Mirë se vjen…
(U dërgua t'na mësonte, se vetëm me dituri e përparim njeriu mund të arrijë deri në gradat më të larta...)
"Qoftë Salati Zotit mbi te pa pushuë
Lutna Zotit për partij me na pranuë
Edhe qoftë mëshir mbi familjen e atij
Shpirt e pasuni për ta s'asht gja mjeshkri"
Sheh Ahmed Shkodra[1]
Po afrohet ajo ditë e madhe, kur sëbashku me rrezet ndriçuese të
diellit, botën e përshkon edhe ndriçimi i Profetit tonë të
dashur, Muhammedit (a.s), pikërisht në ditën e 12- të të hënës
së re të muajit Rebiul- Evvel.
Rebiul- evvel (pranvera e parë) me të vërtetë që është një
pranverë, ku jeta fillon të marrë ngjyrat më të bukura, ku
flladi i këndshëm të merr me të mirë e ku ti ndjen se po
rifillon…
Mirë se vjen o pranverë e dashur e mirësive dhe e mëshirës..!
Pranverë e dhuratave të mëdha hyjnore dhe e bujarisë..! O muaj i
të përzgjedhurit Muhammed (a.s)!
Shumë kohë më parë në ditët e para të një pranvere të begatë, u
lind Profeti i fundit dhe vula e të dërguarve të Zotit,
Muhammedi (a.s). Sihariqi ishte i madh për njerëzimin, kur vetë
ai, kohë më pas, do të pohonte se: "Unë jam mëshirë e dhuruar"[2]
dhe se: "Jam dërguar mëshirë dhe s'jam dërguar dënim".[3]
Profeti ynë (a.s) u dërgua me mëshirë, për t'na e mësuar
mëshirën dhe për t'na e rrënjosur atë në krejt qënien tonë,
pikërisht kur thoshte: "Kush nuk i mëshiron njerëzit, as All-
llahu nuk e mëshiron"[4] si dhe: "Kush nuk
mëshiron nuk mëshirohet dhe kush nuk fal nuk falet".[5]
U dërgua t'na mësonte etikën e të sjellurit me të tjerët, në
bazë të besimit të sinqertë e njësues të Zotit, kur na thoshte:
"Kush nuk falënderon njerëzit, nuk ka falenderuar as All- llahun".[6]
U dërgua t'na mësonte, se vetëm me dituri e përparim njeriu mund
të arrijë deri në gradat më të larta të besimit dhe frikës ndaj
Krijuesit të tij, sepse ai mësonte se: "Kërkimi i diturisë është
detyrim për çdo musliman"[7] dhe se: "Kërkimi
i diturisë është detyrim për çdo musliman dhe për kërkuesin e
dijes kërkon falje çdo gjë, edhe balenat në det".[8]
Madje ai e krahasonte diturinë me një shoqërues besnik për
besimtarin kur thoshte: "Mëso sepse dituria është miku i
besimtarit"[9] dhe vazhdonte, duke i mësuar
njerëzimit vlerën e diturisë në Islam dhe dobinë e saj për
njeriun, si dhe vlerësimin e madh që i jep Krijuesi i gjithësisë,
atij që angazhohet me dije të dobishme, duke thënë: "Me të
vërtetë All- llahu, banorët e qiellit e të tokës edhe buburreca
në vrimën e saj, edhe balena, luten për atë që u mëson njerëzve
të mirën".[10]
Por ai ishte shumë i vendosur t'i mësonte njerëzve sinqeritetin
në kërkimin e kësaj diturie dhe vendosmërinë në përhapjen e saj,
duke i shërbyer vetes pikë së pari, e më pas të tjerëve, pasi
thoshte: "Shembulli i atij që mëson diturinë dhe nuk ua mëson
atë të tjerëve, është si shembulli i një personi që gropos
thesarin, duke mos shpenzuar prej tij".[11]
Profeti ynë (a.s) ishte shumë i kujdesshëm me njerëzit dhe u
donte të mirën atyre pa përjashtim, sepse misioni i tij ishte
