Mirë se vjen muaji i ndryshimeve!
(Ky muaj vjen për të na thirrur drejt suksesit dhe triumfit)
Edhe
një herë Ramazani vjen me mirësitë dhe begatitë e tij të shumta
në meset tona.
Edhe
një herë muaji i Kur'anit troket në dyert e muslimanëve, për t'u
sjellë atyre nga Krijuesi i gjithësisë, lajmin e mirë të faljes,
mëshirës dhe largimit nga dënimi i merituar…
Edhe
një herë tjetër muaji i Kur'anit udhëzues për njerëzit, vjen për
të sjellë me vete frymën e ndryshimit material e atij
shpirtëror.
“Muaji i Ramazanit që në të (filloi të) shpallet Kur'ani, që
është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe
dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra)”.[1]
Muaji
i ndryshimit material
Pasi
në ditët e tij organizmi i njeriut hyn në një trajtim të veçantë
e special, që do t'i shërbejë atij, për të fituar forca të reja
për përballimin e vështirësive të ditëve në vijim.
Jo më kot Lukmani (a.s) e këshillonte të
birin duke i thënë: "O biri im! Në rast se ti do ta mbingarkosh
stomakun tënd me ushqim, atëherë mendimet tua do të flenë, do të
zhduket nga koka jote gjykimi, e gjithashtu gjymtyrët e tua do
të jenë të dobëta për të ushtruar adhurim".
[2]
Muaji
i ndryshimit shpirtëror
Pasi
besimtari gjatë këtij muaji shton adhurimet e tij, shton
këndimin dhe kuptimin e Kur'anit, vjen në xhami për të falur 20
rekatët e taravisë, takohet me vëllezër e të afërm në tryeza
iftaresh e tubime dhikri, shtrin dorën e bamirësisë ndaj
vëllezërve të tij nevojtarë dhe shumëfishohen shpërblimet për të
mirat e shumta që vepron.
Të
gjitha këto janë mundësi për të gjetur vetëveten e për t'u
kthyer edhe më shumë se në ditët e tjera në natyrën e pastër me
të cilën edhe jemi lindur, sikurse është transmetuar edhe në
hadithin e Bukhariut nga Ebu Hurejra (r.a): "Çdo fëmijë (njeri)
lind me natyrë të pastër…".
E
pikërisht duke medituar në mirësitë e këtij muaji dhe mundësitë
e përfitimit nga mëshira e madhe e Krijuesit Fuqiplotë në ditët
e tij, nuk ka se si të mos mendojmë për mundësitë e ndryshme për
të ndryshuar diçka të keqe që posedojmë, në të mirë, për veten,
familjen e ata që na rrethojnë!
Ky
muaj vjen për të na thirrur drejt suksesit dhe triumfit, pasi
është traditë e muslimanëve dhe specifikë e tyre që Ramazanin ta
shfrytëzojnë për të korrur fitore e triumfe në fusha të ndryshme
të jetës së tyre.
Dëshmitari më i mirë për këtë është vetë historia islame, e
mbushur me këtë argument!
A nuk
e keni dëgjuar të dashurin tonë, Pejgamberin (a.s), kur thotë në
hadithin e transmetuar nga Bukhariu dhe Muslimi nga Ebu Hurejra
(r.a), se: "Kur vjen Ramazani hapen dyert e xhennetit, mbyllen
dyert e xhehnemit dhe lidhen shejtanët"?
Zakonisht jemi mësuar të themi pjesën sipërfaqësore të këtij
hadithi fisnik, por a nuk jep të kuptojmë kjo shprehje
pejgamberike se muslimani në këtë muaj duhet të rilidhë besën me
Krijuesin e tij për tu angazhuar me punë të mira të cilat e
bëjnë atë njeri të përfitojë xhennetin? Dhe çdo punë që ti
vepron me të cilën do përfitosh xhennetin, është medoemos edhe
një punë që do i vlejë edhe vetes, familjes dhe shoqërisë tënde!
Mirëpo sikur të kuptojmë të gjithë ne si muslimanë rëndësinë e
këtij e hadithi, pastaj të përpiqemi, secili në sferën e tij, ta
praktikojmë në jetë a nuk do jetë shoqëria jonë më e përparuar
dhe vendi ynë më i fortë në të gjitha aspektet e jetës?
Sot
kemi shumë nevojë të hapim dyert e "xhenneteve" tona për të
përfituar edhe shoqëria jonë nga ato mirësi.
