Muhamed Sytari
thirrës islam
Dr.
Jusuf el- Kardavi
Muaji i fitimit të njeriut[1]
(“Dhe
thërret një zë: O bamirës shpejto, o keqbërës ndalo”)
Vetëm për hir të Zotit njeriu largohet nga kënaqësitë dhe
epshet e tija dhe agjëron plot një muaj. Cila është urtësia nga
ky adhurim kolosal?
Njeriu është
një qënie e çuditshme që All-llahu e krijoi me një natyrë shumë
planëshe ku në të vendosi elementin material- tokësor dhe atë
shpirtëror- qiellor.
Në të
ka dhe, siç ka edhe shpirt, të cilin All-llahu e vendosi në të,
siç veproi me Hz. Ademin (a.s): [Kur Zoti yt u tha engjëjve:
"Unë po krijoj një njeri nga balta dhe kur ta kem përsosur atë
dhe t'i kem dhënë nga ana Ime shpirt, ju menjëherë përuljuni
atij (në sexhde)"].[2]
Ademi (a.s)
nuk e meritoi nderimin me sexhde, nga melaiket, me elementin e
tij tokësor, por me fryrjen e shpirtit në të.
Ky krijim
shumë planësh është i qëllimshëm nga Krijuesi i njeriut, pasi
është një krijesë që jeton në dy botëra: bota materiale dhe ajo
shpirtërore, siç ka marrëdhënie me tokën sikurse edhe me
qiellin.
Prandaj
njeriu ka nevojë për atë që del nga toka, për të ngrënë e për të
pirë, për t'u veshur e për të jetuar: “Ne nuk i bëmë ata (Pejgamberët)
trupa që nuk hanë, e as nuk ishin të përjetshëm”.[3]
Po kështu
njeriu ka nevojë për atë që zbret nga qielli, nga revelata e
All-llahut, për t'u ngritur në shkallët e njohjes së All-llahut,
dashjes së mirës dhe veprimit të punëve fisnike.
Kështu, njeriu është pajisur me instinkt dhe temperament, që
ndihmojnë për ndërtimin e jetës në tokë dhe shijimin e të mirave
të saj, sikurse është pajisur gjithashtu edhe me veti
shpirtërore, që e ngrenë atë lart, për t'u lidhur me Zotin e tij
të Lartësuar.
Temperamenti
dhe epshet e ndryshme, të lidhura me elementin tokësor te
njeriu, mund ta ulin atë deri në gradën e kafshëve ose edhe më
keq, njëkohë që elementet dhe vetitë shpirtërore, mund ta
lartësojnë atë për të arritur edhe në gradën e melekëve e
ndoshta për t'i tejkaluar ata, më sakrificat e tija.
Prandaj prej
veçorive të fesë është se ajo e rrit njeriut dhe ia zhvillon
anën shpirtërore mbi atë tokësore, për të mos sunduar një grusht
dhe` mbi frymën shpirtërore. Dhe kjo, pa dyshim s'është e lehtë,
pasi dheu krijon ndikimin dhe shtypjen e tij mbi njeriun, me
anën e nevojave, dëshirave dhe kapriçove të ndryshme, ndërkohë
që nefsi shkon pas epsheve dhe e ka të vështirë rrugën e
udhëzimit dhe drejtësisë.
Prandaj
është e domosdoshme që njeriu të bëjë xhihad dhe sakrifica me
nefsin e tij, duke përdorur armën e durimit dhe bindjes, deri sa
të arrijë në drejtim të fesë dhe në fe, sikurse thuhet në Kur'an:
“Dhe prej tyre Ne bëmë prijës që me urdhrin Tonë udhëzojnë, pasi
që ata ishin të durueshëm dhe ndaj argumenteve Tona ishin të
bindur”.[4]
Durimi
përballon epshet, ndërsa bindja dyshimet, deri sa njeriu të
arrijë në udhëzim hyjnor, të cilin e kërkojnë njerëzit fisnikë.
Për këtë, në
Kur'an thuhet: “E ta që luftuan (sakrifikuan)
për hir Tonë, Ne, me siguri do t'i orientojmë rrugës për të
Ne…”.[5]
Prandaj
Islami i ka lejuar njeriut shumë mënyra
për të fituar me to përmbi anën tokësore në qënien e tij,
ku në krye të këtyre mënyrave janë adhurimet parimore, që
konsiderohen si baza të Islamit, si: namazi, agjërimi, zekati
dhe haxhi.
