ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

Mrekullitë e hz. Muhammedit (a.s)

(Tophanë, e xhuma, më 12 shkurt 2010) 

Në hytben e kësaj xhumaje, më 12 shkurt 2010, hatibi i xhamisë Tophanë, ka nisur një seri të re hytbesh, me tematikë mrekullitë e hazreti Muhammedit (a.s).
Në fillim të saj, ai ka tërhequr vëmendjen e të pranishmëve drejt një ndodhie të rëndësishme për ta dhe mbarë botën: “Edhe dy javë, gjithësia përgatitet për të përkujtuar lindjen e “mëshirës së dhuruar”, pejgamberit tonë alejhis-selam. Edhe dy javë dhe të gjithë ne angazhohemi për të pritur flladet mëshironjëse që shoqërojnë ditën e përkujtimit të Zotërisë së bijve të Ademit”.
E pikërisht, në pritje të kësaj dite të shënuar, Imam Muhamed Sytari ka thënë: “E, në prag të përkujtimit të ardhjes në këtë botë të vulës së të dërguarve, më lejoni të nis sot një seri të re hytbesh, ku do të hedh dritë mbi mrekullitë e shumta të pejgamberit tonë (a.s). Duhet ditur se hz. Muhammedi (a.s) është pejgamberi i përkrahur me më shumë mrekulli nga të gjithë të dërguarit e tjerë.”
Më pas, ai është ndalur te mrekullia e mrekullive, me të cilën është përkrahur Resulull-llahi (a.s), Kurani Famëlartë. Kështu, ai ka zbardhur argumente të shumta që vërtetojnë se Kurani është Fjala e All-llahut dhe Libri i Tij i zbritur për të udhëzuar njerëzinë drejt pëlqimit të Krijuesit të gjithësisë.
“Kur’ani është i vetmi i librave hyjnorë që i ka shpëtuar dorës deformuese të njeriut të papërgjegjshëm, atij që nuk njeh as Zotin, as vlerat, as moralin e vijimësisë së pastërtisë së fesë së Tij”- ka thënë ai!


Ahmed Mahiri