ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

Muaj i madh po na vjen, ta presim si duhet!..

("...përveç agjërimit. Ai është Imi dhe Unë e jap shpërblimin për të") 

A e ke pyetur veten, lexues i nderuar besimtar: A është zemra ime e gatshme dhe në gjendje të presë muajin e madhërueshëm të Ramazanit dhe mirësitë e tij të mëdha?

A e kam pastruar zemrën time nga hijet e gabimeve ditore, të dukshme e të padukshme, për të qenë zemër e dobishme, si ajo që i vlen njeriut ditën e Gjykimit, sepse: "Vetëm kush i paraqitet Zotit me zemër të shëndoshë"[1], do të gëzojë në atë botë…

A po përgatitem shpirtërisht e moralisht që të hyj në një kurs 30 ditor për të eliminuar shumë nga veset dhe kapriçot e ndryshme, të cilat më kanë shoqëruar për sa e sa ditë me radhë, apo do t'i lejoj vetes që të rri pa ngrënë e pa pirë, vetëm e vetëm se thonë se është Ramazan e që në fund të fundit do të meritoj një dëshmi ku poshtë emrit tim të shkruhet: "I falimentuar i ummetit tim është ai që vjen në Ditën e Gjykimit me namaz, me agjërim, me zekat, por njëkohësisht ai ka sharë atë, ka shpifë këtë, ka ngrënë pasurinë e atij, ka derdhur gjakun e këtij, ka rrahë tjetrin, atëherë i jipen këtij e atij (atyre që i ka dëmtuar) prej të mirave të tij dhe nëse harxhohen mirësitë e tij para se t'u paguhen borxhet, atëherë do të merren prej mëkateve të tyre dhe do t'i ngarkohen këtij, pastaj edhe ky do të hedhet në zjarr"[2]?

Apo do të mundohem që në këtë kurs hyjnor të jem sa më i zellshëm e sa më i vëmendshëm në mësimet e tij, që në fund të dal me rezultatet më të mira të dëshmisë ku mbi të cilën është shkruar: "Çdo punë e birit të Ademit është e tij, përveç agjërimit. Ai është Imi dhe Unë e jap shpërblimin për të"[3]!

Përse nuk e pyet veten agjëruesi se përse agjëron? Kujt i plotëson dëshirën dhe përse? Përse ndalohet nga qejfi kur shumë mirë mund ta veprojë pa e parë njeri?

Të gjitha këto pyetje, e të tjera si këto njeriu besimtar duhet t'ia drejtojë vetes së tij për të arritur në një përgjigje: Për All- llahun, Zotin e njeriut e të gjithçkaje. Atij që e krijoi njeriun të dobët dhe e pajisi me organe e shqisa që të rezistonte në këtë jetë i fortë, për ta ndërtuar atë sipas mësimeve të Tij. Për All- llahun vetëm për Të!

 

I nderuar lexues,

A i ke parë dy të dashuruar që vrapojnë pas njëri- tjetrit? Nëse i dashuri yt të kërkon që t'i vish pas mesit të natës, pa dyshim që do t'i shkosh. Nëse të kërkon të ngjitesh në mal se atje do ta gjesh duke të pritur, pa asnjë mëdyshje që do të ngjitesh në vendin e caktuar, madje disa minuta para orarit të caktuar. Përse?

Sepse dashuria e tij qëndron e ulur mbi fronin e zemrës tënde…

Njeriu me agjërimin e tij tregon se dashuria për Krijuesin është shumë herë më e madhe se ajo për një krijesë cilado qoftë ajo, pasi ajo që njeriu bën për të zbatuar dëshirën e të dashurit të tij, është argument për këtë që them.

"O ju që besuat! Kush largohet prej nga feja e vet (i bën dëm vetes) s'ka dyshim se All-llahu do të sjellë një popull që Ai e do atë (popull) dhe ata e duan Atë (Zotin)…"[4]

Pikërisht mesazhi i dashurisë që sjell Ramazani duhet të mbizotërojë në frymët e besimtarëve që kjo farë e bekuar të japë frutat e saj në çdo aspekt dhe fushë të jetës tonë, sepse më shumë se kurrë sot, ne jemi nevojtarë të dashurisë, ambjentet tona kanë nevojë për dashuri që të zëvendësojë intrigat, hilet, mashtrimin, dyfytyrësinë, indiferentizmin ndaj të dobishmes, etj.

Ambjentet tona, ku jetojmë e punojmë çdo ditë, kanë nevojë për "agjërimin e Ramazanit", për t'u pastruar nga ndotësirat e mendësive të kalbura e të vjetërsuara, për t'u zëvendësuar pastërtinë e gjithëanëshme. Ramazani, nuk duhet të na gjejë si zakonisht në rutinë, por në lëvizje e pendim, sepse ditët e kësaj bote janë të shkurtra, e një ditë do të pyetemi për çdo gjë…

 

Të nderuar lexues,

Po vjen një muaj, agjërimin e të cilit Krijuesi ynë na e ka obliguar, duke na thënë:

"O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm"[5]dhe sikur thotë dijetari i njohur El- Iz ibn Abdus- Selam: "Në mënyrë që ju të ruheni nga zjarri me agjërimin e këtij muaji, sepse agjërimi i tij është shkak i faljes së gabimeve që obligojnë zjarrin".[6]

Ky është muaji i afrimit të muslimanëve me njëri- tjetrin, muaji i pastrimit të zemrave dhe i faljes...edhe i atij që dashje pa dashje të ka fyer e të ka hyrë në hak, sepse falja është virtyt i njerëzve fisnikë, i njerëzve me besim... Imam Shafiiu thoshte:

Më flet i keqi ashtu siç flet,

urrej t'i jap përgjigje.