Agjërimi në
Islam, konsiderohet si një ndër sakrificat më të mëdhaja
shpirtërore për njeriun, pasi në ditët e tija, njeriu me
dëshirën e tij largohet nga ushqimi, pija, epshet, etj, vetëm
për kënaqësinë e All- llahut (xh. sh.).
Ai me
vullnetin e tij të lirë e ndalon veten për të marrë ato gjëra,
të cilat i dëshiron dhe e largon dorën për t'u zgjatur drejt
tyre, duke i patur përpara syve të tij. E ndalon veten për t'iu
afruar partneres së tij, duke e patur përballë syve.
Ramazani me
të vërtetë është një provim i vërtetë i besimit dhe i vullnetit
njerëzor.
Pa dyshim
njeriu besimtar gjithmonë e kalon këtë provim të vështirë dhe me
të realizon fuqizimin e vullnetit që më pas do t'i dhurojë
njeriut fitoren, kur shpirti i tij fiton mbi dheun e baltën, kur
malli i shpirtit të lartësuar fiton mbi emocionet e ulëta të
trupit dhe kur vullneti i tij mposht epshet shtazarake.
Nga dallimet
kryesore në mes të njeriut dhe kafshës, është se kafsha vepron
ç'të dojë , në çdo kohë, çdo vend e çdo gjendje, pasi nuk ka
mendje që të mendojë, as fe që ta ndalojë, as ndërgjegje që ta
qortojë.
Në qoftë se
ajo dëshiron të urinojë, e bën këtë edhe në mes të rrugës, në
shtëpi apo në çdo vend tjetër, e nëse do për të ngrënë, e merr
atë pa pyetur se a është hallall apo haram.
Ndërsa
njeriu e komandon veten dhe emocionet e tija dhe gjykon me
mendjen dhe fenë e tij për veprimet e tija, saqë arrin të
krahasohet edhe me melekët, duke lënë ushqimin dhe prekjen e
grave, me vetëzgjedhjen dhe dëshirën e tij, për të arritur
shpërblimin e All- llahut (xh. sh), duke u larguar nga jeta e
atyre që jetojnë shërbëtorë të trupave dhe epsheve të tyre,
skllevër të kapriçove, të cilëve poeti i madh Ebul Fet'h Bustiu,
u drejtohet me këto vargje:
O
shërbëtor i trupit, sa vrapon pas tij,
a e
kërkon fitimin në një mall pa leverdi?
Sillu
nga shpirti dhe plotëso mirësitë e tij,
pasi
me shpirt, jo me trup, ti quhesh njeri!
Prandaj Zoti
e konsideron agjërimin e njeriut të Tijin, në një hadith kudsij,
kur thotë: “Çdo punë e njeriut është e tija, përveç agjërimit.
Ai është Imi dhe vetëm Unë e jap shpërblimin për të! (Besimtari)
e lë ushqimin për Mua dhe largohet nga gruaja e tij vetëm për
Mua dhe lë epshet e tija vetëm për Mua”.[6]
Muaji
i pastrimit
Për hatrin e
All-llahut (xh. sh) vetëm njeriu lë dëshirat dhe epshet e tija,
për të agjëruar plot një muaj, nga agimi deri në perëndim me
besim dhe bindje.
Dhe pa
dyshim që ky muaj është një pastrim për njeriun nga ndotësitë e
gabimeve që ndoshta ka bërë gjatë gjithë vitit, pasi agjërimi
është si një dush shpirtëror, në të cilin njeriu hyn një herë në
vit, për të larë njollat e gabimeve të tija e për të dalë më pas
nga ai dush, krejtësisht i pastër!
Pikërisht
këtë nënkupton edhe hadithi i Pejgamberit (a.s): “Kush agjëron
Ramazanin me besim dhe bindje, i falen krejt gabimet e tija”.[7]
Në qoftë se
namazi është një dush ditor, në të cilin myslimani lahet pesë
herë çdo ditë, agjërimi i Ramazanit është një dush që plotëson
atë të namazit.
Këtë e
vërteton edhe fakti se muaji i Ramazanit nuk është vetëm muaj
agjërimi, por agjërim ditën dhe falje natën (teravija, namazi i
natës, etj), pasi edhe xhamitë në ditët e tija mbushen me
adhurues që falin namazin e teravisë, siç përmendet edhe në
hadithin e Pejgamberit (a.s): “Kush falet në Ramazan (teravinë)
me besim dhe bindje, i falen krejt gabimet e tija”.[8]
Sa e bukur
është jeta e njeriut besimtar, kur ditën agjëron dhe natën falet
duke ndjerë një ngrohtësi shpirtërore, që s'e ndjen kush nuk hyn
në shkollën e Ramazanit, por që rri i burgosur në burgjet e
materializmit, duke ia ndaluar vetes atë lumturi të
papërsëritshme shpirtërore, për të cilën kanë thënë: “Ne
jetojmë në një lumturi, që po ta dinin mbretërit , do na vritnin
me shpata për të na e marrë”.
