Mevlud në Ramazan…
(Phoenix,
më 15 shtator 2009 )
Ditët e vizitës time në Arizona janë të mbushura me lëvizje dhe
takime të shumta, aktivitete të ndryshme brenda xhamisë dhe
jashtë saj, takime ndërfetare (si ai me drejtorin ekzekutiv të
Lëvizjes Ndërfetare të Arizonës, Dr. Paul Eppinger, drejtorin
ekzekutiv të Këshillit Ekumenal të Arizonës, Rev. Jan Olav
Flaaten etj.), vizita në disa nga qendrat dhe institutet islame
të kryeqytetit Phoenix etj.
Pa dyshim, ndër aktivitetet interesante që ia vlen të përmendet,
janë edhe dy mevlude të zhvilluara gjatë këtij muaji në dy
shtëpi të ndryshme, larg njëra-tjetrës, shumë afër në shpirtin
që i bashkon; dashurinë për Resulull-llahin (a.s)!
Mevludi i parë u zhvillua në shtëpinë e z. Leonard Cami, me
origjinë nga Dibra e Madhe, para disa netëve. Në tubime të
tilla, ku këndohen pjesë nga Kur’ani Famëlartë, Mevludi i H. Ali
Ulqinakut, ilahi, ku organizohen lutje në xhemat dhe ku
zhvillohet edhe një vasë me këshilla dhe udhëzime të ndryshme
nga Kur’ani, tradita profetike etj, marrin pjesë besimtarë të
shumtë që mezi presin të përjetojnë kënaqësitë e këtyre
tubimeve. Atë natë, së bashku me Imamin e AAIC, ishim
organizatorët e këtij tubimi të begatë, prej tubimeve të netëve
të Ramazanit. Atmosfera që kishte përfshirë shtëpinë e z. Cami,
ishte e ngrohtë dhe reflektonte rrezatime profetike, dritë
Ramazani, feksime kur’anore. Si të thuash, çdo gjë përreth nesh
dritësonte dhe dritësohej nga atmosfera e Mevludit Sherifë.
Mevlud në Ramazan…
Këtë atmosferë e përjetuam edhe në shtëpinë e Dr.
Ahmed Mirza, me origjinë
nga Pakistani. Para pak ditësh, ai kishte mbledhur elitën
intelektuale të komunitetit musliman pakistanez në qytetin
Gilbert të Arizonës (rreth 30 minuta larg Phoenix) dhe në
atmosferën e këndimit të Mevludit Sherifë, ilahive, lutjeve dhe
bisedave fetare (njëra prej të cilave nga Imam Didmar Faja dhe
tjetra nga autori i këtyre rreshtave), ata përgatiteshin për
iftarin e natës së dielë (13 shtator 2009) dhe aktiviteteve
fetare që e pasonin atë.
Mevludi i kënduar nga munshidët pakistanezë, karakterizohej nga
qetësia dhe ëmbëlsia, shoqëruar me vija muzikore orientale dhe
sufiste njëkohësisht, fakt që të lejon ta shijosh edhe më shumë
atë që dëgjon me veshët e tu.
Mevlud në Ramazan! Sesi m’u kujtuan këto dy episode sot, një
ditë para organizimeve të Natës së Kadrit, që do të mbahen në
komunitetin musliman të shqiptarëve (AAIC), por jo vetëm, në
Arizona!
Dhe bëra një lidhje të shkurtër me historinë e Mevludeve në
vendin tonë, organizimet e viteve të fundit dhe, me keqardhje
konstatova se realiteti i muslimanëve në Amerikë qëndron shumë
më lart se ai i muslimanëve në vendin tonë, ndonëse të
diplomuarit e teologjisë islame nga universitetet e botës arabe
në këto vende, numërohen me gishtat e njërës dorë, ndryshe nga
vendi im, që gëlon prej tyre… Edhe numri i xhamive, faltoreve
dhe qendrave islame këtu është shumë më i vogël se ai i vendit
tim, por… E meta është diku tjetër..!
Mevlud në Ramazan…
Muhamed Sytari
|
|