Mevlud madhështor në xhaminë e fshatit Bardhej
(Shkodër,
më 7 qershor 2009 )
Me qindra të rinj e të reja, besimtare dhe besimtarë muslimanë,
kanë mbushur sot pasdite xhaminë e fshatit Bardhej, në
aktivitetin e zhvilluar nga këshilli i kësaj xhamie, në
përkujtim të hazreti Muhammedit (a.s) dhe misionit hyjnor me të
cilin u dërgua si mëshirë për gjithësinë.
Në fjalën e tij të hapjes, imami i kësaj xhamie, z. Ilir Dizdari
ka falënderuar të pranishmit për përgjigjen e ftesës dhe u ka
uruar mirëseardhjen në këtë sofër besimi. Njëkohësisht, ai ka
përshëndetur edhe praninë e hoxhallarëve të nderuar, të cilët i
janë përgjigjur ftesës për të marrë pjesë sot në këtë aktivitet
fetar.
Aktiviteti ka filluar me këndimin e një pjese kur’anore nga
thirrësi islam Lavdrim Hamja, pasuar nga fjala e mbajtur nga H.
Faik Hoxha, myfti i Shkodrës (1991-2003).
Në fjalën e tij, ai ka falënderuar organizatorët për aktivitetin
në fjalë dhe ka nxitur të pranishmit për të shtuar sa më tepër
lidhjen me Zotin, nëpërmjet adhurimeve, dhikreve ditore etj.
Gjithashtu ka bërë thirrje për më tepër vëmendje ndaj edukimit
të fëmijëve me respektin ndaj fesë dhe ndjenjën islame, shtimin
e këtyre tubimeve dhe afrimit me xhaminë dhe mesazhet që ajo
përcjellë në shërbim të brezave.
Më pas, thirrësi islam Muhamed Sytari, ka folur mbi vlerën dhe
madhështinë e hz. Muhammedit (a.s) në këtë botë dhe në botën
tjetër. Ai, ka përmendur argumente të bollshme që vërtetojnë
dashurinë e All-llahut për të dërguarin e Tij dhe mirësinë me të
cilën Krijuesi i gjithësisë na ka privilegjuar duke na bërë
pjesë të ymetit të këtij të dërguari të përzgjedhur.
Pas salavatit me xhemat, ka përshëndetur edhe thirrësi islam
Lavdrim Hamja, i cili ka këshilluar të pranishmit për të patur
kujdes me besimin e tyre, të fëmijëve dhe moralin islam që duhet
të përcjellë muslimani tek të tjerët.
Nëpërmjet tregimeve dhe argumenteve të ndryshme, ai ka tërhequr
vëmendjen e të pranishëmve drejt moralit të muslimanit në
marrëdhënie e tij me Zotin, të dërguarin dhe fenë islame.
Më pas teologu Alban Kali, ka kënduar disa pjesë mevludi, ilahi
dhe salavate që janë përcjellur me shumë kënaqësi nga të
pranishmit e panumërt që kishin tejmbushur xhaminë e fshatit
Bardhej.
Me kërkesën e xhematit, ai ka kënduar edhe një pjesë kur’anore,
me të cilën është mbyllur edhe aktiviteti në fjalë.
Në fjalën e mbylljes, imami i kësaj xhamie, ka falënderuar edhe
një herë pjesëmarrjen e madhe të besimtarëve muslimanë të këtij
fshati dhe ka uruar mbarësi e mirësi për ta dhe familjet e tyre.
Për të dytin vit radhazi, për të pranishmit është shtruar “darka
e Resulull-llahit”, një traditë e nisur që vitin e kaluar në
xhaminë e këtij fshati.
Lavdrim Hamja
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
| |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|