Mesazh nga larg…
(Ne jemi një popull që na ka krenuar Zoti (xh.sh) me Islam...)
Shejkh Ahmed
Keftaro
Kryemyfti i Rep. Arabe të Sirisë
Le ta dini, se nëse myslimanët do të kthehen nga Islami i
Kur'anit, duke e lexuar atë fjali- fjali, me qëllim kuptimin,
mendimin në të dhe zbatimin më pas, do të realizohet ndër ta,
thënia e Zotit (xh. sh): {Obligim yni është të ndihmojmë
besimtarët}.[1]
A jemi ne në këto ditë, në gjëndje përkrahje e ndihme nga Zoti
(xh.sh), që prej fruteve të saj është edhe krenaria, miraditë
dhe mposhtja e kundërshtarëve, apo e kundërta është realiteti
ynë?
Myslimanët e parë, nuk ishin të diplomuar nga Universitetet
Amerikane apo Evropiane, por ata ishin diplomuar nga Shkolla e
Kur'anit Famëlartë, i cili nuk thërret vetëm për adhurim, largim
nga kjo botë, veçim nga njerëzit e përkushtim…
Periudha e Hirasë, konsiderohet si a, bë, cëja e Islamit. A je
veçuar ti si i ri dhe ti si e re me Zotin tënd për të ngjallur
zemrën tënde dhe për ta përgatitur atë për bluarjen e fjalëve të
Tij (xh.sh)?! Pasi zemrat nëse nuk ngjallen me dritën e Zotit
dhe të besimit në Të, do të vërtetohet ndër të zotët e tyre
thënia e Tij (xh. sh): {Ata kanë zemra që me to nuk kuptojnë,
ata kanë sy që me ta nuk shohin}[2] dhe
thënia tjetër: {Në të vërtetë sytë nuk verbërohen, por
verbërohen zemrat në kraharorë}.[3]
Ishte pikërisht kjo shpellë, shkolla e parë e Profetit (a.s) në
të cilën veçohej nga çdo gjë tjetër përveç All- llahut (xh. sh),
saqë kur u ndriçua zemra e tij dhe u pastrua nga çdo gjë tjetër,
pos All- llahut, i zbriti Xhibrili me mesazhin e parë hyjnor
(Lexo), që do të thotë: Mëso!
Kur zemra e Profetit (a.s) u mbush me dritë, besim dhe bindje
dhe kur mendja e tij u mbush me urtësi, nuk kaloi vetëm se pak
kohë derisa sahabët e tij morën dëshminë e të qenurit të urtë e
të ditur, saqë nga dija e tyre desh iu afruan shkallës së
profetësisë. Në këtë mënyrë myslimanët e parë, arritën të
bashkojnë gjysmën e botës së vjetër, nga India deri në kufijtë e
Francës, pa nevojën e përdorimit të aeroplanëve, as
autoblindave, derisa Islami mbërriti në Amerikë, fakt për të
cilin dëshmojnë gjurmët islame të gjetura atje…
Nuk duhet ta përkufizojmë Islamin vetëm me çështjet juridike
(fikh), por është detyra jonë të kthehemi nga Kur'ani, i cili ka
nevojë për një zemër të madhe që të kuptojë qëllimet dhe
kuptimet e tij. Dhe me zemrën që përmenda këtu, nuk nënkuptoj
atë copë mishi që pompon gjakun, por shpirtin: {Të pyesin ty për
shpirtin; Thuaj: "Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit
tim, e juve ju është dhënë fort pak dije"}.[4]
Mjeku i trupi shëron trupat, ndërsa mjeku i zemrës shëron zemrën
e sëmurë, për ta bërë atë një pasqyrë në të cilën do të
reflektojë drita e Zotit (xh. sh), duke i dhënë jetë shpirtit
dhe mendjes, duke u bërë personi më pas: {Vërtetë Ibrahimi ka
qenë shembëlltyrë e të mirave}.[5]
Myslimanët në të kaluarën ishin si diej që ngjallnin zemrat me
dritën e Zotit (xh. sh) dhe mendjet me urtësinë e Tij (xh. sh),
duke i ushqyer ato me fjalët e Zotit (xh. sh), duke u bërë
kështu populli më i mirë i njohur në kohëra!
Kur vizitova Indonezinë, më treguan se ai që kishte përhapur i
pari Islamin në atë vend, kishte qenë një tregtar nga Jemeni…
Ata e kuptuan Islamin si një dije trupore, duke kryer obligimet,
si një dije mendore, duke mësuar urtësinë, duke mos rënë në
gabim dhe nëse gabonin, e regullonin shpejt gabimin e tyre…
Ne jemi një popull që na ka krenuar Zoti (xh.sh) me Islam dhe
sado që ta kërkojmë krenarinë me diçka tjetër pos Islamit, Zoti
(xh.sh) do të na përulë!
A janë arabët tani në krenari apo në përulësi?!
Ja, Palestina e skllavëruar, e cila u pushtua nga ata që u
damkosën me përulësinë dhe mjerimin, por që u zhveshën nga kjo
rrobë duke ia veshur myslimanëve, kur ata hoqën rrobën e Islamit
të vërtetë!
Na mundi Izraeli, kur u mburrëm me nacionalizmin, arabizmin dhe
atdhetarizmin, pasi ishim krenarë e të lartësuar me Islam…
Islami nuk e mohon atdhetarinë, pasi (Dashuria e atdheut është
nga besimi)[6], ndërsa juristët islamë
thonë: "Kur t'i kanoset ndonjë rrezik qoftë edhe një pëllëmbë
toke, prej tokave të myslimanëve, është detyrë e tyre të punojnë
për pastrimin e asaj toke nga ai rrezik"!
Tashti, pyes: Agjensitë tona të lajmeve dhe mediat informuese, a
e kanë kryer këtë detyrë e obligim?
Përgjegjësia bie mbi dijetarët në kryerjen e obligimeve, pasi
ata janë trashëguesit e Profetërve, ndërsa ju, vëllezër duhet të
jeni secili thirrësa dhe thirrëse të mësimeve hyjnore, kudo që
të jeni, me zemër të pastër, me mendje plot urtësi dhe me
sjellje shembullore!
Unë jam në fazën e lamtumirës, por ju do ta shihni se Islami po
vjen!
Agimi po vjen dhe domosdo dielli do të dalë, atëherë errësira e
natës humbet në rrezet e diellit ndriçues, me fuqinë e All-
llahut të Madhëruar!
Përktheu nga arabishtja
dhe përshtati në shqip
Imam Muhamed SYTARI
Shkodër, më 31. 07. 2003
[1] Er- Rrum: 47.
[2] El- Arafë: 179.
[3] El- Haxhxh: 46.
[4] El- Isra: 85.
[5] En- Nahl: 120.
[6] Kjo është një fjalë e urtë dhe jo
hadith, sikurse pretendojnë shumë, edhe pse kuptimi i saj është
i saktë, që do të thotë se dashuria e atdheut është shenjë
besimi.