Në pritje të
një muaji-nur…
(Një muaj që sjell nur… për ata që e duan dhe e kërkojnë nurin… që duan të bëhen nur..!)
atë që nuk e bënte ditëve të tjera dhe muajve të tjerë.
Ndërsa në dhjetë ditët e fundit
bënte adhurim më shumë se ditëve të tjera"
Muslimi nga Aishja (r.a)
Dhe vjen një muaj…
Njerëzit përballë tij qëndrojnë si para një pasqyre shpirtërore,
ku shihen qartë: e bukura dhe e shëmtuara.
Për disa: muaj i devotshmërisë, i leximit të Kur'anit, i
namazeve nëpër xhami të ndryshme, i sadekave e bamirësive të
panumërta.
Për ca të tjerë: muaj i iftareve, i vrapimit sa lart poshtë për
të përfituar ndonjë ftesë e, për të bërë, në fund të muajit,
bilancin e shijeve dhe llojshmërisë së ushqimeve të tij "ramazanore"
…
Për disa: muaj i teravisë, 20 rekate të ëmbla e çlodhëse për
zemrën (sunnetun muekkedetun), trupin e mendjen, pas një dite
plot sakrifica e luftë me nefsin urdhërues për keq dhe
urdhëruesit për keq, nga njerëzit-shejtanë të palidhur, në një
shoqëri me tendenca diabolike…
Për ca të tjerë: muaj i zhurmave dhe debateve shterpë rreth
numrave 8, 20, 36 apo hiç fare …
Për disa: muaj i dëshirës për t'u afruar me All- llahun,
Krijuesin e gjithësisë dhe Furnizuesin e tyre, me tilavetin e
Kur'anit, me tes'bihët plot dhikër, me buzëqeshjet ndaj
krijesave të Tij, me iftaret për besimtarët…
Për ca të tjerë: muaj i përgojimit të besimtarëve nëpërmjet
gazetave dhe televizioneve: "një plak që për të agjëruar nuk
merr ilaçet, se e ndëshkon All- llahu", një tjetër, që "familja
e detyron të agjërojë, se tavolina shtrohet vetëm në iftar",
…
Për disa: muaj i pendesës dhe i lutjes me një pikë loti në sy,
për të kaluarën, për vesin, për sjelljen, për mendimin e keq,
për paragjykimin, për thashethemin, për…
Për ca të tjerë: muaj i egoizmit dhe i shfrytëzimit të agjërimit
(më shumë formal), për të shfaqur shenjat e "devotshmërisë"
përpara një "xhemati", që as nuk vlen as nuk dëmton…
Për disa: muaj i shtimit të heshtjes, cilësisë së të urtëve,
shoqëruar me mendimin e thellë në mrekullitë e All- llahut
përreth nesh a shenjave të Tij në univers, me të cilat tërheq
vëmendjen e njerëzimit, këtij njerëzimi që shkon çdo ditë drejt
humnerës së mosbesimit a paganizmit të zbukuruar me elementë
monoteistë, ndonëse shenjat po mbushin horizontet…
Për ca të tjerë: muaj i dëfrimit të shfrenuar, i ngrënies dhe
pirjes në mes të ditës, i shfaqjes së "dhimbjeve të stomakut", "të
marramendjes", "të paaftësisë fizike", "të asfiksimit", "të
pamundësisë për të lënë duhanin", e një sërë bashkim shkronjash
brenda dy thonjëzave me pika zifti…
Për disa: muaj i kërkimit të mëshirës dhe mirësisë së All-
llahut, me lutje, agjërim të dëshiruar, i zgjimit në syfyr për
të pritur edhe ezanin e sabahut dhe çka e pason atë, ezanin e
akshamit dhe çka vjen pas tij, me…
Për ca të tjerë: muaj i zgjimit rutin nga gjumi, në mes të natës,
për t'u ulur me sy dhe duar të palara në një tryezë të vdekur
ushqimi e, për të vazhduar më pas gjumin me një kokërr orizi
ndër dhëmbë… I pritjes së iftarit me shfryrje nervash, me britma
dhe ulurima e, pasim i tij, me biseda të stërgjatura pa bereqet
e shenjë mbarësie, plot thashetheme e marrje njerëzish nëpër
gojë, i…
Për disa: muaj i shumëpritur, i shumëdëshiruar...
Për ca të tjerë: muaj i zakonshëm, por dhe imponues...
Për disa: muaj i ndryshimit të programeve vetjake e familjare, i
një farë risistemimi në jetë, i një mundësie për të provuar
ndryshimin, që Vetë All- llahu begaton me te robët e Tij të
përkushtuar ndaj sistemit hyjnor.
Për ca të tjerë: një muaj i rëndomtë e plot bezdi për anarshinë,
që ka përfshirë ditët e tyre, mendësitë e tyre, veprimet e tyre,
vetë ata.
Kështu, vjen një muaj…
Një muaj në të cilin gjendet një natë, e cila është më e mirë se
një mijë muaj, për ata, që mundohen ta fitojnë atë, që e
kërkojnë atë, që familjarizohen me të, që mezi presin ardhjen e
saj dhe kënaqësive shpirtërore, që ajo bart me vete… Sa të
shumta janë!..
Një muaj, në të cilin lidhen shejtanët, por jo nefsi urdhërues
për keq, që lind atë ndjenjë të hirtë, e cila i nxit njerëzit
për të dalë nga natyra e tyre e pastër me të cilën janë brumosur
kohë para ardhjes në këtë botë, nga rregullat e mirësisë, etikës
humane, dijes së vlefshme, përkushtimit të sinqertë…
Një muaj, në të cilin hapen dyert e mëshirës, faljes dhe lirimit
nga dënimi i All- llahut Fuqiplotë. Është muaj gare…
Një muaj, ku zemra gëzon. Lirohet nga prangat e rutinizmit të
ditëve të zakonshme, rinohet me përmendjen e All- llahut, rritet
me ndjesinë e flladeve hyjnore plot mëshirë e falje, që e
përshkojnë, teksa i zoti përgjërohet me lot në sy para derës së
All- llahut…
Dhe vjen një muaj…
Se si m'u kujtua Muaji i Madhërueshëm i Ramazanit, në këtë natë
të 25 Rexhebit (një natë para Israsë dhe Miraxhit)… Një muaj që
sjell nur… për ata që e duan dhe e kërkojnë nurin… që duan të
bëhen nur..!
Muhamed Sytari
Shkodër, më 30. 08. 2005