Muhamed Sytari
thirrës islam
Mesazh rinisë muslimane në botë
(Ne jemi një popull që na ka krenuar Zoti (xh.sh) me Islam)
Shejkh Ahmed Keftaro
Dr.
Ahmed Keftaro është Kryemyfti i Sirisë që mot dhe njëkohësisht
një ndër dijetarët dhe mendimtarët më të mëdhenj jo vetëm të
Sirisë, por të botës islame në këtë kohë.
I shquar për komentimin e tij objektiv dhe bashkëkohor të
Kur'anit, të cilin e ka përfunduar mëse tri herë në mësimet e
tija javore ditën e xhuma, në xhaminë "Ebu Nur" në Damask, ku me
dhjetra e mijëra janë ata që e ndjekin me dëshirë të madhe
përfitimi dhe me mall, ai shquhet edhe për shpirtin e madh dhe
ndjenjën e tolerancës karshi tjetrit.
Që në ditët e tija të para të drejtimit nga edukimi dhe dija
islame, ai ka qenë dhe është një prijës i shquar fetar që
thërret në edukimin e shpirtit, mendjes dhe zemrës, në seancat e
përmendjes së Krijuesit, për t'u fuqizuar shpirtërisht dhe në
mbështetjen themelore në kuptimet dhe thelbet e Kur'anit dhe
Traditës së Profetit Muhammed (a.s).
Ndonëse në moshë të thyer, pasi i ka kaluar të 90- t, ai vazhdon
të jetojë me problemet e globit dhe herë pas here bën thirrje
për zgjidhjen e tyre duke iu kthyer dhe referuar mësimeve të
pastra qiellore, mesazh që ia transmeton edhe delegacioneve të
ndryshme politike e fetare nga i gjithë rruzulli, kur e
vizitojnë, pothuajse xhuma për xhuma në xhaminë e tij.
Mesazhin e tij dhe zërin e Islamit e ka transmetuar kudo në botë
që nga India në Kinë, nga Amerika në Britani, nga Vatikani në
Kremlin dhe vazhdon t'ua mësojë studentëve të tij nga dhjetra
vende të botës, të cilët edukohen dhe mësohen në Fondacionin e
madh islam që mban emrin e tij, me Fakultetet dhe Institutet e
tij frytdhënëse.
Pikërisht në këtë xhami, para pak ditëve, Hirësia e Tij Shejkh
Keftaro iu drejtua besimtarëve dhe rinisë muslimane kudo në botë,
me një këshillë në të cilën ndër të tjera, tha: 
Le ta dini, se vetëm kur myslimanët do të kthehen nga Islami i
Kur'anit, duke e lexuar atë fjali- fjali, me qëllim kuptimin,
mendimin në të dhe zbatimin më pas, atëherë do të realizohet
ndër ta, thënia e Zotit (xh. sh): {Obligim yni është të
ndihmojmë besimtarët}.[1]
Prandaj ju pyes, a jemi ne në këto ditë në gjëndje përkrahje dhe
ndihme nga Zoti (xh.sh), që prej fruteve të saj është edhe
krenaria, miraditë dhe mposhtja e kundërshtarëve, apo e kundërta
është realiteti ynë?
Myslimanët e parë, nuk ishin të diplomuar nga Universitetet
Amerikane apo Evropiane, por ata ishin diplomuar nga Shkolla e
Kur'anit Famëlartë, i cili nuk thërret vetëm për adhurim, largim
nga kjo botë, veçim nga njerëzit e përkushtim, por edhe për
organizimin material të jetës dhe shikimin në mundësitë e
arritjes së suksesit sipas rrugëve të tija legjitime.
Periudha e shpellës Hira, konsiderohet si a, bë, cëja e Islamit,
prandaj a ke përfituar ti si i ri, duke u veçuar me Zotin tënd
për të ngjallur zemrën tënde dhe për ta përgatitur atë për
bluarjen e fjalëve të Tij (xh.sh)?! Pasi zemrat nëse nuk
ngjallen me dritën e Zotit dhe të besimit në Të, do të
vërtetohet ndër të zotët e tyre thënia e Tij (xh. sh): {Ata kanë
zemra që me to nuk kuptojnë, ata kanë sy që me ta nuk shohin}[2]
dhe thënia tjetër: {Në të vërtetë sytë nuk verbërohen, por
verbërohen zemrat në kraharorë}.[3]
Ishte pikërisht Hiraja, shkolla e parë e Profetit (a.s) në të
cilën veçohej nga çdo gjë tjetër përveç All- llahut (xh. sh),
saqë kur u ndriçua zemra e tij dhe u pastrua nga çdo gjë tjetër,
pos All- llahut, i zbriti Xhibrili me mesazhin e parë hyjnor (Lexo),
që do të thotë:
Mëso!
