Në botën sufiste të Hafiz Qamil Tresit
(“Hafiz Qamil Tresi- Në gjurmët e një biblioteke që sfidon heshtjen e kohës...”)
Nëpërmjet kujtimeve të shumta të
bashkëqytetarëve të mi të vjetër, familjarëve të tij dhe
besimtarëve që e kanë njohur nga afër, kuptojmë qartë prekjet
mistike në personalitetin e Hafiz Qamil Tresit. (Fenomen prezent
në shumicën e hoxhallarëve të Shkodrës).
Fryma sakrifikuese (muxhahede) që karakterizonte jetën e Hafiz
Qamil Tresit dëshmon qartë për një njeri të veshur me petkun e
devotshmërisë dhe besëlidhjes islame. Në lidhje me këtë në
Kur'anin Famëlartë urdhërohet: "E ata, të cilët sakrifikuan për
hir Tonë, Ne, me siguri do t'i orientojmë rrugës për te Ne, e
nuk ka dyshim se All-llahu është në krahun e besimtarëve"[1].
E duke përmendur natyrën sufiste (mistike) të Hafiz Qamil Tresit,
më duhet të përmend se "Ibn Halduni, kur shoshit natyrën dhe
origjinën e misticizmit thotë: "Influenca mistike ka pas
ekzistuar gjatë kohës së kalifëve të parë... Forma paraprake e
misticizmit përmblidhet në këto (pika): a) Pastërti shpirtërore.
b) Devotshmëri te Zoti. c) Shkelmimi i lukseve të kësaj bote. d)
Përdorimi i jetës tokësore si një stacion i përkohshëm. e)
Përmendja vazhdimisht e Zotit." Autori i famshëm shton edhe se
në periudhën e parë të Islamit shumica e besimtarëve ka pasur
shpirt mistiku..."[2]
Po të lexojmë me vëmendje jetëshkrimin e shumë prej hoxhallarëve
të Shkodrës, do të gjejmë se ka patur shumë prej tyre që kanë
bërë intisab (kanë marrë dorë) në ndonjë prej tarikateve islame
të përhapura në vendin tonë, kryesisht Tixhani, Rifai, etj. Edhe
në jetëshkrimin e myderrizit H. Muhamed Bekteshi, mësuesit të H.
Qamil Tresit, përmendet të ketë qenë pjesëtar i Tarikatit
Tixhani. Kështu, gjurmët sufiste[3] të
gjetura në jetën e Hafiz Qamil Tresit, janë argument i
besnikërisë së tij ndaj traditës së mësuesve dhe hoxhallarëve që
e kanë mësuar dhe e kanë diplomuar me ixhazete të ndryshme.
Në bibliotekën e tij, janë të ruajtura edhe disa faqe të
daktilografuara, mbi të cilat janë shkruar ca ilahi, pa emër
autori, si: "Dobija e rrethit të Dhiqrit", "Paqtim me Perëndinë",
etj. Pas verifikimit të bërë, rezultuan që këto vjersha fetare
të jenë të Sheh Ahmed Shkodrës.
Në ilahinë e titulluar: "Dobija e rrethit të Dhiqrit ", ndër të
tjera shkruhet:
1
Bismil-lahi po filloj,
Dhiqër Zotin kush ka bâ,
ç'ka kâ dobi po diftoj,
n'ahiret edhe n'dyn-jâ
All-llah, All-llah ja Rahman,
derdit t'onë na i bân derman.
2
Zoti na ka porositë,
Dhiqër Zotin shum' me bâ,
gjynahet me na i resitë,
Resuli tha në dyn-jâ.
3
Qi âsht bahçe prej xhen-netit,
Rrethi Dhiqrit në dyn-jâ,
tha Resuli ktij ym-metit,
shkoni Dhiqër për me bâ.
4
Ka thanë Resul'i jonë,
kush bân Dhiqër Perëndinë,
Melekët ata i rrethojnë,
gjynahet për toke ju bienë.
5
Hem Resuli ka urdhenuë,
mallin për sevap me shkri,
hem me anmiq me liftuë,
Dhiqrit s'mundet me ja mbri.
6
Për Ehlidhiqër ka thân,
Melekët i bajnë zijaret,
prej belashë Zoti i shpëton
hem i mbulon me rahmet
7
Zêmrën njeri pa qâruë,
ibadeti dobi s'bân,
Resuli ka urdhnuë,
Zêmrën paq Dhiqri e bân.[4]
Duke e analizuar këtë vjershë fetare (ilahi), shohim qartë
nxitjen për të bërë dhikër, që është ndër urdhëresat më të
përmendura në Kur'anin Famëlartë[5], për
pastrimin e zemrës nga të ligat dhe ndriçimin e saj me dritën e
përmendjes së All-llahut, sikurse jemi urdhëruar edhe në Kur'an:
"Ka shpëtuar ai që është pastruar. Që e përkujton madhërinë e
Zotit të vet dhe falet"[6], krahasimin e
rretheve të dhikrit me lulishtat e xhennetit, sihariqin për ata
që ulen në dhikër, se melekët do të jenë vizitorët e tyre[7],
se dhikri kërkon angazhim të veçantë dhe përkushtim, për
mëshirën e madhe që fitohet nga përmendja sistematike e All-llahut,
për paqtimin[8] dhe qetësimin e zemrës[9]
me përmendjen e All-llahut, etj.
