Nga urtësia e Xhejlaniut...
(“Bëhuni të mençur: mësoni, punoni dhe bëhuni të sinqertë!”)
1. “Po e dogje perden e shkakut, ke mbërritur te shkaktari.
Po tejkalove të natyrshmen, të tejkalohet e natyrshmja! Ai që
shërben, i shërbehet! Kush bindet, i bindet! Kush jep, i jepet!
Kush merr të afrohet, afrohet! Kush përulet, lartësohet! Kush
sillet mirë, afrohet! Sjellja e mirë të afron, sjellja e keqe të
largon! Sjellja e mirë është bindja ndaj All-llahut, sjellja e
keqe, thyerja e bindjes!” [1]
2. “Mundohu në rrugën e besimit, pendohu dhe kërko falje!
Dërgoji lotët e syve të rrjedhin faqeve, sepse të qarët nga
frika e All-llahut të Madhëruar e shuan zjarrin e zemërimit të
Tij!”
3. “Po u pendove me zemrën tënde, drita e pendimit të sinqertë
do të shkëlqejë mbi fytyrë”
4. “Bëhuni të mençur: mësoni, punoni dhe bëhuni të sinqertë!”
5. “Sa herë ta ka tërhequr vëmendjen nga shejtani dhe ndihmësit
e tij; nefsi, kapriçot e saj, dëshirat e çthurrura, shoqëria e
keqe?! Ruaju nga të gjithë ata, sepse janë armiqtë e tu! Nuk të
do kush tjetër pos All-llahut të Madhëruar, i Cili të do ty për
ty, ndërkohë që të duan për veten e tyre!”
6. “Vdekja e zemrës vjen si rezultat i hutimit ndaj All-llahut
të Madhëruar dhe përmendjes së Tij! Kushdo që dëshiron ta
ringjallë zemrën e tij, le ta mbushë me përmendjen e Hakut,
miqësinë e Tij, vështrimin në mbretërinë dhe madhështinë e Tij
dhe sesi sillet Ai me krijesat e Tij!”[2]
7. “Përmendja e vdekjes ta pastron zemrën dhe të largon nga kjo
botë dhe krijesat. Të zbulohet perdja nga zemra jote dhe i
shikon krijesat të përkohshme, të vdekshme, të kufizuara! Ata
nuk të bëjnë dëm, as të sjellin dobi!”[3]
8. “Angazhohu me rregullimin e vetes tënde dhe largohu nga
thashethemet, epshet e kësaj bote dhe hallet e saj, sa të
mundesh!”[4]
9. “O ti që e injoron këtë botë, po ta dije të vërtetën e saj
nuk do të rendje pas saj!”[5]
10. “Ai që dëshiron të ecë në rrugën e Hakut, le të edukojë
nefsin e tij para se të nisë rrugën! Luftoje atë derisa të
qetësohet e, kur të jetë qetësuar merre për dore drejt derës së
Tij!”[6]
Shqipëroi nga arabishtja me përshtatje,
nga: “El-fet’hur-rabbani vel-fejdur-rahmani”,
i Shejkh Abdulkadir Xhejlaniut (470-561 h.)
Muhamed Sytari
[1] Fq. 197.
[2] Fq. 208.
[3] Fq. 208.
[4] Fq. 209.
[5] Fq. 209.
[6] Fq. 210. (me përshtatje).