). Këndimit të tyre i
paraprinte muezini i xhamisë që pasohej nga disa vëllezër nga
komuniteti turk, të ftuar sonte për të marrë pjesë në programin
e xhamisë së shqiptarëve. Zërat e tyre kombinonin në mënyrë të
atillë sa mendoje se janë një zë i vetëm!
Në një moment, vëllezërit turq morën të këndonin ilahi dhe
salavate, me të cilat ia shtuan bukurinë dhe hijeshinë
atmosferës së krijuar. Ishte një atmosferë e atillë që
rrezatonte madhështinë e kësaj feje! Xhamia e shqiptarëve kishte
mbledhur së bashku në sofrën e Natës së Kadrit, shqiptarë, turq,
amerikanë, indianë, arabë etj, njëzëri dëshmonin Njësinë e Zotit
të kësaj bote dhe dashurinë e pashtershme ndaj të dërguarit të
Tij të fundit, Muhammedit (a.s)! Ishte një atmosferë e
papërshkrueshme besimi!
Më pas, në podium u shfaq imami i xhamisë, që mori të mbante
dersin tradicional të kësaj nate, në gjuhën angleze. Dersi i tij
u pasua nga tetë rekate të tjera të teravisë, pas së cilave, së
bashku me imamin kënduam disa ilahi në gjuhën shqipe dhe
salavate mbi të Dërguarin.
Me katër rekatet e mbetura, u plotësua teravia 20 rekatëshe, që
u mbyll me duanë e imamit, shoqëruar me “amin-at” e të
pranishëmve, që lartësoheshin drejt qiellit për të marrë
përgjigjen e garantuesit të tyre!
Pas një pushim të shkurtër, të gjithë prisnin faljen e namazit
të tesbihëve pas së cilit e kishin radhën dhikret e kësaj nate
dhe duaja e hatmes së Kur’anit, që pata mirësinë t’i drejtoja
nga mihrabi i ndriçuar i xhamisë duke marrë nga drita e tyre e
duke dhënë nga burimi i mirësive që ato rrezatojnë……
Përshkrimi i kësaj nate mund të vazhdojë edhe më tej, pasi
programi i pasur i saj na mbajti të lidhur me mirësitë e saj për
tërë natën. Askush nuk donte të largohej më nga xhamia! Askush
nuk donte që programit të Natës së Kadrit t’i vinte fundit!
Ndoshta, sepse asnjëri prej nesh nuk donte që kjo natë të kishte
fund..!
Në një moment, pasi mesnata kishte hedhur pelerinën e saj mbi
qytet, hodha sytë përreth. Ishte e njëjta pamje. Ishin të
njëjtat fytyra, por… më të dritësuara, më të bardha, më të
zbukuruara me nurin e kësaj nate…
Të gjithë qëndronim në xhami. Ngjasonim me fëmijë të strukur në
prehrin e Natës së Kadrit, natës që vlen më shumë se një jetë…
Ishim bërë fëmijët e saj..!
Muhamed Sytari
| |
|
|
| |
|
|
|
|
|
|