ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

“Muhtasar Sahihul-Buhari”

(Ky libër është si një torçë udhëzimi për çdo musliman shqiptar) 

 

Ndikimi i librit “Muhtasar Sahihul-Buhari”

në jetën e përditshme të një muslimani shqiptar

 

Libri “El-xhamius-sahih” i Imam Bukhariut, është padyshim një ndër librat më të rëndësishëm të fesë tonë, ndër më të dobishmit për shoqërinë islame, por jo vetëm.

I përmbledhur në “Muhtasarin” e Imam Zubejdit dhe i përkthyer në gjuhën shqipe, ai hyn në mënyrë të drejtpërdrejtë në listën e librave më të rëndësishëm islamë pas Kur’anit Famëlartë në bibliotekën e madhe të librit islam në gjuhën tonë.

Ky libër që kemi para duarve, përherë ka tërhequr vëmendjen e studiuesve dhe hulumtuesve të shumtë jo vetëm të hadithit profetik por edhe përtej tij, duke u bërë në këtë mënyrë një ndër librat më të kërkuar si pikë referimi në studimin e fesë islame nga njëri prej dy burimeve të saj kryesorë; fjala e të dërguarit të All-llahut.

Në fjalën time sot, do të përmend disa aspekte të ndikimit që ka ky libër në jetën e përditshme të një muslimani. Kështu, me mbarësinë e All-llahut, them se: Leximi dhe studimi i përmbledhjes së haditheve të Imam Bukhariut, nxit më së miri për:

1. Besimin dhe respektimin e të dërguarit (a.s), duke u bërë kështu shembulltyra kryesore për muslimanin në jetën tij.

2. Vlerësimin dhe ruajtjen e Sheriatit islam.

3. Ndërtimin e individit dhe shoqërisë islame.

Më lejoni të zbardh para jush, secilën prej pikave të lartpërmendura.

 

1. Besimi në profetin Muhammed (a.s), respektimi dhe pranimi i tij si shembulltyrë e individit dhe shoqërisë islame:

 

“Besimi në dërgesën profetike të hz. Muhammedit (a.s) na obligon me dorëzimin absolut para asaj më të cilën është dërguar, vërtetimin e tij, bindjen dhe nënshtrimin ndaj urdhëresave dhe ndalesave të tij, pa asnjë mëdyshje, ngushtim, konfuzion a kapriço spontane”[1]

Për këtë, argumentet kur’anore janë të shumta. Po përmend disa prej tyre:

  • “Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit, për të shpresuar mëshirën (e Allahut)”[2]

  • Thuaju (o Muhamed): Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu t’ju dojë dhe t’jua falë  gjynahet!”[3]

  • Kush i bindet të Dërguarit, i është bindur Allahut”[4]

  • Ndërsa përgjigjja e vetme e besimtarëve, kur thirren tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, që ai të gjykojë në mes tyre, është: Dëgjojmë dhe bindemi! Pikërisht këta janë të shpëtuarit”[5]

  • Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj”[6]

Këto ajete kur’anore dhe shumë të tjera brenda këtij konteksti, janë argument i qartë dhe i mjaftueshëm për të vërtetuar obligimin e muslimanit ndaj shembulltyrës së Resulull-llahit (a.s) në jetën e tij.

E duke lexuar dita ditës, fjalët dhe porositë e shumta të sinqerta e plot dobi, me të cilat Resulull-llahi i drejtohet çdo muslimani, ai kupton qartë dashurinë e vetë profetit për njeriun në përgjithësi, muslimanin në veçanti. Kupton lartësinë e mendimit dhe këshillës së tij (a.s). Kupton dëshirën e tij të madhe për udhëzimin e njerëzisë. Kupton sinqeritetin dhe përulësinë me të cilat ai Zotëri (a.s) u komunikon njerëzve fjalën e Zotit dhe porositë e zemrës së tij të madhe. E si të mos jetë shembulltyrë për muslimanin, më i dashuri i krijesave të All-llahut? Zotëria i bijve të Ademit? Imami i të dërguarve, vula e tyre? Ndërmjetësuesi në ditën e gjykimit? Ai, që na deshi pa na parë dhe u lut për ne pa e ndjerë? Ai, që në momentet e fundit të jetës së tij u thoshte njerëzve të tij të afërt: "…pastaj jepini selam prej meje vëllezërve tuaj që munguan dhe kujtdo që do të hyjë në fenë tuaj pas meje. Ju dëshmoj se unë u jap selam atyre dhe kujtdo që do të më ndjekë në fenë time nga kjo ditë e deri në ditën e kijametit".[7]

 

2. Ruajtja e Sheriatit islam

 

Në Kur’anin Famëlartë thuhet: “Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kur’anin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë”[8]. Ndërsa vetë profeti (a.s) ka thënë: “Unë ju kam lënë juve Kur’anin dhe fjalët e mia. Mbështetuni në to, se kurrë nuk do të humbni”[9].

Në komente të ndryshme të ajetit të lartpërmendur, dijetarët kanë sqaruar se përveç ajeteve të Kur’anit, edhe hadithi profetik ka garancinë e All-llahut për të mos devijuar e për të mos humbur. Ajo që e vërteton më së miri këtë pohim është edhe libri që po promovojmë sot. Ai dëshmon dukshëm dorën hyjnore që mbron nga fshirja dhe devijimi fjalën e të dërguarit të Tij, që është shtylla e dytë mbi të cilën ndërtohet feja islame dhe Sheriati i saj.

