“Ngrihu se të ka falur All-llahu” …
("Lutu: All-llahumme falja Jote është më e gjerë se gjynahet e mia...")
"Është obligim në besimin tonë shpresa e madhe
në mëshirën dhe faljen e All-llahut…"[1]
Janë të shumta ajetet kur'anore, që bëjnë fjalë dhe na tregojnë për
mëshirën dhe faljen e Krijuesit të Gjithësisë. Edhe në hadithet
e shumta të Profetit tonë (a.s) gjejmë argumente të shumta në
lidhje me këtë temë.
Mëshirimi, në vetëvete është një prej 99 cilësive të All-llahut
të Madhëruar (esmaul-husna), me të cilat Ai i është prezantuar
krijesave të Tij. Në Kur'an mësojmë se Ai (xh.sh) është:
"Mëshiruesi, Mëshirëbërësi"[2]. Po në
Fjalën e Tij, Krijuesi i Gjithëpushtetshëm, i drejtohet robëve
të Tij, duke i nxitur që të punojnë mirë dhe të mos bëhen
pesimistë ndaj faljes dhe mëshirës së Tij: "Thuaj: "O robërit e
Mi, të cilët e keni ngarkuar veten tuaj me shumë gabime, mos e
humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, pse All-llahu i
falë të gjitha mëkatet. Ai është shumë Falës dhe është
Mëshirues!"[3] Po të vështrojmë me vëmendje
në disa pjesë të këtij ajeti, do të gjejmë një mënyrë shumë të
dashur me të cilën All-llahu i drejtohet robëve të Tij që të mos
humbasin shpresën ndaj mëshirës së All-llahut. Kjo mënyrë
komunikimi, shumë e ngrohtë, hap dyert e thirrjes për mbarë
njerëzit, që kanë gabuar e që kanë devijuar nga rruga e
udhëzimit që të mos harrojnë se dera e madhe e faljes dhe e
mëshirës së All-llahut është përherë e hapur për pendimin dhe
kthimin e tyre të sinqertë.
Po të thellohemi pak më shumë në mrekullitë e Fjalës së All-llahut,
do të mësojmë se Vetë Ai, e ka shoqëruar Madhështinë e Tij
zotëruese ndaj gjithçkaje me mëshirimin. Na mëson: "Mëshiruesi
që qëndron mbi Arsh"[4]! Ai fare mirë mund
të kishte cilësuar një tjetër prej 99 emrave a cilësive të Tij,
por fakti është se All-llahu (xh.sh), në këtë rast, ka përdorur
mëshirimin. Dhe kjo ka ndodhur në më të rëndësishmin dhe më
delikatin komunikim të Madhështisë së Tij gjithëpërfshirëse. Ky
ajet, me gjithë dimensionet e tij, duhet t'i shërbejë çdo
kryefamiljari, çdo drejtuesi, çdo udhëheqësi e çdo njeriu që
qëndron mbi dikë a një grup shoqëror, që të ndërtojë raportet
dhe marrëdhëniet e tij me të tjerët mbi baza mëshirimi, jo
diskriminimi e përbuzje, jo kërcënimi e dhunimi të të drejtave
njerëzore a vetë dinjitetit njerëzor. Ndër muslimanë, kjo
marrëdhënie është esenciale, e kështu duhet të jetë!
Në thesaret e Traditës Profetike, shembujt e mëshirës dhe faljes
së All-llahut, që na i ka mësuar Profeti (a.s) janë të shumtë.
Në njërin prej tyre, tregohet se një burrë erdhi te Profeti (a.s)
dhe i tha: "I shkreti unë për gjynahet e mia!". Profeti (a.s) iu
drejtua: "Lutu: All-llahumme falja Jote është më e gjerë se
gjynahet e mia dhe Mëshira jote është më shpresëdhënëse për mua
se punët e mia". Burri e tha këtë lutje, e Profeti i tha:
"Përsërite" dhe ai e përsëriti. Profeti sërish i tha:
"Përsërite", e ai e përsëriti për të tretën herë. Pas kësaj
Profeti (a.s) i tha: "Ngrihu se të ka falur All-llahu"[5].
Sa madhështore është kjo fjalë: "Ngrihu se të ka falur
All-llahu"[6]. Ajo na mëson të mos harrojmë
moralin e faljes në mes nesh. Ajo na nxit të përhapim mesazhin e
faljes në mes nesh. Ajo na udhëzon që të vishemi me moralin e
lartë të udhëzimeve kur'anore dhe të traditës profetike: "Ngrihu
se të ka falur All-llahu"[7], e të mos
harrojmë se sado të mëdhenj që të dukemi e sado të lart që të
mbërrijmë, përherë do të kemi nevojë të trokasim në dyert e
pendimit e faljes. Me fjalë të tjera: Përherë jemi nevojarë të
mëshirës, e kush është nevojar i mëshirës, mëshiron, fal dhe e
hedh shikimin përtej situatave të një çasti a një momenti, sado
delikat të duket ai, në pamje të parë!
All-llahu i Madhëruar, për të na e bindur zemrën se mëshira dhe
falja e Tij janë të pakufishme, na sihariqon me lajmin e lutjes
së melekëve të Tij të afërt, për faljen dhe mëshirimin tonë:
"Ndërsa ata (melekët) që e bartin Arshin dhe ata që janë përreth
tij, e lartësojnë me falënderim Zotin e tyre, i besojnë Atij dhe
i luten t'i falë ata që besuan (duke thënë): "Zoti ynë, Ti me
mëshirën dhe me diturinë Tënde ke përfshirë çdo send, prandaj
fali ata që u penduan dhe ndoqën rrugën tënde dhe ruaji ata nga
dënimi i xhehennemit!"[8] Kjo do të thotë,
se Ai me Madhërinë e Tij, ka udhëzuar edhe melekët që të luten
për ne. E ne duhet të jemi të sigurt se Ai (xh.sh) e pranon
lutjen e tyre. Ai, s'i kthen pas lutjet e sinqerta. Ah, lutjet e
sinqerta dhe sekreti i tyre…
Transmetohet nga Ebu Hurejra (r.a), se Profeti (a.s) ka thënë:
[Kur All-llahu krijoi krijesat, shkroi në një libër pranë Tij,
mbi Arsh: "Me të vërtetë Mëshira Ime e ka kaluar zemërimin Tim"][9]
All-llahut i lutemi të na udhëzojë drej mëshirës dhe faljes së
Tij. Atij i lutemi të na drejtojë, sa herë që hutohemi, drejt
mëshirës dhe faljes. Atij i drejtohemi, të na ruajë nga
padituria në arsyetim, nga mos arsyetimi në dituri, nga mos
falja në shoqëri e nga shoqëria e atyre që s'e kuptojnë faljen
dhe mesazhet e saj.
"Me të vërtetë Mëshira Ime e ka kaluar zemërimin Tim"[10]…
Shkodër, më 04 prill 2006
[1] Shejkh Abdull-llah Siraxhuddin,
në "Et-tekarrubu ilall-llah", fq, 191.
[2] Kur'ani: 1:3.
[3] Kur'ani: 39:53.
[4] Kur'ani: 20:5.
[5] Transmetuar nga Muslimi.
[6] Transmetuar nga Muslimi.
[7] Transmetuar nga Muslimi.
[8] Kur'ani: 40:7.
[9] Transmetuar nga Bukhariu dhe Muslimi.
[10] Transmetuar nga Bukhariu dhe
Muslimi.