Mos e braktisni Kur’anin, bij të Kur’anit!
(Të mos e braktisim Fjalën e All-llahut dhe t’i mbajmë gjallë xhamitë tona me leximin e Librit të Tij!)
Po afron muaji i bekuar i Ramazanit dhe natyrshëm, besimtarët
dhe prijësit e tyre nisin të bëjnë llogaritë e tyre për pritjen
sa më dinjitoze të tij. E, teksa marrim të mendojmë mbi pritjen
e Ramazanit, që të dëshmojë sa më mirë për ne në ditën e
gjykimit, argumentet e shumta rreth vlerës dhe dobisë së
leximit, këndimit, përsëritjes dhe përfitimit nga Libri i All-llahut,
Kur’ani, na dalin para sysh si garant i padiskutueshëm i pritjes
serioze të muajit të Kur’anit!
Realiteti i përditshëm i bashkësisë tonë islame, si komunitet
besimtarësh, nuk flet mirë për raportet tona me Librin e
zbritur. Ai reflekton braktisje dhe nëpërkëmbje të Fjalës së
Zotit, neglizhencë dhe harresë hutaqe në hak të tij!
Ndodhitë e ditëve përkthejnë dukshëm tërheqjen e vëmendjes tonë
nga Krijuesi i gjithësisë, për të na marrë për dore drejt
kthimit nga Kur’ani, si shërim i sëmundjeve të shumta sociale që
kanë përfshirë edhe shoqërinë shqiptare!?
Para pak ditësh, më 11 gusht 2009 pasdite, kryeqyteti ynë u
përmbyt nga rrebeshi i papritur që duhet të ketë habitur çdo
njeri me logjikë të shëndoshë!? “Me qindra dyqane të
përmbytura”, lajmëronin mediat kryesore të vendit. E habitshme!
Rrebeshet nuk e marrin para zekatin! Zjarri nuk e djeg atë!
Megjithatë qindra dyqane të kryeqytetit u përmbytën natën e një
dite të nxehtë vere!? Shishet e alkoolit vërshonin rrugëve të
Tiranës për t’u bashkuar me Lanën e tërbuar nga fëlliqësia e
shisheve të haramit të përmendur në Kur’an, të nëpërkëmbur nga
shoqëria gafile e kryeqytetit me netë të bardha degjenerimi!
“Pa dyshim, ata që lexojnë Librin e All-llahut, falin
namazin dhe japin fshehtazi apo haptazi nga ajo që u kemi dhënë
Ne, mund të shpresojnë në një fitim që nuk do të humbasë!”[1]
“Lexojeni Kur’anin, sepse ai do të vijë ndërmjetës në
ditën e gjykimit për lexuesit e tij”[2]
“Lexojeni Kur’anin, sepse All-llahu i Madhëruar nuk e
ndëshkon një zemër që e kupton Kur’anin”[3]
Zemra shqiptare ka nisur të fëlliqet, pikërisht nga braktisja e
Kur’anit! Sa e sa “reklama” kundër Kur’anit e Islamit gjatë
këtyre viteve të postdiktaturës! Sa habi, në diktaturë luftohej
me zjarr e hekur, në demokraci me mëndafsh e joshje!?
Zemra shqiptare jep alarmin e degjenerimit! Djali që vret babain,
nusja që masakron vjehrrën e saj, burri që godet për vdekje
gruan dhe fëmijën e përbashkët, pastaj vetëvritet, vetëvrasjet e
panumërta, krimi brenda familjes etj, vërtetojnë braktisjen e
Zotit dhe Fjalës së Tij! Më 18 gusht 2009, një nga mediat
kryesore shqiptare lajmëronte se vetëm për vitin 2009,
statistikat tregojnë se janë kryer 212 vetëvrasje në vendin
tonë!?
“Zbukurojeni Kur’anin me zërat tuaj, sepse zëri i bukur i
shton Kur’anit bukuri”[4],
po me cilin zë të zbukurohet Kur’ani? Me zërat e gojëve të
palara nga thashethemet e përditshme? Apo nga zërat e gojëve
femohuese? Apo me zërat e atyre
që u vjen turp nga identiteti i tyre shumëshekullor?! Apo
me gojët e servilëve?! Apo..!?
T’i kthehem xhamisë dhe jetës së saj. Xhamia e jonë, sot jeton
gjendje grahme! Xhamia e jonë sot, nuk ofron asgjë (All-llahumme
përveç përpjekjeve të lavdueshme të imamëve të ndryshëm për të
ndryshuar sadopak, kur u nuk u pritet rruga nga vartësit
shtatanikë!)! Çfarë ofron xhamia e jonë sot? Namazin e pesë
vakteve me imamë? Po pastaj? Ku janë mexhliset e
dhikrit në xhaminë tonë? (Apo është bidat?!) Ku janë
mexhliset e dijes në xhaminë tonë sot? (Apo edhe imamët e
xhamive kanë nevojë për trajnim më shumë se vetë xhematet
tona?!) Ku janë tryezat intelektuale në xhaminë tonë sot? (Apo
intelektualët muslimanë, kanë frikë për t’u ekspozuar me
Islamin, se mos paragjykohen a u rrezikohet posti?!) Ku janë
vaset para namazit të xhumasë a në kohë të tjera (Apo edhe ata
që japin vasë konsiderohen si ilegjitimë nga të hutuarit me
karrige të thyera!?)
