Morali i dialogut dhe divergjencës

(myslimanët të njohin rrugët e bashkëpunimit, dialogut dhe mirëkuptimit, ) 

Shejkh Ahmed Keftaro

  

Të gjitha krijesat janë robër të All-llahut, i cili i krijoi nga një frymë e vetme dhe me natyra të ndryshme, me zanafillë baltën, e në mendjet e tyre horizonte e parashikime që s'i di askush pos Tij.

{Nga argumentet e Tij është krijim i qiejve e i tokës, ndryshimi i gjuhëve tuaja dhe i ngjyrave tuaja. Edhe në këtë ka argumente për njerëz}.[1]

Kjo llojshmëri në të cilën All-llahu i krijoi njerëzit, nuk duhet të jetë shkak i mjerimit, armiqësisë dhe përçarjes, por mendimtarët mund ta kthejnë divergjencën në shkak të plotësimit dhe bashkëpunimit në inters të mirësisë dhe të drejtës.

Këtë vërtetësi që e gjejmë në jetën e Profetit (a.s), është shembulli më i mirë nga i cili duhet të përfitojmë sot për të arritur në shkaqet e njësimit dhe bashkimit tonë.

Sot, bota po mbushet me fe dhe shkolla të ndryshme, madje edhe në rangje islame gjejmë grupime të ndryshme që përhapen në botën islame dhe pakicat myslimane në perëndim.

Mirëpo, a u mundësuan myslimanët që të njohin rrugët e bashkëpunimit, dialogut dhe mirëkuptimit, megjithë divergjencat në medim?

Realiteti i hidhur që gjejmë sot në Afganistan, Algjeri e në vende të tjera të botës islame, reflekton një të vërtetë të hidhur që është, se arritja e konsensusit në mes të rrymave të ndryshme islame nuk ecën drejt rrugës së dialogut dhe mirëkuptimit, njëkohë që myslimanët e parë i nënshtroheshin kësaj rruge!

Sahabet e Profetit (a.s) pas tij, u kthyen në shkolla të lëvizshme që përhapnin diturinë dhe njohuritë në ato horizonte ku mbërrinte Islami, edhe pse vendimet e tyre për çështje të ndryshme nuk ishin përherë të njëjta me njëri- tjetrin, pasi secili jepte vendim sipas asaj ku kishte arritur përpjekja e tij.

Mirëpo, ata ditën se si të ruajnë nderimin dhe dashurinë, si dhe ditën se si të gjejnë mënyrat dhe rrugët e plotësimit dhe vëllazërimit me njëri- tjetrin.

Shpeshherë Zonja Aishe i kritikonte vendimet (fetvatë) e sahabeve, duke dhënë edhe ajo mendimin e saj për ato çështje, saqë Imam Sujuti më pas shkroi një libër të tërë rreth kësaj teme, duke e titulluar: (Zemra e goditjes, në kritikat e Aishes ndaj sahabeve), ku mblodhi qëndrimet e Aishes (r.a) dhe divergjencat e saj në mendim me Ebu Hurejren, Ibni Abbasin, Ebu Derdanë, e të tjerë sahabe, Zoti (xh.sh) qoftë i kënaqur prej tyre.

Por, kjo divergjencë mendimi nuk ishte vetëm se një dialog me qëllim kërkimin e të vërtetës dhe s'kishte aspak hije armiqësie, urrejtje apo paragjykimi në mes tyre.

Nëse kthehemi në histori dhe kalojmë nëpër ditët e sahabeve, në të vërtetë do e gjejmë veten në një lulishte të begatë e shumëllojshe, ku secili ka mendimin dhe dhuntitë e tija, e njëkohësisht nuk shohim asnjëherë se divergjenca e tyre në mendim t'i ketë drejtuar nga përçarja apo mjerimi.

Osman ibni Affani (r.a) ishte khalif i myslimanëve dhe kur falte namazin e Bajramit, hipte në minber për të ligjëruar, ndërkohë që njerëzit duke menduar se përparësia e namazit të Bajramit ndaj ligjëratës është tregues i joobligueshmërisë së të dëgjuarit të saj, largohenin menjëherë pas namazit duke lënë dëgjimin e ligjëratës së asaj dite.

Me këtë rast, Osmani (r.a) e pa si jo të pëlqyeshëm këtë qëndrim  të njerëzve, prandaj i urdhëroi ata që ta vononin namazin dhe t'i jepnin përparësi ligjëratës së Bajramit.

Kur e mësoi këtë fakt sahabiu i nderuar Ebu Dherr Gifariu (r.a), ndërkohë që ishte në një nga frontet e myslimanëve, u nevrikos për këtë dhe e lajmëroi haptas, se Osmani (r.a) e ka mënjanuar të drejtën në këtë çështje dhe se i dërguari i All- llahut i jepte përparësi namazit të Bajramit ndaj ligjëratës.

