Muhamed Sytari
thirrës islam
Ruhuni nga muxhtehidët
e rinj!
(...rishikim
është për ato
çështje që kanë ndodhur dhe kanë dalë
pas shkrimit të këtyre vendimeve...)
Cila
është rruga juaj në fikh dhe përse?
"Rruga ime në fikh është rruga e Ebu Hanifes, medh'hebi Hanefi.
Jam lindur në këtë medh'heb dhe kam marrë mësimet e para po në
këtë medh'heb. Pastaj kam parë se medh'hebi i Ebu Hanifes ka
qenë që në kohët e tabiinëve, përpara të gjitha medh'hebeve.
Ebu Hanife ka qenë i pastër në besim dhe ka shkruar në këtë dije,
jo si medh'hebet e tjera.[1]
Ai ka pasur përherë një këshillë të përbërë prej 40 dijetarësh,
me të cilët studionte çështje të vështira, derisa arrinin në
vendime përkatëse.
Me studimet e mia të vjetra e të reja, kam gjetur se ky medh'heb
është me të vërtetë më i pëlqyeshmi, por në të njëjtën kohë nuk
përbuzi tre medh'hebet e tjera.
Ai që merret me libra të pëlqyeshëm, lexon mirë, me aftësi dhe i
pajisur me dije dhe
mirëkuptim, si dijetarët e mëdhenj të katër medh'hebeve, do të
përfitojë një qëndrim në këtë medh'heb, si dhe respekt dhe
nderim për tre medh'hebet e tjera".
A mendoni se ka nevojë për një rishikim në disa libra të fikhut,
në përgjithësi?
"Nevoja për një rishikim është për ato
çështje që kanë ndodhur dhe kanë dalë pas shkrimit të këtyre
vendimeve, për arsye se faktet janë të caktuara, kurse ndodhitë
e reja nuk kanë të sosur. Vërtetë, kemi nevojë të shkruajmë dhe
të sqarojmë më tepër se të vjetrit, për çështjet e kamatës dhe
dëmet e saja të shumta. Kemi nevojë të shkruajmë e të sqarojmë
edhe më tepër shumë gjëra për rregullimin e zekatit.
Kemi nevojë të përshkruajmë me hollësi disa çështje në lidhje me
marrëdhëniet tregtare dhe fitimin nga mallrat pa kamatë e pa
dredhira. Kemi nevojë të shkruajmë më gjatë në lidhje me
marrëdhëniet bashkëshortore në Islam, mënyrat e mëkëmbjes së
familjes, si formohet dhe si ruhet dhe nëse vjen puna për t'u
prishur kjo martesë, çfarë rregullash duhen ndjekur, rregullat e
trashëgimisë, etj. Kemi nevojë të shkruajmë me qartësi për bazat
juridike islame në lidhje me familjen dhe të drejtat dhe detyrat
e anëtarëve të saj. Kemi nevojë të shkruajmë për disa çështje të
reja me shpirtin e fikhut, si për shembull çështja e
siguracioneve (te'min)
ose transplantimi i organeve të ndryshme të gjalla të trupit të
njeriut, etj. Me pak fjalë kemi nevojë të shkruajmë fikhun me
shpirtin dhe dogmat e vjetra, me gjuhë të re, duke shtuar
njëkohësisht edhe disa gjëra të reja, përfshi këtu edhe
rishikimin e atyre çështjeve të vjetra pa fakte e argumente në
librat përkatës. Mirëpo këtë gjë e bën vetëm një i përsosur në
fikh, i lidhur me ato tema nëpër faqet e librave të vjetër si
dhe një që merret rregullisht me librat e pëlqyer të medh'hebit".
Cili është dallimi ndërmjet dijetarit (muxhtehid[2])
dhe pasuesit (mukal-lid[3])?
"Dallimi ndërmjet muxhtehidit dhe mukal-lidit qëndron në faktin
se i pari është një person që duhet ta dijë mirë Kur'anin, ose
ta dijë përmendësh atë, të lexojë dhe të dijë përmendësh
gjithashtu shumë hadithe të Pejgamberit (a.s) në lidhje me
çështjet juridike (fikhun),
duke ditur njëkohësisht edhe gradën e tyre. Të ketë dije për
dogmat e fshira (mensukh)
në mbështetje të dogmave të reja (nasikh),
si për shembull: Ndalimi i pijes dehëse në mënyrë absolute, edhe
pse për herë të parë në Kur'an ka ardhur ndalimi i hyrjes në
xhami i dehur, por ky vendim është fshirë më pas me ndalimin e
pijes gradualisht deri në vendimin përfundimtar me ndalim
absolut (hurmet),
duke u bërë vendimi i ajetit të parë i fshirë (mensukh)
me një ajet tjetër vijues në vendim. Sigurisht që kjo çështje (ixhtihadi[4])
është e vështirë, për marrjen e vendimeve.
