ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

Në prag të 19 vjetorit të rihapjes së Xhamisë së Plumbit...

(Shkodër, më 15 nëntor 2009) 

 Besimtarë të shumtë muslimanë janë mbledhur pasdrekën e sotme, më 15 nëntor 2009, në oborrin e përmbytur të xhamisë së Plumbit, në përkujtim të 19 vjetorit të rihapjes së saj.
Më 16 nëntor 1990, me qindra mijëra besimtarë morën pjesë në rihapjen e xhamisë së Plumbit duke sinjalizuar në këtë mënyrë rënien e sistemit ateist që drejtonte në Shqipëri. Asokohe, nën drejtimin e Hafiz Sabri Koçit, besimtarët muslimanë shqiptarë kryen ritualet e para të namazit, të lirë nga përndjekja politike, nga presionet ateiste, nga dhuna femohuese e atyre viteve dhe njerëzve të saj.
Në fjalën e tij të hapjes, thirrësi islam Lavdrim Hamja, ka folur mbi rëndësinë e përkujtimit të datave të tilla në fenë islame. Duke iu referuar Kur’anit, ai ka përmendur se vlerësimi i këtyre tubimeve është vlerësim për simbolet e fesë.
H. Faik Hoxha, myfti i Shkodrës (1991-2003), ka përcjellur emocionet e tij në kujtim të viteve të para të rihapjes së aktivitetit fetar në Shqipëri. Njëkohësisht, ai ka vlerësuar kontributin e besimtarëve që u angazhuan në ato vite për mbarëvajtjen e aktiviteteve fetare islame në Shkodër e përtej saj. Njëkohësisht, ai ka kërkuar nga të pranishmit që të përkujtojnë me respekt e nderim ata që nuk jetojnë më nga nismëtarët dhe aktivistët e zellshëm të atyre ditëve të vështira.
Ndërsa imami i xhamisë së Plumbit, H. Mithat Myftija, duke përmendur me respekt datën 16 nëntor 2009, ka ngritur zërin e tij për gjendjen aktuale të xhamisë së Plumbit, për të cilën duket se nuk kujtohet askush, sidomos në prag të 19 vjetorit të rihapjes së saj.
Edhe Imam Muhamed Sytari, ka folur mbi domosdoshmërinë e angazhimit të secilit prej të pranishëmve për të ngritur zërin për hallet e xhamisë së Plumbit. Ai nuk ka lënë pa përmendur përgjegjësinë e drejtuesve të institucioneve fetare dhe politike për gjendjen e mjerueshme të kësaj xhamie. Ai ka përmendur se është detyrë e muslimanëve të mos tregohen të vdekur para interesave të fesë së tyre që janë edhe interesa kombëtare njëkohësisht!
Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë hoxhallarë dhe imamë të xhamive të ndryshme, disa nga aktivistët e parë për rihapjen e xhamisë së Plumbit, besimtarë të shumtë, të rinj.    Aktiviteti në fjalë është ndjekur edhe nga media vizive dhe e shkruar, për ta pasqyruar më pas për publikun e gjerë.

V. Mehmeti

 
 xhamia e plumbit në prag të 19 vjetorit të rihapjes-16 nentor 2009
xhamia e plumbit në prag të 19 vjetorit të rihapjes-16 nentor 2009
xhamia e plumbit në prag të 19 vjetorit të rihapjes-16 nentor 2009
xhamia e plumbit në prag të 19 vjetorit të rihapjes-16 nentor 2009
xhamia e plumbit në prag të 19 vjetorit të rihapjes-16 nentor 2009
xhamia e plumbit në prag të 19 vjetorit të rihapjes-16 nentor 2009