Muhamed Sytari
thirrës islam
Një e xhuma e veçantë në xhaminë e Tophanës
(Shkodër,
e xhuma, më 28 mars 2008 )
Përkujtimi i lindjes së të dërguarit të All-llahut, hazreti
Muhammedit (a.s) në xhaminë e Tophanës, për këtë vit, ka nisur
me aktivitete të larmishme që mbartin në vetëvete mesazhe të
rëndësishme në shërbim të Thirrjes Islame.
Të xhumanë e datës 14 mars 2008, disa ditë para afrimit të datës
së 12 rebiulevvelit (sivjet, 20 mars 2008), pas namazit të
xhumasë, xhematit të kësaj xhamie iu dhurua libri: “Ky
është profeti Muhamed (a.s), i dërguari i Zotit për mbarë
njerëzimin”, i përgatitur për botim nga Instituti
Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (dhuratë e
botuesit për xhematin e kësaj xhamie),
si dhe një stilolaps me shënimin: “Resulullah- në zemrat
tona – Xhamia Tophanë”,
nga fondi i xhamisë Tophanë.
E xhumaja e datës 28 mars 2008, rezervoi një aktivitet të veçantë
për xhematin e
kësaj
xhamie, zhvillimin e një aktiviteti me përmasat e një sesioni
shkencor, personazhet e të cilit, nga ana gjeografike i kalonin
kufijtë e Shkodrës dhe të Shqipërisë, nga ana intelektuale i
kalonin kufijtë e xhamisë, e nga ana besimore kalonin në kufijtë
e ndërfetarizmit...
Pas hytbes së xhumasë mbajtur nga hatibi i kësaj xhamie,
thirrësi islam Muhamed Sytari, u bë falja e xhumasë nën
drejtimin e myftiut të Shkodrës, Imam Ndriçim
Sulejmani. Pas faljes së xhumasë, xhamia mori pamjen e një salle
konferencash, ku para të pranishëmve ishin ulur myftiu i
Shkodrës, prijësi i Mesxhidi Ehli Bejtit, Tiranë, Sheh Qemaludin
Reka, hatibi i kësaj xhamie, studiuesi italian Donato Martuccio,
i Universitetit të Leçes, euroetnologu Gëzim Uruçi dhe thirrësi
islam Lavdrim Hamja.
Në
rolin e organizatorit, hatibi i kësaj xhamie, prezantoi të
ftuarit para xhematit dhe u lut që përkujtimi i lindjes së hz.
Muhammedit (a.s) të shërbejë për të forcuar urat e vëllazërisë
islame, urat e komunikimit ndërfetar e ato të besimit e dijes,
në shërbim të mesazheve udhëzuese me të cilat Islami i drejtohet
njerëzimit.
Sheh Qemaludin Reka, në emër të vëllazërisë Rifaite në Shqipëri
vlerësoi unitetin dhe harmoninë e muslimanëve në mes vete, duke
shprehur gëzimin e tij për pjesëmarrjen në këtë tubim të
vëllazërisë dhe harmonisë islame, në këtë ditë të begatë
përkujtimi të hazreti Muhammedit (a.s).
Studiuesi italian Donato Martuccio, si një mik special i këtij
tubimi, falënderoi
organizatorët
për ftesën, theksoi kënaqësinë e tij për pjesëmarrjen në
aktivitet në xhaminë e Tophanës dhe shprehu dëshirën e rikthimit
në këtë xhami, në mesin e xhematit të përzemërt të saj.
Nga ana e tij, studiuesi Gëzim Uruçi, hodhi dritë mbi traditën
shumëshekullore dhe origjinën e Islamit dhe xhamisë në këtë
lagje të vjetër të Shkodrës. Njëkohësisht uroi të pranishmit për
ditën e madhnueshme të përkujtimit të Vulës së të dërguarve,
Muhammedit (a.s).
Myftiu i Shkodrës, Imam Ndriçim Sulejmani, u lut që aktivitete
të tilla të organizohen
edhe
në të ardhmen sepse, sikurse theksoi, nxjerrin në pah vlerat e
Islamit, mesazhet e të dërguarit Muhammed (a.s) dhe forcojnë
rrallët e muslimanëve dhe harmoninë në mes tyre.
Në fund të këtij aktiviteti, thirrësi islam Muhamed Sytari i
dhuroi Sheh Qemaludin Rekës, studiuesit Donato Martuccio dhe
studiuesit Gëzim Uruçi, emblemën e xhamisë së Tophanës si kujtim
i këtij organizimi me vlera.
Salavati në xhemat përmbi pejgamberin (a.s) uli siparin e këtij
aktiviteti dhe kësaj xhumaje të veçantë, në xhaminë e Tophanës.
Ilir Dizdari, imam i xhamisë Tophanë