Duke lexuar hadithin profetik, përmbledhjen e “Sahihul-Bukharit” në veçanti, muslimani shqiptar ka mundësinë të lexojë rregullat e fesë së tij dhe t’i nënshtrohet asaj. Të lexojë të lejuarat dhe të ndaluarat dhe të ndalet në kufijtë e tyre etj.

Nëpërmjet kapitujve të shumtë që përfshijnë vendimet profetike mbi çështje të ndryshme që lidhen me jetën e përditshme të muslimanit, ai kupton qëndrimin e fesë së tij në lidhje me çdo paqartësi. Në këtë mënyrë, duke respektuar kufijtë e Islamit, duke rritur gradët e përkushtimit, ai ruan njëkohësisht edhe fenë duke u bërë një garant i denjë i saj me veprat dhe sjelljen e tij.

 

3. Ndërtimi i individit dhe i shoqërisë islame

 

I shkroi Jahja ibn Muadh, Jezid Bestamiut duke i thënë: "U deha, kaq shumë kam pirë nga gota e dashurisë së Tij". Ebu Jezidi ia ktheu: "Të tjerë kanë pirë detrat e qiejve e të tokës dhe akoma s'u është shuar etja. Ata thonë: A ka më..?"[10]

Duke lexuar hadithet e sakta të profetit Muhammed (a.s), në përmbledhjen e tyre në gjuhën shqipe, muslimani shqiptar ka mundësinë më të mirë të prekë prej afër shpirtin e madh ndërtues me të cilin u dërgua “mëshira e dhuruar”, hz. Muhammedi (a.s). Nëpërmjet udhëzimeve të tij, muslimanit shqiptar i afrohet një mundësi e madhe për të ndërtuar veten sipas porosive të më të dashurit profet! Nëpërmjet kësaj, i jepet mundësia për të arritur gradën e sahabiut që i drejtohej profetit (a.s), në ndodhinë e transmetuar nga Tabaraniu[11] nga Aishja (r.a) që ka thënë: "Erdhi një burrë te Profeti (a.s) dhe i tha: "O i dërguar i All- llahut, ti je më i dashur për mua se vetja ime e fëmija im, saqë kur jam në shtëpi dhe të kujtoj, mezi duroj sa të vij e të shoh. Por, kur kujtoj vdekjen time dhe tënden, e di mirë se kur të hysh në xhennet do të jesh me profetët, e nëse unë hyj në xhennet, kam frikë se s'do të të shoh". Profeti (a.s) s'i ktheu përgjigje, derisa erdhi Xhibrili me këtë ajet: "E kushdo që i bindet All-llahut dhe të dërguarit, të tillët do të jenë së bashku me ata që All-llahu i shpërbleu: (me) Pejgamberët, besnikët e dalluar, dëshmorët dhe me të mirët. Sa shoqëri e mirë janë ata!"[12]

             

Ky libër është si një torçë udhëzimi për çdo musliman shqiptar, i cili dëshiron të perfeksionojë besimin dhe fenë e tij. Nëpërmjet haditheve të shumta të përzgjedhura nga imam Zubejdi në këtë përmbledhje të çmueshme nga libri i famshëm i Imam Bukhariut, kemi mundësinë të marrim drejtpërsëdrejti nga burimi i pastër i Resulull-llahit (a.s), të përfitojmë prej tij dhe ta përhapim këtë mirësi edhe tek të tjerët.

E teksa e marr nëpër duar këtë libër të çmuar, e shfletoj, e hulumtoj dhe përfitoj nga përmbajtja e tij, më vjen ndër mend dijetari i madh i kohës së tabiinëve, Said ibnil-Musejjib (105 h.), i cili i etur për dituri, në mungesë të librave të kësi soji, thoshte: “Kam udhëtuar ditë e netë të tëra në kërkim të një hadithi të vetëm![13] dhe e falënderoj All-llahun që mundësoi përkthimin e këtij libri shumë të nevojshëm për bibliotekën islame në shqip dhe lutem mbarësi e mirësi për zbatuesit e këtij projekti qytetërues, drejtuesin e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam, dr. Ramiz Zekaj dhe bashkëpunëtorët e tij të zellshëm!

 

            Faleminderit!

 

Muhamed Sytari

 

Shkodër, më 28 maj 2009

Ndikimi i librit “Muhtasar Sahihul-Buhari”
Ndikimi i librit “Muhtasar Sahihul-Buhari”
Ndikimi i librit “Muhtasar Sahihul-Buhari”
Ndikimi i librit “Muhtasar Sahihul-Buhari”
Ndikimi i librit “Muhtasar Sahihul-Buhari”


[1] Dr. Abdulkerim Zejdan, “Usulud-dave”, botimi i 8- të, Bejrut, 1998, fq. 33.

[2] Ali Imran: 132.

[3] Ali Imran: 31.

[4] Nisa: 80.

[5] Nur: 51.

[6] Hashr: 7.

[7] Transmetuar nga Bezzari, nga Abdull- llah ibni Mes'udi (r.a).

[8] Hixhr: 9.

[9] Transmetuar nga Hakimi, nga Ebu Hurejra (r.a).

[10] "Er-Risaletul-Kushejrijje", fq. 325.

[11] Marrë nga: "Hajatus- sahabe", i Shejkh Muhammed Jusuf el- Kandehlevi, v. 2, fq. 317.

[12] Nisa: 69.       

[13] Dr. Subhi Salih, “Ulumul-hadithi ve mustalahuhu”, botimi i 19- të, Bejrut, 1995, fq. 54.