E shton keqësinë e tij çdo ditë,

unë përballë tij shtoj mirësitë,

si bahurin[7] që zjarri i shton erën e mirë.[8]

Sa mirë do të ishte që edhe për pak çaste, për pak orë a për pak ditë të bëheshim si bahuri…

Po vjen një muaj që devotshmëria është tregu i besimtarëve, ku si monedhë "blerësit" përdorin vetëm sinqeritetin dhe modestinë me Krijuesin…Një treg, ku besimtarët që dalin prej tij, përfitojnë me vete suvenire të mrekullueshme nga i zoti i tregut, ku spikat një "ftesë" mbi të cilën shkruhet: "Në xhennet ka një derë ku shkruhet "Rejjan", prej së cilës hynë vetëm agjëruesit ditën e gjykimit, askush tjetër pos tyre. Thuhet: Ku janë agjëruesit? E ata hynë prej saj…".[9] E pikërisht në këtë muaj neve na jepet mundësia që të fitojmë nga ato fllade nuri që fryjnë për të kënaqur zemrat e besimtarëve, zemrat e zgjuara nga gjumi i hutimit…

Ky muaj që po vjen na fton të duhemi më shumë me njëri- tjetrin dhe të shtrijmë duart e dashamirësisë e vëllazërisë drejt njëri- tjetrit, sepse dashuria e sinqertë, për të cilën ka nevojë kjo shoqëri, edhe pse nganjëherë ka një kosto të lartë; mposhtjen e vetes për hatër të Krijuesit, por ka një shpërblim jashtëzakonisht të madh që është pëlqimi i Krijuesit ndaj tyre, i Cili u thotë: "Dashuria Ime është e meritueshme për ata që duhen për  hatrin Tim…".[10] E muslimanët, të diturit e tyre në veçanti, duhet të mblidhen me zemrat e tyre rreth boshtit të dashurisë vëllazërore, që krijon xhematin e mbështjellur me përkujdesjen hyjnore, sikurse mblidhen rreth sofrave të iftarit për të shuar etjen dhe urinë e orëve në agjërim…Ky shpërblim i takon edhe atyre që gjatë këtij muaji marrin angazhim të forcojnë marrëdhëniet e tyre shoqërore me fqinjtë, të afërmit e miqtë, pasi edhe atyre Krijuesi u thotë: "Dashuria Ime është e meritueshme për ata që vizitohen për hatrin Tim…".[11] Edhe atyre që mendojnë për më të varfërit e nevojtarët, e që në këtë muaj marrin zotim të jenë më pranë tyre, vetëm për kënaqësinë e Zotit, Ai u thotë: "Dashuria Ime është e meritueshme për ata që japin për hatrin Tim…".[12] Edhe atyre që për një shkak a një tjetër janë ndarë e zënë, duke prishur shoqërinë e marrëdhënien e tyre, e që gjatë këtij muaji vendosin të rilidhen për hatrin e Zotit, duke e falur njëri- tjetrin, All- llahu i Madhëruar u thotë: "Dashuria Ime është e meritueshme për ata që lidhen për hatrin Tim".[13]

 

Secili prej nesh ka nevojë të shikojë punët e tij, të bëjë bilancin vjetor të sjelljeve dhe besoni se të gjithë kemi nevojë të ndryshojmë diçka në jetën tonë…Të gjithë kemi nevojë të besojmë në ndryshimin…Të gjithë kemi nevojë të besojmë në faljen…Të gjithë kemi nevojë të besojmë në bamirësinë…Të gjithë kemi nevojë të besojmë në lidhjen e sinqertë e të pastër…Të gjithë kemi nevojë për mësimet e madhnueshme të muajit Ramazan, prandaj le të përgatitemi për ardhjen e tij, të fillojmë pastrimin e zemrave, të besojmë në shpërblimin e sinqeritetit, të shtojmë dashurinë për Dhuruesin, të hapim dyert e zemrave për tjerët e të tregohemi të mëdhenj, siç janë besimtarët…

Mirë se të na vish o muaj i madh i ndryshimeve!

 

Nga: Muhamed Sytari

Thirrës islam- Shkodër

Shkodër, më 06. 09. 2004

 



[1] Kur'ani Famëlartë: 26:89.         

[2] Muslimi nga Ebu Hurejra (r.a).

[3] Bukhariu nga Ebu Hurejra (r.a).

[4] Kur'ani Famëlartë: 5:54.           

[5] Kur'ani Famëlartë: 2:183.         

[6] "Mekasidus- seum", fq. 10.

[7] Bahuri, është një lloj shkopi i veshur me një lendë të ngurtë që kur ndizet fillon të lëshojë një tym me erë të mirë.

[8] Mahmud Bixho, "Divanush- Shafii ve hikemuhu", fq. 14.

[9] Bukhariu e Muslimi nga Sehl ibn Sa'd (r.a).

[10] Ahmedi nga Ubade ibni Samit (r.a), hasen.

[11] Po aty.

[12] Po aty.

[13] Po aty.