“Kurdo
që një grup njerëzish mblidhet në një shtëpi prej shtëpive të
All- llahut për të lexuar librin e Tij dhe për ta mësuar
atë, do u zbresë qetësia, do i mbulojë mëshira, do i rrethojnë
melaiket dhe do i përmendë All- llahu tek ata që janë pranë Tij”[5],
Pikërisht, ky muaj, në të cilin po hyjmë është një mundësi e
madhe për t’iu kthyer Kur’anit, për ta lexuar, për ta kuptuar,
për t’u përpjekur në rrugën e zbatimit të tij! Kur’ani është
libri i ynë, është besa e jonë me All-llahun, është i vetmi
Libër Hyjnor i pa deformuar deri më sot, falë Zotit! Përpiqen
edhe sot, sidomos Dëshmitarët e Djallit, për ta deformuar në
broshurat e tyre në gjuhën shqipe, por falë Zotit i kemi
demaskuar dhe demaskohen kudo që veprojnë!
Leximi i Kur’nit, sidomos në Ramazan është traditë e të parëve
tanë të ndershëm, i selefi-salihëve (edhe për ata që kanë
dëshirë ta dëgjonë këtë term)! Ja, tradita e tabiiut të ditur,
më të madhit prej imamëve fukaha, Imam Ebu Hanife, për të cilin
transmetohet se: “e dinte Kur’anin përmendësh dhe e bënte hatme
30 herë në muaj”! Sikurse transmetohet për të edhe se:
“bënte hatme Kur’anin brenda tre ditëve me netët e tyre…”[6].
Poashtu Sufjan Theuriu, për të cilin thuhet se: “kur hynte
Ramazani i linte adhurimet e tjera (suplementare) dhe angazhohej
me leximin e Kur’anit”[7].
Poashtu Malik ibni Enes, imami i ditur i hadithit, për të cilin
transmetohet se: “Kur hynte Ramazani largohej nga përsëritja e
hadithit dhe takimet me njerëzit e dijes drejt këndimit në
Mus’haf”.[8]
Për dijetarin e shquar damasken, Ibni Asakir (499-571)[9],
i biri, muhadithi Behaudin el-Kasim, thoshte se ai: “e bënte
hatme Kur’anin një herë në javë, ndërsa kur vinte
Ramazani e bënte për çdo ditë...”.[10]
Të nderuar vëllezër e motra, bij të Kur’anit! Erdhi muaji i
Kur’anit! Të mos e braktisim Fjalën e All-llahut dhe t’i mbajmë
gjallë xhamitë tona me leximin e Librit të Tij! T’i mbajmë
gjallë traditat e të parëve tanë dhe t’i mbushim xhamitë në
hallkat e Hatmes së Kur’anit! T’i kthehemi leximit të tij, t’i
mbushim ditët me dashurinë dhe shpirtin e tij, që të bëjmë
kthesë nga rruga drejt humnerave, ku po na shpien!
Dhe në fund: “Agjërimi
dhe Kur'ani i ndërmjetësojnë robit tek All- llahu ditën e
gjykimit. Agjërimi thotë: O Zot, unë ia ndalova ushqimin dhe
epshet gjatë gjithë ditës, prandaj më prano mua për të! Ndërsa
Kur'ani thotë: O Zot unë ia ndalova gjumin gjatë natës, prandaj
më prano mua për të dhe i ndërmjetësojnë”.[11]
O All-llah, i madhëruar në tokë e në qiell! Na bëj prej atyre që
u bëhet agjërimi dhe Kur’ani dëshmitar në ditën e gjykimit!
Amin!
Muhamed Sytari
Hatib i xhamisë Tophanë, Shkodër
18.08.2009
[1]
Sureja Fatir, 29.
[2]
Muslimi, nga Ebu Umame.
[3]
Temami, nga Ebu Umame (r.a).
[4]
Daremiu, Ibni Nasir në “Salat” dhe Hakimi, nga Berra (r.a).
[5]
Ebu Davudi, nga Ebu Hurejra (r.a).
[6]
Shejkh Vehbi Sulejman Gavoçi, “Ebu Hanife Nu’man -
imamul-eimmetil-fukaha”, botimi i VI- të, Damask, 1999,
fq. 83.
[7]
Shejkh Zaid Nadir Hariri, “Ganaimus-salihine”, Damask,
2008, fq. 42.
[8]
[9]
Autor i veprës madhështore: “Historia e Damaskut”, në 80
vëllime. (M.S.)
[10]
Abdulfettah Ebu Gudda, “Kimetuz-zemen indel-ulema”,
botimi i dhjetë, Bejrut, 2002, fq. 96.
[11]
Ahmedi, Tabaraniu, Hakimi dhe Bejhakiu, nga Ibni
Amri (r.a).