Sidoqoftë, dhikri, në çfarëdo mënyre legjitime që të bëhet,
është i domosdoshëm dhe i dobishëm për të zotin, ndriçues për të
dhe zemrën e tij: "Ta dini se me të përmendur All-llahun zemrat
qetësohen"[10].
Ndërsa në ilahinë e titulluar: "Paqtim me Perëndinë", të të
njëjtit autor[11], thuhet:
1
Bismil-lah un duë,
Ilahi me bâ,
Dhiqrin me kuptuë,
Sirrin me ju pâ.
2
All-llah, All-llah thona;
nuk âsht kush veç Tí,
tthrrasin gjymtyrat t'ona;
të Naltin Perëndí.
3
Semi- All-llah thuej,
Perëndija ndijen,
qepu e mos druej,
ti me Perëndin.
4
All-llah Haj- me thânë,
Zoti âsht i gjallë,
i kam pru imanë,
Zoti na ka ngjallë.
5
Besir- All-llah thuej,
shef ay Perëndí,
shife me sy tuej,
bukurine e Tí.
6
Kadir- All-llah thonë,
Zoti ka kudret
qyre halin t'onë,
merrë pak ibret!!!
7
Myrid- All-llah thuej,
bân murâd çâ don,
e sjell qjellin tuej,
Zoti nga të don.
8
Alim- All-llah thona,
Zoti gjith çâ din,
pesho dijet t'ona,
kqyri se si vín.
9
Qelim- All-llah thona,
Zoti flet pa zâ.
kqyri gjuhët t'ona,
terxhymen jan bâ.
10
Zoti âsht Halik,
jeratis gjith çâ,
thir: Hu ej Ashik,
sirrin m'e ja pâ.
.........
Muhamed SYTARI,
“Hafiz Qamil Tresi- Në gjurmët e një biblioteke që
sfidon heshtjen e kohës...”
[1] Kur'ani: el-Ankebut: 69.
[2] Faik Ali Hoxha-Kasollja, "Në pragun
e misticizmit", Tiranë, 2002, fq. 68-69.
[3] Këtu kam parasysh, natyrën mistike
të Hafiz Qamil Tresit, ilahitë e daktilografuara të Sheh Ahmed
Shkodrës, libra të ndryshëm tesavvufi në bibliotekën e tij,
shkrime ajetesh e lutjesh të ndryshme me dorën e tij, të gjetura
në faqet e shumë librave të bibliotekës së tij, dëshmitë e
familjarëve për angazhimin e tij në bamirësi të ndryshme ndaj
njerëzve, si këndimi i ajeteve kur'anore për të sëmurë të shumtë
që i trokisnin në derë, etj.
[4] Këto vjersha janë pjesë e librit: "Vjersha
fetare- Ilahi", prej Sheh Ahmed Shkodrës (Kryetar' i Federatës
Vllaznis Rifai të Shqipnis), Vlorë, 1927, fq. 49-50. Këto
vjersha janë të ribotuara edhe në monografinë: "Jeta dhe
veprimtaria e Sheh Ahmed Shkodrës", të autorëve Faik Luli dhe
Bujar Shehu, fq. 253-254.
[5] Për këtë dëshmojnë ajete të shumta,
si: "O ju që besuat, përkujtoni All-llahun sa më shpesh"-
(33:41), "Pra ju më kujtoni Mua (me adhurime), Unë ju kujtoj
juve (me shpërblim)"- (2:152), "Ai ju mëshiron juve e edhe
engjëjt e Tij, e për t'ju nxjerrë juve prej errësirave në dritë
dhe Ai ndaj besimtarëve është shumë mëshirues"- (33:43), etj.
[6] Kur'ani: A'la: 14-15.
[7] Është transmetuar nga Ebu Hurejra (r.a)
në Sahihun e Muslimit, se i dërguari i All-llahut (a.s) ka thënë:
"Vërtetë All-llahu ka melekë udhëtarë të zgjedhur, të cilët
prezantojnë në tubimet e dhikrit, dhe kur gjejnë një tubim
dhikri, ata ulen me ta dhe njëri-tjetrin e mbështjellin me
krahët e tyre, kështu që e mbushin gjithë ç'ka mes tyre dhe
qiellit të kësaj bote...".
[8] Në Kur'anin Famëlartë lexojmë: "Ata
që besuan dhe me të përmendur All-llahun, zemrat e tyre
qetësohen; pra ta dini se me të përmendur All-llahun zemrat
qetësohen"- (13:28).
[9] Në Kur'anin Famëlartë lexojmë: "E,
besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të cilëve kur përmendet
All-llahu u rrënqethen zemrat e tyre, kur u lexohen ajetet e Tij
u shtohet besimi dhe që janë të mbështetur vetëm te Zoti i tyre"-
(8:2).
[10] Kur'ani: Rra'd: 28
[11] Pjesë e librit: "Vjersha fetare-
Ilahi", prej Sheh Ahmed Shkodrës (Kryetar' i Federatës Vllaznis
Rifai të Shqipnis), Vlorë, 1927, fq. 76-78.