Mirëpo, kur erdh dita e Kurban Bajramit, Ebu Dherri (r.a) urdhëroi që t'i jepej përparësi ligjëratës ndaj namazit, sikurse bënte tashmë Osmani (r.a).

Të çuditur nga ky qëndrim, pas fjalëve për veprimin e Osmanit (r.a), njerëzit e pyetën: Por ti e kritikove Osmanin për këtë veprim?!

Tha: Po…por përçarja është më e rëndë!

Shikoni se sa e bukur dhe e mençur është kjo fjalë që përkufizon botëkuptimin e sahabeve rreth bashkimit dhe njësimit!

Në këtë gjendje, myslimanët vazhduan për një periudhë kohe, derisa u rikthye përparësia e namazit të Bajramit ndaj ligjëratës së asaj dite.

 

Vëllezër të nderuar!

Historikisht kemi jetuar në botën islame me katër medh'hebe, ku të gjithë respektonin dhe justifikonin njëri- tjetrin.

Shafiitë thonin: Mendimi ynë është kështu, ndërsa zotërinjtë hanefi kanë mendim tjetër…

Malikitë thonin: Mendimi ynë është kështu, ndërsa zotërinjtë shafii kanë mendim tjetër…

E gjithë kjo në një kornizë dashurie, mëshirimi e drejtësie që reflektonte botëkuptimin social dhe qytetërues tek ymeti, madje thuaj: Reflektonte edukimin e vërtetë nga Profeti (a.s) tek brezat e parë të këtij ymeti.

Nuk do të gjesh në këtë ymet një shafii që nuk e respekton Ebu Hanifen, as ndonjë hanefi që s'e nderon Imam Malikun, me gjithë divergjencat prezente në mes medh'hebeve të tyre, me të cilat mbushen librat e jurisprudencës islame (fikhut).

Përkrah katër medh'hebeve, jurisprudenca islame ecte përpara edhe me sakrificat e Imamëve të tjerë të mëdhenj, si: Imam Ibn Xherir et- Tabari, Imam Xhafer es- Sadik, Imam Lejth ibn Sa'd, Imam el- Euzai, e shumë prijës të tjerë, nga mendimi dhe lodhja e të cilëve ymeti arriti pasurinë më të madhe shkencore e mendimore.

Ndoshta, përjashtimi i vetëm nga kjo liri mendimi në Islam, është pikërisht ajo periudhë e zezë gjatë së cilës Mu'tezilitë sunduan mbi disa drejtues të shtetit abasit, gjë që solli përballimin e mendimit divergjent me shpatën dhe zjarrin…

Kështu, ky ymet gjatë historisë së tij të gjatë, diti se si të përfitojë nga llojshmëria në mendim e në shkollat juridike, për të arritur në zgjidhjen e çështjeve të reja e bashkëkohore.

Ndërsa ato lëvizje që refuzonin tjetrin dhe ngulnin këmbë për një rrugë të vetme në kuptimin e teksteve dhe mbështetjen në to, të cilët nxirrnin nga besimi kundërshtarët e tyre, u mblodhën në një çoshe të errët, duke u emëruar nga ymeti, si havarixh.

Këta vazhduan rrugën e tyre, derisa formuan për veten e tyre një rrugë të veçantë në jurisprudencë dhe një doktrinë besimi (akide), ndryshe nga të tjerët, rezultatet më të thjeshta të së cilit ishin derdhja e gjakut dha shkatërrimi i pasurive të kundërshtarëve, edhe nëse ata ishin njerëzit më të ruajtur (takvali) e më të sinqertë.

 

Të nderuar vëllezër!

Ne po kërkojmë për shkaqet e njësimit dhe bashkimit tonë, por kjo s'do të thotë që ta kuptojmë këtë njësim dha bashkim mbi bazat e eliminimit dhe refuzimit të tjetrit, apo vendosjen e njerëzve në kallepë të ngurtë, prej të cilëve do të kërkojmë miratimin për vendimet tona paraprake.

Detyrimi islam që kemi, na bën që të mbledhim forcat dhe emrat tona në shërbim të kësaj feje, për t'u mbledhur më pas nën strehën e këtyre objektivave fisnike myslimani sufi e ai selefi, syniti e shiiti, pikërisht siç ishim gjatë historisë tonë islame të mbushur me praktika të gjalla dhe të ndriçuar me dialogun e shëndoshë e ndërtues.