Muxhtehidi duhet të ketë dije për atë që kanë thënë sahabët dhe
dijetarët e njohur për një çështje, në mënyrë që të arrijë në
ixhtihad. Duhet të njihet nga dijetarët e tjerë të njohur, për
dije, përkushtim, sinqeritet, adhurim dhe mirësjellje. Fjala
muxhtehid është shumë e lehtë për t'u shqiptuar, mirëpo
vështrimi dhe mbërritja e tij është e largët dhe e vështirë dhe
shumë pak janë ata që e arrijnë këtë gradë, ndonëse dyert e tij
janë të hapura për trokitësit e tyre.[5]
Dikush, nga të rinjtë sot, shitet se ka arritur në këtë gradë,
mirëpo fjala e tij nuk peshon te dijetarët, për arsye se këta
pretendues të ixhtihadit, janë bosh dhe s'kanë asgjë.
Ndërsa taklidi është pranimi i fjalës dhe vendimit të
muxhtehidëve, pa kërkuar për dogmat dhe pa i mësuar ato, ose
duke i mësuar ato por pa arritur deri në gradën e ixhtihadit.[6]
Prandaj nuk është çudi kur shohim se shumë dijetarë të mëdhenj
të ymmetit kanë qenë mukal- lidë, si: Imam Tahaviu, që njihet
për libra të mëdhenj në hadith, megjithatë ai ka qenë Hanefi, d.
m. th, ka pasuar Ebu Hanifen në ixhtihadin e tij. Ose Imam
Mahmud el- Ajni, që ka komentuar librin e saktë të Bukhariut në
hadith, në 25 vëllime me titull "Umdetul-
Kari'", ka qenë mukal- lid. Po ashtu thuhet edhe për
Imam Ahmed Ibni Haxher el- Askal-lanin, që e ka komentuar
gjithashtu librin e Bukharit, duke e titulluar "Fet'hul-
Bari" në 13 vëllime, që ka qënë mukal- lid i Imam
Shafiiut. Ose Abdull- llah ibnu Vehbi dhe Muhammed ibnul- Kasim,
që kanë qenë mukal- lidë të Imam Malikut.
Ose Muhammed ibnu Kudame, autor i librit të njohur "El-
Mugni", në 13 vëllime, që ka qenë mukal- lid i Imam
Ahmedit. Edhe Ibni Tejmijje, ka qëndruar hanbeli, me disa veçime,
me të cilat ka lënë medh'hebin duke gabuar në vendime, si për
shembull: Ndalimi (haram)
i daljes për udhëtim me qëllim vizitimin e Pejgamberit (a.s),
siç ka pasur edhe disa gabime të trasha edhe në besim (akide).
Vërtetë se dijetarët e tjerë të lartpërmendur nganjëherë
kundërshtojnë ndonjë çështje (mesele)
në medh'hebin përkatës, me faktin që kanë, mirëpo asnjëherë nuk
kanë pretenduar se janë muxhtehidë.
Një gabim të rëndë bëri edhe Ibni Hazmi, dijetar i shekullit të
pestë, që pretendoi ixhtihadin, duke kundërshtuar dijetarët
muxhtehidë, në mospranimin e konsensusit të dijetarëve (ixhma')
dhe analogjisë (kijas),
prandaj mbërriti në disa vendime, me të cilat vinte në lojë
dijetarët. Për fat të keq sot disa të rinj po mashtrohen pas
fjalës së tij jo të ndershme kundra medh'hebeve, e në veçanti
kundra Ebu Hanifes (r.a). Pas gjithë kësaj, themi se një
dijetari të lartë me kushtet e dijes i lejohet të zgjedhë disa
vendime jashtë medh'hebit në bazë të dogmave që ka, mirëpo
frikësohemi se mos bie në gabim, sikurse e dimë për Ahmed
Shakirin, për hoxhën tonë Nasirin, që ka kundërshtuar veten e
tij në shumë hadithe, të cilat i ka pëlqyer në një libër e i ka
refuzuar në një tjetër.[7]
Një gabim të rëndë që ka bërë, është se ka pranuar fjalën e një
tabiiu ish- jehudi, Ka'b el Ahbar, që ka thënë se një derhem
kamatë është më rëndë se me kurvëru 36 herë. Shejkh Shuajbi[8],
ia nxorri këtë gabim, sikurse edhe Hasan Sakkafi, i cili i ka
gjetur me qindra gabime në librat e tij.
Këtu ju them:
Ruhuni nga muxhtehidët e rinj!
Këtë e them në bazë të studimeve të gjata në libra e revista të
ndryshme".
Nga monografia e thirrësit islam Muhamed Sytari:
“Vehbi
Sulejman Gavoçi- dijetar nga dijetarët e ymmetit”,
Prishtinë 2005.