Por për
fatin e tyre të mirë, mbretërit dhe sulltanët nuk e dinë vlerën
e tij, prandaj ua lënë atyre për ta ndjerë e për t'u kënaqur me
të pa shqetësimin e ndokujt.
Në
muajin e Ramazanit njeriu e ndjen peshën e mirësisë së All-
llahut ndaj tij në ushqim e pije, pasi të mirat e tia për ta ia
largojnë njeriut ndjenjën e pranisë së tyre, kështu që ai nuk
kujtohet për ta vetëm atëherë kur i kanë humbur, prandaj kanë
thënë: “Shëndeti është kurorë mbi kokat e të shëndoshëve që
nuk e sheh vetëm se i sëmuri”.
Atëherë, kur
njeriu largohet nga ushqimi gjatë gjithë ditës, nga lindja deri
në perëndim të diellit, deri sa uria ta ketë lodhur dhe etja ta
ketë ngacmuar, kur vjen koha e ushqimit dhe shuarjes së etjes,
ai arrin ta ndjejë rendësinë dhe vlerën e mirësisë së All-
llahut ndaj tij, prandaj në iftar, duke e falënderuar
All-llahun (xh. sh.) thotë: “Iku etja dhe u njomën damarët dhe
shpërblimi u vendos, nëse do All-llahu”.
Këtu njeriu
ndjen një gëzim të natyrshëm, kur sheh, se ajo që ishte e
ndaluar për të gjatë gjithë ditës, u bë e lejuar për të, siç
thotë edhe Pejgamberi (a.s): “Agjëruesi (gjatë
agjërimit të tij) ka dy gëzime: kur bën iftarin gëzohet për
të dhe kur të takohet me Zotin e tij, do të gëzohet me
agjërimin”.[9]
Muaji
i mëshirimit
Duke qenë
agjërueshëm njeriu e ndjen dhimbjen e të mjerëve, urinë e të
uriturve, etjen e të eturve, etj., duke shijuar ithtësinë e
urisë dhe nxehtësinë e etjes. Në këtë mënyrë zemra e tij i
mëshiron ata dhe dora e bamirësisë së tij zgjatet drejt tyre.
Prandaj me
të drejtë Ramazani është konsideruar përherë si muaj i mëshirës,
mirësisë dhe bamirësisë, madje Pejgamberi (a.s) ka qenë më
bamirës se kurrë në Ramazan, më i shpejtë në ndihmën e të
varfërve si era që fryen, siç e transmeton këtë edhe Ibni Abasi
(r.a).
Tregohet se
Jusufi (a.s) nuk është ngopur kurrë me ndonjë ushqim, edhe pse
në dorën e tij ishin të gjitha depot e Misirit. Kur u pyet për
këtë, ai tha: “Kam frikë se po u ngopa, do harroj të varfërit”.
Ramazani është
një muaj i veçantë në jetën e individit mysliman dhe shoqërisë
islame, ndërsa unë e quaj:
Pranvera e jetës islame,
pasi në të rinovohet krejt jeta!
Gjallërohen
mendjet me dije dhe njohuri, gjallërohen zemrat me besim dhe
përkushtim, gjallërohet shoqëria me bashkëpunim dhe ndërlidhje,
gjallërohet vullneti duke bërë
gara
njerëzit në bamirësi dhe vepra humane të konsiderueshme.