Kur
zemra e Profetit (a.s) u mbush me dritë, besim dhe bindje dhe
kur mendja e tij u mbush me urtësi, nuk kaloi vetëm se pak kohë
derisa sahabët e tij morën dëshminë e të qenurit të urtë e të
ditur, saqë nga dija e tyre desh iu afruan shkallës së
profetësisë.
Në këtë mënyrë myslimanët e parë, arritën të bashkojnë gjysmën e
botës së vjetër, nga India deri në kufijtë e Francës, pa nevojën
e përdorimit të aeroplanëve, as autoblindave, derisa Islami
mbërriti në Amerikë, fakt për të cilin dëshmojnë gjurmët islame
të gjetura atje…
Nuk duhet ta përkufizojmë Islamin sot, vetëm me çështjet
juridike (fikh),
por është detyra jonë të kthehemi nga Kur'ani, i cili ka nevojë
për një zemër të madhe që të kuptojë qëllimet dhe kuptimet e tij.
Dhe me zemrën që përmenda këtu, nuk nënkuptoj atë copë mishi që
pompon gjakun, por shpirtin: {Të pyesin ty për shpirtin; Thuaj:
"Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, e juve ju
është dhënë
Myslimanët në të kaluarën ishin si diej që ngrohnin zemrat me
dritën e Zotit (xh. sh) dhe mendjet me urtësinë e Tij (xh. sh),
duke i ushqyer ato me fjalët e Zotit (xh. sh), duke u bërë
kështu populli më i mirë i njohur në kohëra!
Kur vizitova Indonezinë, më treguan se ai që kishte përhapur i
pari Islamin në atë vend, kishte qenë një tregtar nga Jemeni…
Ata e kuptuan Islamin si një dije trupore, duke kryer obligimet
dhe si një dije mendore, duke mësuar urtësinë, duke mos rënë në
gabim dhe nëse gabonin e regullonin shpejt gabimin e tyre…
Ne jemi një popull që na ka krenuar Zoti (xh.sh) me Islam dhe
sado që ta kërkojmë krenarinë me diçka tjetër pos Islamit, Zoti
(xh.sh) do të na përulë!
Por, a janë arabët momentalisht në krenari apo në përulësi?!
Ja, Palestina e skllavëruar, e cila u pushtua nga ata që u
damkosën me përulësinë dhe mjerimin, por që u zhveshën nga kjo
rrobë duke ia veshur myslimanëve, kur ata hoqën rrobën e Islamit
të vërtetë!
Na mundi Izraeli, kur u mburrëm me nacionalizmin, arabizmin dhe
atdhetarizmin, pasi ishim krenarë e të lartësuar me Islam…
Islami nuk e mohon atdhetarinë, pasi (Dashuria e atdheut është
nga besimi)[5],
ndërkohë juristët islamë thonë, se: "Kur t'i kanoset ndonjë
rrezik qoftë edhe një pëllëmbë toke, prej tokave të myslimanëve,
është detyrë e tyre të punojnë për pastrimin e asaj toke nga ai
rrezik"!
Tashti, me të drejtë pyes: Agjensitë tona të lajmeve dhe mediat
informuese, a e kanë kryer këtë detyrë e obligim apo kanë
heshtur?
Përgjegjësia bie mbi dijetarët në kryerjen e obligimeve, pasi
ata janë trashëguesit e Profetërve, ndërsa ju vëllezër e motra
duhet të jeni secili thirrës dhe thirrëse të mësimeve hyjnore,
kudo që të jeni, me zemër të pastër, me mendje plot urtësi dhe
me sjellje shembullore!
Unë jam në fazën e lamtumirës, por ju do ta shihni se Islami po
vjen!
Agimi po vjen dhe domosdo dielli do të dalë, atëherë errësira e
natës humbet në rrezet e diellit ndriçues, me fuqinë e All-
llahut të Madhëruar!
Përktheu nga arabishtja
dhe pajisi me një hyrje të shkurtër
Muhamed SYTARI
thirrës islam- Shkodër
[1]
Er- Rrum: 47.
[2]
El- Arafë: 179.
[3]
El- Haxhxh: 46.
[4]
El- Isra: 85.
[5]
Kjo është një fjalë e urtë dhe jo hadith, sikurse
pretendojnë shumë, edhe pse kuptimi i saj është i saktë,
që do të thotë se dashuria e atdheut është shenjë besimi.