Të
gjithë ne zotërojmë dhunti apo forca për të punuar edhe më mirë
sesa punojmë çdo ditë, por mjafton të sakrifikojmë pak më tepër,
që rezultatet e punëve tona të jenë edhe më të mëdha.
Ndërsa për pjesën e dytë të hadithit, mund të themi fare mirë se
dyert e xhehnemit mbyllen dhe ti si musliman duhet të luftosh sa
të kesh mundësi me veten tënde që të mbyllësh dyert e të keqes
vetiake e asaj shoqërore si pasojë, gjatë këtyre ditëve e në
vazhdim, për të ndryshuar diçka negative në rrethet tona!
Duhet
të përpiqemi sa të mundemi të mbyllim dyert e "xhehnemit"
intelektual, politik, informativ, ekonomik e atij social në
shoqërinë tonë, në mënyrë që ajo të përparojë edhe më shumë e të
avancojë çdo ditë!
Po,
vëllezër!
Ne
duhet të mundohemi që me ardhjen e këtij muaji të mbyllim dyert
e "xhehnemeve" të ndryshme në shoqërinë tonë.
Për
ta konkretizuar mendimin, them: Mediat informative, të lexuara e
të shkruara, mund të mbyllin shumë mirë dyert e "xhehnemeve" të
lloj-llojshme në ekranet apo faqet e tyre.
Tregtarët të mbyllin dyert e "xhehnemeve" ekonomike, duke
lëshuar sadopak në fitimet e tyre, në ndihmë të individëve të
varfër të shoqërisë tonë të pastabilizuar!
Të
largojnë asortimentet e ndryshme të ndaluara, që kafshata e
fëmijëve të jetë e pastër, që ata të rriten të pastër dhe
shoqëria të zhvillohet e pastër e më pas edhe atdheu ynë të
qëndrojë i pastër e i begatë!
Politikanët të mbyllin dyert e "xhehnemeve" të tyre politike,
duke hapur dyert e komunikimit
ndërtues me masën, paralelisht duke mbyllur edhe masa
dyert e "xhehnemit" të mosrespektimit dhe mosinteresimit për
drejtuesit e saj, duke hapur dyert e sinqeritetit me bijtë e saj
drejtues!
Atëherë, motër muslimane dhe vëlla musliman!
Le të
përfitojmë nga hapja e dyerve të xhennetit dhe mbyllja e dyerve
të xhehnemit, në këtë muaj, për të filluar reformat ndërtuese
duke filluar nga vetvetja dhe shoqëritë tona, larg intrigës,
fjalëve të pavlera dhe veprimeve të dështuara!
Ndërsa nga lidhja e shejtanëve të përfitojmë për të lidhur edhe
ne egoizmat dhe hipokrizitë, interesat në llogari të tjerëve dhe
kurthet shkatërruese, që frymëzohen nga vetë shejtani!
Le të
lidhim egoizmin, që shkatërron sinqeritetin, në mënyrë që
shoqëria të mos vuajë më nga individët parazitë!
Le të
lidhim hipokrizinë, sepse një ditë do paraqitemi përpara
Krijuesit, e mashtrimet atë ditë nuk do kenë më vlerë!
Të
lidhim smirën, inatin dhe xhelozinë verbëruese sepse ditët e
kësaj bote janë të numëruara dhe çdo krijesë e ka një fund, e
pranoi apo e refuzoi atë!
Të
lidhim mospërfilljen ndaj njëri-tjetrit dhe të respektojmë çdo
individ të shoqërisë tonë dhe mendimin e tij ndërtues, pasi ne
jemi misionarë të ndërtimit, jo shkatërrimtarë!
Shoqëria jonë zotëron forca të jashtëzakonshme, që duke hapur
dyert e "xhennetit", duke mbyllur dyert e "xhehnemit" e duke
lidhur "shejtanët" e saj, mund të japin rezultate të
jashtëzakonshme dhe dobiprurëse për krejt rrethet tona!
Ky
pra, është një nga propozimet e dobishme të Islamit për ne, në
këtë muaj të mirësisë hyjnore!
Edhe
ne me plot sinqeritet e devotshmëri themi: "Mirë
se vjen Muaji i ndryshimeve".
Muhamed Sytari
Thirrës islam, Shkodër
[1]
El Bekare: 185.
[2]
Hektor Saliaj, "Institucioni i agjërimit", revista "Jehona",
nr. 6, dhjetor 2000, fq. 2.