mëshira dhe dashuria prandaj, shpeshherë u thoshte shokëve të
tij: "Shembulli im dhe shembulli juaj është si puna e një
personi që ka ndezur një zjarr, në të cilin fluturat dhe
karkalecat vijnë e hidhen në të, ndërsa ai i largon me dorë që
mos të bien në të. Edhe unë mundohem t' ju largoj nga zjarri e
ju më ikni nga duart".[12]
Falënderimi i takon vetëm All-llahut Mëshirues, i cili na
fisnikëroi duke na bërë pasues të Profetit Muhammed (a.s), i
cili mësonte se: "Çelësi i xhennetit është namazi dhe çelësi i
namazit është pastërtia"[13], duke na
edukuar me frymën e pastërtisë shpirtërore, nëpërmjet namazit
dhe me atë fizike, nëpërmjet pastërtisë materiale. Ai,
gjithashtu thoshte: "Sikur të mos e rëndoja umetin tim, do i
urdhëroja të përdornin misvakun dhe të lyheshin me erëra të mira
për çdo namaz"[14].
I lavdëruar qoftë Ai, i cili na nderoi me besimin tonë në
Muhammedin (a.s), i cili u kujdes për pastërinë e moralit tonë
gjithashtu, sepse ai u thoshte bashkëkohësve të tij besimtarë,
se: "Morali fisnik është prej punëve të xhennetit".[15]
I madhëruar qoftë All- llahu, i cili na mundësoi të ndjekim këtë
Profet fisnik e njerëzor, të mëshirshëm ndaj njeriut e bujar me
të, i cili na mësonte, se: "Nuk më ka besuar mua, kush fle i
ngopur, ndërkohë që komshiu i tij është i uritur dhe ai e di"[16],
duke na shtyrë të duam dhe të interesohemi për komshinjtë, duke
forcuar në këtë mënyrë lidhjet shoqërore të bashkësisë njerëzore.
Ai, na mësonte gjithashtu: "Kush e beson All- llahun dhe ditën e
gjykimit le t'i bëjë mirë komshiut të tij dhe kush beson All-
llahun dhe ditën e gjykimit le të nderojë mikun e tij dhe kush
beson All- llahun dhe ditën e gjykimit le të flasi mirë ose të
heshti"[17], duke na edukuar me një frymë
besimi, kulture, qytetarie e diturie.
I njësuar në tokë e në qiell qoftë All- llahu i vetëm, i cili
na ruajti dhe na ruan nga harami, kur na nderon me ndjekjen e
mësimeve të Profetit tonë (a.s), i cili mëson, se: "Kërkimi i
hallallit është detyrim për çdo musliman".[18]
Atë e falënderojmë që na lartësoi, kur ndoqëm Profetin e Tij,
Muhammedin (a.s), i cili udhëzonte njerëzit, duke i thënë: "I
lumi ai që ruan gjuhën (gojën) e tij, i mjafton shtëpia e tij
dhe qan për gabimin e tij"[19], i cili
forcoi lidhjet e besimtarëve e muslimanëve me njëri- tjetrin,
kur u mësoi atyre, se: "Muslimani te muslimani ka gjashtë të
drejta: Ta përshëndesë kur ta takojë, t'i përgjigjet kur ta
thërrasë, kur të teshtitet t'i urojë shëndet, kur të sëmuret ta
vizitojë, kur të vdesë t'i falë xhenazen dhe të dojë për të, atë
që do për veten e tij".[20]
Ai na mësonte ta duam tjetrin, të mendojmë mirë për të dhe të
ruajmë nderin e tij, si të ishte i yni, pasi thoshte: "Prej
adhurimit të mirë është mendimi i mirë për tjetrin "[21],
sikurse thoshte se: "Kush mbron nderin e vëllasë së tij, do e
mbrojë All- llahu nga zjarri ditën e gjykimit"[22],
sikurse na udhëzonte të jemi të dobishëm për të tjerët, kur