[1]
Njihet sot në botën islame libri i madh i Ebu Hanifes në
akaid (besim) "El- fikhul- ekber", që më pas është
sqaruar dhe komentuar nga dijetari i madh i medh'hebit
Hanefi dhe i ymmetit musliman, Molla Ali el Kari, "Sherhul-
fikhil- ekber". Pastaj Shejkh Vehbiu ka bërë një tjetër
sqarim të këtij libri, në një vëllim prej 560
faqesh, të titulluar "Minehurr- rreudil- ez'her
fi sherhil- fikhil- ekber", botuar në vitin 1998. Një
vit më vonë,
po Shejkh Vehbiu ka bërë një tjetër libër në
vijim të kësaj vepre, të titulluar "Mesail fi flmit-
teuhid", në 88 faqe.
[2]
Muxhtehid:
Personi që ka aftësi për të bërë ixhtihad, është ai që
ka mundësi të përdorë rregullat juridike islame dhe
kthimin e tyre në rrugë për kuptimin e vendimeve dhe
përfitimin e tyre nga argumentet e ndryshme. (Shih:
Prof. Dr. Vehbe Zuhejli, "Usulul- fikh", fq. 10).
[3]
Mukal- lid:
Quhet ai person që pason një tjetër në atë që thotë apo
vepron duke besuar në saktësinë e tij pa shikuar apo
medituar në argument.
Ose: Pranimi
i thënies së tjetrit, pa argument. (Shih: Esh- Sherif
Ali ibn Muhammed Exh- Xherxhani, "Kitabut- ta'rifat", fq.
64).
[4]
Ixhtihad:
Quhet përpjekja për nxjerrjen e vendimeve juridike
islame nga argumentet e shkoqitura në Sheriat. (Shih:
Prof. Dr. Vehbe Zuhejli, "Usulul- fikh", fq. 217).
[5]
Në lidhje me pyetjen se a është e hapur sot, dera e
ixhtihadit apo jo, dr. Muhammed Said Ramadan el- Buti,
në librin e tij "El- lamedh'hebijjetu", përgjigjet: "Dera
e tij ka qenë e hapur dhe vazhdon të jetë…Askush nuk ka
në dorë ta mbyllë atë…Ai ka pasur kushtet dhe rregullat
e tij dhe vazhdon t'i ketë…Askush nuk e ka në dorë të
lozë me ta, sot…".
[6]
"Nëse thuhet: A duhet që muslimani të bëjë taklid një
nga katër medh'hebet? Do të themi: Madje e ka për
obligim një gjë të tillë, sado që është i paaftë të bëjë
ixhtihad në argumentat e vendimeve juridike islame…".
Shih: Dr. Muhammed Said Ramadan el Buti, "El-
lamedh'hebijjetu".
[7]
Për këtë shih edhe librin e Shejkh Vehbiut "Njohuri
rreth Kur'anit, Syneti e bidati"- Shkodër 1999, fq. 133,
që pata mirësinë e redaktimit dhe përkujdesjes për
botimin e tij.
[8]
Shuajb
Muharrem Arnauti, lindi në qytetin e Damaskut në
vitin 1928. Në familjen e tij, ku tradita shqiptare dhe
kultura islame ishin gjithnjë të pranishme, (Shejkh)
Shuajbi mësoi nga i ati dijet elementare të Islamit. Nga
mosha 17 vjeçare, për më tepër se 10 vjet radhazi Shuajb
Efendiu vazhdoi të ndjekë ligjëratat e gjuhës nëpër
xhamitë dhe medresetë e vjetra të Damaskut…Nga mësuesit
e tij më të njohur, prej të cilëve mësoi dijet e gjuhës
arabe, ishin: Muhammed Salih Farfur, Arif Ed- Devxhi,
Sulejman Gavoçi etj…
Kështu (Shejkh) Shuajbi i kaloi më tepër se shtatë vjet
duke mësuar Usuli Fikhun, Tefsirin e Kur'anit, Mustalah
Hadithin, leximin e librave të moralit, etj. Është kohë
kjo kur i kishte kaluar të tridhjetat…
Në Bibliotekën islame të Damaskut, ndenji afro 20 vjet
plot dhe gjatë kësaj kohe hulumtoi, identifikoi dhe
korigjoi mbi 70 vëllime librash të ndryshëm me karakter
historik, fetar dhe letrar…
Shuajb Efendiu, edhe pse i lindur jashtë atdheut e
jetuar atje, flet rrjedhshëm gjuhën shqipe. Pas viteve
'90 ka vizituar Shqipërinë, të cilën asnjëherë nuk e
harron"- (Shih: Dr. Ramiz Zekaj, "Zhvillimi i kulturës
islame te shqiptarët gjatë shekullit 20", ribotim,
Tiranë, 2002,
fq. 355- 358).