Nga lajmet e hazreti Omerit (r.a)...
(Kur u lajmërua vdekja e tij, njerëzit thonin: “Ishte si të kishte ndodhur kijameti!”)
Omer ibnul-Hattab (r.a) është njëri ndër sahabët më të
njohur e të afirmuar që e besuan dhe e pasuan me besnikëri e
përkushtim Resulull-llahin (a.s). Ai është njëri ndër ata, që
nuk u gjunjëzuan asnjëherë para femohuesve dhe idhujtarëve
mekas, por me trimërinë dhe krenarinë e tij islame doli haptas
kundër tyre, asokohe kur të tjerët fshiheshin (sipas udhëzimeve
profetike). Për këtë dëshmon edhe thënia e sahabiut
Abdull-llah ibni Mes’ud, që deklaronte qartas: “Na u shtua
krenaria qëkur Omeri u bë musliman!”[1]
Omer ibnul-Hattab (r.a) është njëri ndër sahabët më të afërt të
pejgamberit (a.s). Atë e lidh me të dërguarin e All-llahut
dashuria e besimit dhe e përuljes, por edhe lidhje të shumta
materiale. Kështu, ai i ka dhënë pejgamberit (a.s) vajzën e tij
Hafsa, e cila u bë nëna e besimtarëve nga kjo martesë e begatë.
Ndërkohë, Omeri (r.a) është martuar me vajzën e Aliut e Fatimes,
vajzës së Resulull-llahit (a.s), zonjën Ummi Kulthum, prej të
cilës ka patur dy fëmijë, Zejdin dhe Rukajen[2].
Dëshmi të shumta profetike, por jo vetëm, e përshkruajnë
personalitetin e tij, përkushtimin dhe forcën e besimit.
Nëpërmjet këtij punimi dëshiroj të sjell para duarve të lexuesit
një përmbledhje mbi jetën e tij dhe rreth saj, nëpërmjet
citateve të shumta përkufizuese të saj, në mënyrë që ai të ketë
mundësi të lexojë ndryshe nga ç’është mësuar të lexojë për këtë
burrë të shquar të fesë islame, krejt njerëzimit. Në këtë
kontekst, studiuesi amerikan, dr. Majkëll Hart, në librin e tij
“El-mietul-evail”[3], duke folur për
personalitetin e Hz. Omerit (të cilin rendit me numër 51, ndër
100 të përzgjedhurit e tij), shkruan: “Ai ishte personaliteti
kryesor, pas Muhammedit, në përhapjen e Islamit”[4]
dhe kishte të drejtë në gjykimin e tij!
Dëshmitë e Omerit...
Thotë Amr ibnul-As: E pyeta profetin (a.s): “Kush është më i
dashuri i njerëzve për ty?” Tha: “Aishja!” Thashë: “Po prej
burrave?” Tha: “I ati i saj” I thashë: “Pastaj kush?” Tha: “Omer
ibnul-Hattabi”[5]
Transmeton Ibni Omeri dhe Ebu Hurejra (r.a): Ka thënë i dërguari
i All-llahut (a.s): “All-llahu e ka vendosur të vërtetën në
gjuhën dhe zemrën e Omerit!”[6]
Transmeton Ibni Omeri, thotë: Doli Resulull-llahi (a.s) në mes
të Ebu Bekrit dhe Omerit dhe tha: “Kështu do të ringjallemi!”[7]
Transmeton Ebu Xhuhajfe es-Suvai, thotë: Kam dëgjuar Aliun (r.a)
që thoshte: “A t’ju tregoj për më të mirin e këtij ymeti pas
profetit të tij? Ebu Bekri! A t’ju tregoj për më të mirin e
këtij ymeti pas Ebu Bekrit? Omeri!”[8]
Transmeton Enes ibni Malik (r.a), nga profeti (a.s) që ka thënë:
“Më mëshiruesi i ymetit tim për ymetin tim, Ebu Bekri! Më
korrekti i tyre në fenë e All-llahut, Omeri!”[9]
Transmeton Enesi (r.a) se Resulull-llahi (a.s) u ngjit një ditë
në majë të Uhudit, së bashku me Ebu Bekrin, Omerin dhe Osmanin,
kur mali nisi të lëkundej nën këmbët e tyre. I dërguari i
All-llahut i tha: “Qetësohu Uhud! Mbi ty po qëndron një profet,
një siddik dhe dy dëshmorë!”[10], duke
paralajmëruar vdekjen e Omerit dhe të Osmanit si dëshmorë, siç
realisht ndodhi!
Transmeton Said ibni Vekkas (r.a), në një hadith të gjatë, ku
Resulull-llahi (a.s) i thotë Omerit: “O i biri i Hattabit, pasha
Atë që e ka shpirtin tim në dorën e Tij, sa herë që shejtani të
takon duke ecur në një shteg, do të ndjekë një shteg tjetër,
ndryshe nga shtegu yt!”[11]
E pyeti Bilali (r.a) shërbëtorin e Omerit: “Si është Omeri?”
Tha: “Më i miri i njerëzve, por kur nxehet është punë e
madhe..!”[12]
Thotë Ibni Omeri: Kur u godit (për vdekje) babai im, u frikësua
se mos i ka bërë keq ndokujt prej njerëzve, pa e ditur. Për këtë
thirri Abdull-llah ibni Abbasin, të cilin e donte shumë dhe i
tha: “Dua të mësosh për mua gjëndjen e njerëzve”. Ai doli, u
kthye dhe i tha: “O prijës i besimtarëve, me çdo grup që u
takova i gjeta duke qarë, si të kishin humbur sot fëmijët e
tyre!”[13]
Kur u lajmërua vdekja e tij, njerëzit thonin: “Ishte si të
kishte ndodhur kijameti!”[14]
Studioi: Imam Muhamed Sytari
[1] Shejkh Muhammed el-Khudri beg,
“Itmamul-vefa si sirretil-khulefa”, fq. 87, ku përcakton se
citati në fjalë është transmetuar nga Bukhariu etj.
[2] Naxhi dhe Ali Tantavi, “Akhbaru
Omer”, botimi i 11- të, Xheddah, 1999, fq. 364.
[3] Libër që flet për 100 personalitetet
më me ndikim në historinë e njerëzimit. Është përkthyer edhe në
gjuhën shqipe.
[4] Dr. Majkëll Hart, “El-mietul-evail”,
përkthyer në arabisht nga Halid Esad Isa dhe Ahmed Gassan
Sebano, botimi i 7-të, 1996, fq. 163.
[5] Transmetuar nga Bukhariu dhe
Muslimi.
[6][6] Transmetuar nga Ahmedi, Ebu
Davudi, Ibni Maxheh etj.
[7] Transmetuar nga Ibni Maxheh dhe
Tirmidhiu.
[8] Transmetuar nga Ahmedi në “Musned”.
[9] Transmetuar nga Ahmedi në “Musned”
etj.
[10] Transmetuar nga Bukhariu.
[11] Transmetuar nga Bukhariu, Muslimi
dhe Ahmedi në “Musned”.
[12] Abbas Mahmud el-Akkad,
“Mexhmuatul-abkarijjatil-islamijje”, “Abkarijjetu Omer”, Bejrut,
pa vit botimi, fq. 27.
[13] Transmetuar nga Ibni Asakir, nga
Naxhi dhe Ali Tantavi, “Akhbaru Omer”, botimi i 11- të, Xheddah,
1999, fq. 406.
[14] Si te Ibnul-Xheuzi, nga Naxhi dhe
Ali Tantavi, vep. e cit., fq. 419.