Në Ramazan
plotësohen kushtet për të bërë mirë dhe pakësohen kushtet për të
bërë keq, sikure dëbohen shejtanët nga melekët e pastër, gjë të
cilën na e përmend Pejgamberi (a.s), kur thotë: “Kur vjen
Ramazani, hapen dyert e xhennetit, mbyllen dyert e xhehnemit dhe
lidhen shejtanët”.[10]
Po në lidhje
me këtë pikë, në një transmetim tjetër, Pejgamberi (a.s) thotë:
“Dhe thërret një zë: O bamirës shpejto, o keqbërës ndalo”.[11]
E gjithë kjo
mirësi qiellore për ardhjen e Ramazanit: Hapja e dyerve të
xhennetit, mbyllja e dyerve të xhehnemit dhe lidhja e të gjithë
shejtanëve janë argument se ky muaj ka një pozitë të madhe dhe
një domethënie të rendësishme në jetën e myslimanit, siç
vërtetohet edhe në Kur'an:
“O ju që
besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim
edhe i atyre që ishin para jush kështu që të bëheni të
devotshëm”.[12]
Dhe kushdo
që vëzhgon jetën e myslimanëve, vit pas viti, para ardhjes së
Ramazanit dhe pas shkuarjes së tij, do të bindet me këtë
realitet shoqëror që vërtetohet me të parë e me të shikuar që
është plotësimi i mirësisë, punimi i veprave me vlerë, pakësimi
i veprave të paligjëshme dhe antihumane.
Për këtë
hoxhallarët dhe ligjëruesit në ditët e fundit të këtij muaji u
bëjnë thirrje njerëzve që të vazhdojnë në këtë traditë, me këto
qëllime të pastra dhe këtë vullnet të fortë, duke u thënë në
shumë raste: (Kush
e ka adhuruar Ramazanin, ai vdiq, e kush e ka adhuruar All-
llahun, Zotin e Ramazanit, Ai është i gjallë dhe nuk vdes! Mjer
ai popull, që nuk e njeh Zotin vetëm se në Ramazan! Bëhuni me
Zotin, jo me Ramazanin)!
Po si
ta presim atë?
Në mjetet e
informacionit shihet qartas ardhja e informacionit, pasi gjatë
ditëve të tij nuk shfaqen gjëra, të cilat shfaqen jashtë ditëve
të këtij muaji, qofshin filma, drama, seriale apo skena të
ndryshme.[13]
Madje gjatë
Ramazanit shfaqen emisione dhe programe të veçanta, që ushqejnë
shpirtin, ngrijnë lart besimin, forcojnë moralin dhe edukojnë
nefsin, duke larguar të keqen dhe shthurjen.
Ndikimi i
Ramazanit ndihet edhe në jetën shoqërore, kur familja lidhet me
bashkimin e anëtarëve të saj, në syfyr e iftar.
Shoqëria
forcohet duke vizituar njëri- tjetrin dhe duke bërë ftesa për
iftare.
Ndërkohë të
varfërit e ndjejnë veten më mirë se kurrë dhe më rehat
shpirtërisht dhe ekonomikosht se asnjëherë tjetër.
Sa nevojë
kemi atëherë, që të përfitojmë nga ky muaj i begatë që është
stinë e bamirësive dhe afrimit te All- llahu i Lartësuar.
Le të jetë
atëherë, ky muaj, kamping besimi ku ushtrohet vullneti,
ringarkimi i dëshirave të mira, forcimi i qëllimeve fisnike,
realizimi i shpresave të mëdha dhe kthimi i ëndrrave në
realitet.
E mëshiroftë
All- llahu letrarin e madh arab dhe islam, Mustafa Sadik er-Rafi'i,
kur thotë: [Sikur
njerëzit do ta jepnin hakun e duhur, do të quanin: "Shkolla
tridhjetë ditore"].
Përktheu nga arabishtja
dhe
përshtati në shqip
Muhamed Sytari
[1]
Kjo temë është përkthyer nga revista "El Arabi", nr.
493, Dhjetor, 1999.
[2]
Sad: 71- 72.
[3]
El-Enbija: 8.
[4]
Es-Sexhde: 24.
[5]
El-Ankebut: 69.
[6]
Transmetuar nga Ibni Khuzejme në Sahihun e tij.
[7]
Transmetuar nga Bukhariu dhe Muslimi.
[8]
Transmetuar nga Bukhariu dhe Muslimi.
[9]
Transmetuar nga Muslimi.
[10]
Transmetuar nga Bukhariu dhe Muslimi.
[11]
Transmetuar nga Tirmidhiu, Ibni Maxhe dhe Ibni Khuzejme.
[12]
El Bekare: 183.
[13]
Shënim: Pa dyshim, doktori i nderuar, kur shkruan
këto fjalë, ka parasysh shoqërinë në të cilën ndodhet,
në shtetin e Katarit, por edhe në vendet e tjera arabe.
Unë i lutem All-llahut Fuqiplotë që edhe mjetet tona
informative të rezervohen sadopak dhe të kenë frikë
Zotin më tepër në ditët e këtij muaji të begatë, por
edhe pas tij! M. S.