Në këtë pikë, e shoh të arsyeshme që t'i kujtoj të gjithë atyre që punojnë në fushën e propagandës islame, disa pika që do shërbejnë për kuptimin e objektivave të dialogut dhe moralit të divergjencës në pika të ndryshme: 

Sinqeriteti ndaj All- llahut në mendimet, punët e qëllimet tona, duke i paraprirë dialogut tonë slogani: [Zoti im, Ti je qëllimi im dhe pëlqimi Yt është kërkesa ime].

Bashkëpunimi dhe ndihma reciproke në shërbim të ymetit islam si dhe drejtimi i forcave dhe mundësive të mëdha për çështjet e tija vendimtare.

Bashkëpunimi në pikat konsensuale dhe të këshilluarit në pikat divergjenciale.

Nuk ka ndryshime në baza, por në degëzime ka llojshmëri mendimi, i cili është mëshirë për ymetin në shumicën e rasteve. Muxhtehidit s'i mohohet mundi në degëzime!

Largimi nga ekstremizmi, fanatizmi e shtërngimi të bazuar në thënien profetike: "Lehtësoni dhe mos vështirësoni, sihariqoni dhe mos i largoni njerëzit…".[2]

Studimi i mendimit tjetër (divergjent) me qetësi dhe objektivizëm.

Debatimi në mënyrat më të mira: {… dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira. Zoti yt është Ai që e di më së miri atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai di më së miri për të udhëzuarit}.[3]

Në dialog nuk ka gjykatës dhe të gjykuar, vendimmarrës e të akuzuar.                     Dy persona u mblodhën për të dialoguer me njëri- tjetrin, ndërkohë që njëri i tha tjetrit: A do të dialogojmë? I tha: Po, por me një kusht: Të mos nevrikosesh, të mos inatohesh, të mos çuditesh, të mos e bësh paragjykimin tënd argument, të kemi si qëllim të përbashkët të drejtën dhe të vërtetën  dhe pjekurinë si bazë të këtij takimi!

Komunikimi i Zotit me krijesat e Tij, është komunikim i urdhëruesit dhe ndaluesit që nuk i diskutohet vendimi, megjithatë All- llahu (xh.sh) na ka përmendur në librin e Tij, disa pamje të ndryshme të dialogut me krijesat e Tij, për të na e sqaruar rendësinë e dialogut në arritjen e njohjes së të vërtetës.

Shteti i myslimanëve dhe pushteti i tyre politik, që nga koha e Profetit (a.s) dhe deri në ditët e sotme, ka kaluar luhatje të ndryshme force e dobësimi. Ajo që vihet re është, se sa herë që shteti islam ka qenë i fortë, aq më i fortë e më i larmishëm  ka qenë edhe dialogu në mes të botëkuptimeve dhe doktrinave të ndryshme.

Qëndrimi besnik ndaj besimeve të baballarëve, gjyshërve dhe mësuesve edhe nëse ato janë në kundërshtim me argumentet logjike dhe tekstet fetare, është prej shkaqeve kryesore të falimentimit të qëllimeve të dialogut dhe mos arritjes tek e vërteta.                 Për këtë, Ibnul Kajjim el- Xheuzijje, kur mendoi ndryshe në një çështje, duke kundërshtuar mësuesin e tij Ibn Tejmijje, disa e kritikuan për këtë veprim, ndërsa ai ua ktheu: "Unë e dua Ibn Tejmijjen, por e vërteta është më e dashur për mua se ai"!

Njësimi i së vërtetës nuk do të thotë se rrugët drejt saj janë të njëjta, sikurse s'do të thotë gjithashtu se edhe mënyrat e shprehjes së saj duhet të jenë të njëjta. Për kët llojshmëria e mënyrave dhe mjeteve që nuk prekin të vërtetën dhe as e nsdryshojnë atë, nuk janë përherë të refuzuara!

 

Në fund: Shpresoj që myslimanët të arrijnë në kuptimin e ajetit kur'anor: {Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin (fenë dhe Kur'anin) e All-llahut, e mos u përçani!}[4]dhe ta bëjnë Kur'anin pikë referimi për bashkimin e fjalës dhe njësimit të tyre dhe e përfundoj këtë bisedë me dëshirën që së shpejti të mblidhet një konferencë islame përgjithësuese, nën hijen e ajetit kur'anor: {… e mos i thoni atij që ju shpreh selamin (besimin): “Nuk je besimtar!”}![5]

 

 

Përktheu nga arabishtja

dhe përshtati në shqip

Muhamed SYTARI

Shkodër, më 11. 07. 2003

 



[1] Kur'ani Famëlartë: 30:22.         

[2] Transmetuar nga Ahmedi, Bukhariu e Muslimi dhe Nesaiu, nga Enesi (r.a)

[3] Kur'ani Famëlartë: 16:125.       

[4] Kur'ani Famëlartë: 3:103.         

[5] Kur'ani Famëlartë: 4:94.