thoshte: "Musliman është ai, që muslimanët janë të shpëtuar nga
goja dhe dora e tij".[23]
Na mësonte të jemi të dobishëm në familje e shoqëri dhe të
mundohemi të eliminojmë çdo të keqe prej tyre, me sa fuqi të
kemi, pasi udhëzonte që: "Kush shikon prej jush një të keqe le
ta ndryshojë me dorën e tij, e nëse nuk mundet le ta ndryshojë
me gjuhën (gojën) e tij, e nëse nuk mundet le ta ndryshojë me
zemrën e tij…".[24]
Paqja dhe bekimi i All- llahut qofshin mbi këtë burrë që
udhëzonte burrat të kujdesen për familjet e tyre dhe të
shpenzojnë për të mirën e tyre, kur thoshte: "Shpenzimet e
burrit për shtëpinë e tij, janë sadeka (lëmoshë)".[25]
Mëshira e Zotit Mëshirëbërës, qofshin mbi atë njeri të madh,
Muhammedin (a.s), i cili i bëri thirrje njerëzve që të jenë të
sinqertë, besnikë e të drejtë në marrëdhëniet e tyre me
njëri-tjetrin, kur u thoshte: "Shenjat e hipokritit (munafikut),
janë tri: Kur flet gënjen, kur premton se mban atë dhe kur i
zihet besë tradhëton"[26], sikurse u
mësonte atyre të ishin të ruajtur nga e keqja e vetes dhe i
udhëzonte të ishin të turpshëm (sepse është transmetuar: "Njëra
prej fjalëve të urta që kanë trashëguar njerëzit nga profetët e
mëparshëm, është: "Nëse nuk ke turp, bëj ç'të duash!"[27])
e të kujdesshëm në veprimet e tyre, kur i mësonte, se: "Kush nuk
ka turp prej njerëzve, nuk ka turp as prej Zotit".[28]
Paqja e Zotit qoftë mbi këtë njeri të urtë që na udhëzonte të
jemi objektivë, realistë dhe të matur në jetë, kur thoshte: "Më
i miri ndër ju është ai që nuk e lë botën e ardhshme për këtë
botë, as botën e tij për botën e ardhshme dhe ai që nuk bëhet i
bezdisshëm për njerëzit".[29]
Ai, na nxiste për mirësi, kur thoshte: "Mirësia është e madhe,
të pakët janë vepruesit e saj"[30],
sikurse porosiste: "Jepini njerëzve meritat e tyre".[31]
Atij i takojnë të gjitha salavatet dhe përshëndetjet e ngrohta.
Ai i jepte shpresë e kurajo muslimanëve për të ecur përpara në
jetë, pa marrë parasysh të mirat e të këqiat me të cilat mund të
ndeshen në të, kur thoshte: "Habitem me muslimanin: Kur e kaplon
ndonjë e keqe duron, ndërsa kur e kaplon ndonjë e mirë e
falënderon All- llahun. Muslimani shpërblehet për çdo gjë, deri
edhe për kafshatën që e ngre deri në gojën e tij".[32]
Ty të takon çdo dashuri, respekt e bindje, pas Krijuesit të
Madhëruar, o dërguar i Tij!
Mësimet e tua janë të shumta, janë si një det mirësie, në të
cilin kushdo që hyn, do të dalë i ndriçuar dhe i paqtë.
A mjaftojnë fjalët e këtij varfanjaku, për të treguar
madhështinë tënde? Absolutisht jo, por të folurit për zotërinë
tënde e pasuron të varfërin dhe e nxit atë të japë nga kjo
pasuri e vyer…
Ditë e madhe është ajo, në të cilën ti erdhe, o i dashur i All-
llahut…
Ditë e madhe është për ata që dinë të vlerësojnë dhuntitë
hyjnore…Për ata që vuajnë nga dashuria hyjnore…Për ata që digjen
nga flakët e dashurisë hyjnore…Për ata që Bajram shpirtëror kanë
ditë të mëdha si kjo, në të cilën ti u linde, o ndriçues i botës
me dritën e Krijuesit të saj.
