Natë Kadri…

(përjetim bardhësishë) 

   Kjo natë erdhi e bardhë!.. Bardhësitë e qiellit, zbritja grupe- grupe e melekëve të dritshëm i dhanë dritë e bardhësi kësaj nate të bardhë…

   Qyteti kishte pushuar, kur dola nga xhamia e Perashit i drejtuar nga qendra. Rrugët dukeshin më të bukura. Prehja e kësaj nate të bardhë i kishte zbukuruar ato me mantelin e kënaqësisë hyjnore, që tashmë kishte mbuluar tokën…

   I vetëm, por nuk ndjeja vetmi. Edhe ndonjë rrugicë e errët dritësonte. Edhe kafshët rrugaçe ishin paqësuar në këtë natë. Ato s'lëndonin njeri….

   Lart në qiell mbizotëronte një qetësi paqeje. Retë e nurshme, ndonëse natë, i shtonin bardhësinë melekore kësaj nate melekësh…

   Në librat e tefsirit thuhet se "në këtë natë melekët zbresin grupe-grupe, të përmalluar për të takuar besimtarët e bindur"[1]… Thuhet se ata kërkojnë zemra të pjekura si dashi i miqve të Ibrahimit (a.s) e shpirtra të djegur nga dashuria e malli, nga lutja e përgjërimi, nga kënaqësia e lotit dhe dlirësia e shikimeve plot turp të virgjër drejt lartësive, ku këto zemra e shpirtra kanë një vend të premtuar, që quhet "mekamu sidkin"…

   Qyteti fle nën pushtetin e paqes. Ah, sikur kjo paqe të vazhdojë pambarimisht në këtë qytet të lashtë..!

   Qyteti përjeton paqe. Ah, sikur edhe njerëzit e këtij qyteti ta përjetonin pambarimisht paqen, edhe pse muaji i paqes është bërë gati për një udhëtim të gjatë në kohë…

   Qyteti paqësohet me paqen. Ah, sikur edhe paqësia e kësaj nate dhe mrekullive të saj të zinte vend pambarimisht në zemrat e ndjenjat e njerëzve të këtij qyteti..!

   Por, tablonë e këtij përjetimi të paqshëm, e prish një detaj i dalë në sfond, pa dëshirë por, që konfirmon veten, pa lejen e kujt, si një zhgarravinë e zezë në një tablo të nurshme… Qetësinë e natës e prish një tavolinë në rrugë… Ky qytet ka kohë që është dehur…

   Qyteti do kohë të bëhet esëll. Ah, sikur lutjet e ndokujt, në këtë natë drite t'ia heqin, si me dorë mrekullie, dehjen e tij qytetit me njerëz të dehur…

   Në këtë natë vetëm nata nuk ekziston…

   Në këtë natë vetëm paqja ka pushtet… Ajo sikur të thërret… Ka edhe prej atyre që s'i përgjigjen paqes së qiellit. Kanë fjetur. Bëjnë gjumin e hutimit… Ky qytet ka kohë që është hutuar… Shumë njerëz në këtë qytet janë kthyer në hutim… Ata nuk dinë se kush janë, çfarë duan dhe pse duan… Ah, sikur kjo natë ta kthente hutimin e tyre në udhëzim…

   Në këtë natë, loti që bie në sexhde, në të vërtetë njomë sipërfaqe të zhuritura zemrash të thara nga thatësitë e kohërave me shi të kripur…

   Në këtë natë zëri i dridhur në rukunë e zgjatur të një të riu, në të vërtetë ushton paqësisht dashuri, e cila zë vendin e dashurive të zhvirgjëruara e rrugaçe…

   Në këtë natë lutja e një plaku në heshtje, bën që të dridhet toka e qielli. Heshtja e lutjes së tij kthehet në zhurmë… zhurmë melekësh, që në qetësi e paqe zbresin për të marrë e për të dhënë: Paqe…

   Në këtë natë, sytë e skuqur të një fëmije, që luftojnë me gjumin, vetëm e vetëm për të shtuar hisen e dritës së tij në natën e paqes, ndriçojnë fort e plot dritë. Ata e mundin errësirën. Sytë të lodhur e të rraskapitur për pak gjumë, kërkojnë dritë udhëzimi, faljeje, paqeje…

   Në këtë natë, duart e ngritura nga lartësitë, bëjnë me shenjë se përgjërimi para dyerve të bardhësisë hyjnore, ka mbuluar të zonë…

   Në këtë natë, lutjet e sinqerta për prindërit e të afërmit, bëjnë që edhe ata të jenë prezentë në natën e bardhësive… Ah sikur edhe ata të ishin prezentë…

   Në këtë natë..! Natë e bardhë!..

   Nga xhamia në shtëpi, edhe toka, ku ecin këmbët e mia, është zbutur dhe  është paqësuar në këtë natë paqeje. Asgjë nuk e prishte qetësinë e paqes, as trokitjet e hapave të avashtë të njeriut, që në paqen e tij përjetonte flladet e paqes qiellore që kishte kohë që kishte mbuluar qytetin e tij dhe sipërfaqet e zemrave, që kishin dalë në pritje të saj…

   Nga xhamia në shtëpi, vetëm qetësia e kësaj nate të bardhë m'u bë shoqërues, e sëbashku ndamë momente të paqta drite.

   Ishte nata e njëzet e shtatë e Ramazanit të këtij viti. Bardhësitë e saj, kishin ardhur për të marrë me vete muajin-mik. Kishin ardhur të veshura me bardhësi,  dhuronin bardhësi, bardhësinë e netëve dhe muajve të bardhë…

   Lamtumirë, në natën e paqes, muaj i paqes..!

   Lamtumira ishte kthyer në bardhësi…

 

 

Muhamed Sytari

Shkodër, më 27 Ramazan 1426

30 tetor 2005



[1] Shih tefsirin e Imam Razit, komentimi i sures "El- Kadr".