Muhamed Sytari
thirrës islam
Një ditë plot aktivitete, lodhje, kënaqësi...
(Shkodër, më 15 shtator 2008)
(Fillimi
i vitit shkollor në medrese, iftari i teqes rifaite,
teravia e gjashtëmbëdhjetë, në xhaminë e Tophanës)
1.
Sot, ishte
dita e parë e vitit të ri shkollor 2008-2009. Edhe në medresenë
e Shkodrës, “Haxhi Sheh Shamia”, gjallëria e nxënësve që vinin
turma - turma në ditën e parë të një viti të ri mësimor, ishte
kryefjalë e ditës.
Selame,
përshëndetje, urime, përqafime, ishin pamja kryesore që të
ofronte kjo ditë e re, që shoqërohej edhe me begatitë qiellore,
shiun e imët që kishte filluar me kohë.
Hapja e
vitit të ri shkollor, u shoqërua edhe me një aktivitet të
shkurtër, ku përziheshin zërat e fëmijëve, me ilahitë dhe suret
e ndryshme kur’anore, përshendetjet zyrtare, fjalimet e rastit
etj.
Zilja e
shkollës, në këtë vit të ri mësimor, nuk vonoi. Ishte sinjali i
parë i një starti të ri, në zemër të një muaji plot mirësi,
begati, përgjigje lutjesh e përshpirtësi të pa përjetuara më
parë.
2.
Pasdite, me
thirrësin islam Lavdrim Hamja, shkuam për vizitë në teqen
rifaite të Shkodrës, ku me ftesë të Sheh Idriz Krujës, do të
merrnim pjesë në iftarin e përvjetshëm që organizon kjo teqe, në
kujtim dhe nderim të vëllazërisë islame.
Në teqe, të
gjithë ishin në këmbë, si në një ditë Bajrami. Lëvizje të
shumta. Njerëz që hynin e që dilnin. Më të rinjtë ishin më të
angazhuar, ndërsa më të moshuarit qëndronin në vendin e pritjes.
Në dhomën e
ndejës, Sheh Idriz Kruja, pasi na uron mirëseardhjen, merr të na
flasë për qëllimin e këtij iftari, dëshirën e mirë për të
bashkuar muslimanët në sofrën e mirësive të Ramazanit dhe
shembullin që duhet të ndjekin besimtarët në shfrytëzimin e
ditëve dhe netëve të tilla për t’u afruar me njëri-tjetrin, për
të parë drejt forcimit dhe perfeksionimit të marrëdhënieve dhe
takimeve të përbashkëta.
Pas një
bisede të përzemërt, sëbashku dalim drejt vendit ku organizohej
iftari, në një prej restoranteve me zë për këto lloj tubimesh,
ku kishin mbërritur edhe myftiu, arqipeshkvi dhe famullitari i
kishës ortodokse. Pas nesh mbërrin edhe prefekti i Shkodrës dhe
personalitete të tjera të qytetit. Iftari i kësaj nate ka
mbledhur shumë njerëz, disa prej të cilëve i shoh për herë të
parë. Thonë se janë zyrtarë e funksionarë lokalë të qytetit.
Gjatë
iftarit, sëbashku me arqipeshkvin e Shkodrës, mons. Angjelo
Masafra, bisedat e ngrohta na marrin drejt urave të dialogut
ndërfetar dhe komunikimit paqësor ndërmjet bijve të dy feve të
mëdha ibrahimite. Në krahun tjetër, qëndronte H. Selim Stafa,
ish-kryetar i komunitetit musliman shqiptar, i cili ndonëse në
moshë të thyer, kishte udhëtuar nga Tirana për të marrë pjesë në
këtë iftar të veçantë.
Sofra e
këtij iftari, me mirësitë e saj, na kishte tubuar dhe na kishte
mbuluar me pelerinën e paqes, harmonisë, dialogut e bujarisë së
këtij muaji që dhuron përtej mendimeve tona e botës ku
jetojmë...
3.
Ndërkohë,
koha e teravisë afron dhe misioni i shërbimit tonë në xhamitë e
ndryshme të qytetit e të fshatit na merr për dore drejt xhamisë
së Tophanës. Ndoshta është edhe ndjenja e obligimit më të madh
ndaj xhamisë time, nga pragu i së cilës nisi tavafi ynë
ramazanor, në dyert e teravisë, xhami më xhami, pesëmbëdhjetë
netë më parë. Si të thuash, kjo ishte nata e parë e gjysmës së
dytë, prej ku po rinisnim një ndërmarrje të re në shërbim të
Thirrjes islame.
Në mihrabin
e xhamisë, qëndronte teologu Admir Temja. Si duket na kishte
paraprirë drejt xhamisë së ndriçuar e të mirëmbajtur si s’ka më
mirë! Safet e mbushura, me të moshuar e të rinj, bëhen gati
dhe... “All-llahu ekber”, rekat pas rekati, teravia e kësaj nate
kthehet në një kënaqësi më shumë për frekuentuesit e xhamisë së
Tophanës.
Pas
përfundimit të namazeve të kësaj nate, e prezantova imamin mik,
para xhematit, të cilët e falënderuan përzemërsisht për këtë
pjesëmarrje të lavdëruar. Kërkesës time për të mbajtur një vasë
për të pranishmit e shumtë, ai iu përgjegj me shumë emocion e
dashamirësi. Ndërkohë, lutjen e mbylljes së adhurimit të kësaj
nate e bëri thirrësi islam Lavdrim Hamja.
Xhemati i
xhamisë së Tophanës, ishte i gëzuar në këtë natë të
gjashtëmbëdhjetë të Ramazanit. Tre teologë, thirrësa islamë,
ngjitur me njëri-tjetrin, në harmoni të plotë, drejtuesë të
këtij xhemati, udhëzonin, jepnin këshilla e luteshin sëbashku. E
ku kishte më mirë se kështu? Xhemati i xhamisë së Tophanës, në
këtë natë të begatë, kishte të drejtë të ishte i gëzuar..!
Nganjëherë,
nuk mjaftojnë vetëm fjalët për të udhëzuar të tjerët e për të
dhënë shembuj pozitivë në jetë! Harmonia dhe mirëkuptimi i
hoxhallarëve të rinj, në mesin e këtyre besimtarëve, ishte
kthyer në vetëvete në një busull orientimi, prej së cilës, të
gjithë kishin çfarë të përfitonin!
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|