Prandaj: Mirë se të vish përherë në zemrat dhe mendjet tona,
pasi fron për dashurinë tënde i bëjmë!
Imam Muhamed Sytari
[1] Sheh Ahmed Shkodra, "Meuludi Sherifë",
fq. 3. (Botimi origjinal).
[2] Transmetuar nga Hakimi, nga Ebu
Hurejra (r.a).
[3] Transmetuar nga Bukhariu në "Et-Tarikh"
nga Ebu Hurejra (r.a).
[4] Transmetuar nga Bukhariu, Muslimi,
Ahmedi dhe Tirmidhiu, nga Xheriri (r.a).
[5] Transmetuar nga Ahmedi, nga Xheriri
(r.a).
[6] Transmetuar nga Tirmidhiu, nga Ebu
Hurejra (r.a).
[7] Transmetuar nga Tabaraniu dhe
Bejhekiu, nga Ebu Saidi (r.a).
[8] Transmetuar nga Ibni Abdil-Berr, nga
Enesi (r.a).
[9] Transmetuar nga El-Hekim, nga Ibni
Abasi (r.a).
[10] Transmetuar nga Tirmidhiu, nga Ebu
Umame (r.a).
[11] Transmetuar nga Tabaraniu, nga Ebu
Hurejra (r.a).
[12] Transmetuar nga Ahmedi dhe Muslimi,
nga Xhabiri (r.a).
[13] Transmetuar nga Ahmedi dhe
Bejhekiu, nga Xhabiri (r.a).
[14] Transmetuar nga Said ibni Mensur ,
nga Mekhuli (mursel).
[15] Transmetuar nga Tabaraniu, nga
Enesi (r.a).
[16] Transmetuar nga Bezzari dhe
Tabaraniu, nga Enesi (r.a).
[17] Transmetuar nga Bukhariu & Muslimi,
Ahmedi, Nesaiu dhe Ibni Maxhe, nga Ebu Hurejra (r.a).
[18] Transmetuar nga Dejlemiu, nga
Enesi (r.a).
[19] Transmetuar nga Tabaraniu dhe Ebu
Nuajmi,
nga Thoubani (r.a).
[20] Transmetuar nga Ahmedi, Tirmidhiu
dhe Ibni Maxhe,
nga Aliu (r.a).
[21] Transmetuar nga Ebu Davudi dhe
Hakimi,
nga Ebu Hurejra (r.a).
[22] Transmetuar nga Ahmedi dhe
Tirmidhiu, nga Ebu Derda' (r.a).
[23] Transmetuar nga Muslimi, nga
Xhabiri (r.a).
[24] Transmetuar nga Ahmedi, Muslimi,
Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibni Maxhe, nga Ebu Saidi (r.a).
[25] Transmetuar nga Bukhariu dhe
Tirmidhiu, nga Ibni Mes'udi (r.a).
[26] Transmetuar nga Bukhari & Muslimi,
Tirmidhiu dhe Nesaiu, nga Ebu Hurejra (r.a).
[27] Transmetuar nga Bukhariu nga Ebu
Mes'ud Ukbe ibn Amr (r.a).
[28] Transmetuar nga Tabaraniu, nga
Enesi (r.a).
[29] Transmetuar nga Khatibi, nga Enesi
(r.a).
[30] Transmetuar nga Khatibi, nga Ibni
Amr (r.a).
[31] Transmetuar nga Muslimi dhe Ebu
Davudi, nga Aishja (r.a).
[32] Transmetuar nga Tajalisi dhe
Bejhakiu, nga Sa'di (r.a).