Mbrëmje poetike në xhaminë e Parrucës
(Shkodër,
më 21 korrik 2009 )
Me iniciativën e imamit të xhamisë Parrucë, teologut Naim Drijaj,
në xhaminë e Parrucës pas akshamit të çdo dite të martë,
organizohen ligjërata nga intelektualë, teologë e studiues të
ndryshëm, të cilët sjellin para dëgjuesve njohuri dhe
eksperienca pozitive që shërbejnë në gjallërinë e jetës së
xhamisë.
Sonte, i ftuar i kësaj tryeze ishte thirrësi islam Muhamed
Sytari. Në kumtesën e mbajtur para të pranishëmve, ai ka folur
mbi poezinë e Imam Shafiiut, njërit ndër korifejtë e diturive
islame ndër shekuj.
Pasi ka shpalosur momentet më interesante të jetës së këtij
dijetari, Sytari ka interpretuar para të pranishëmve poezi nga
divani i Imam Shafiiut, për të cilin ka thënë: “Me krenari
legjitime, them se jam i pari që kam sjellur në gjuhën shqipe
pjesë nga divani i Imam Shafiiut”.
Ndër poezitë e interpretuara prej tij, përmendim:
Shpirti i lirë
Vullneti im- është vullnet mbretërish,
shpirt i lirë- është shpirti im.
Përulja për të është mosbesim!
Përgjigja ndaj të keqit
Thuaj ç'të duash, kur nderin të më shash,
heshtja ime ndaj të keqit përgjigje është.
Përgjigjen, s'e ndaloj.
S'u shkon luanëve, lehjen e qenve të kthejnë!
Askush s'shpëton nga fjalët e njerëzve
Askush nga fjalët e njerëzve nuk shpëton,
edhe sikur Profet i pastër të ishte.
Nëse hesht, thonë memec i shkreti,
e nëse flet, thonë fjalëkeq i mjeri.
Nëse agjëron dhe natën falet,
gënjeshtar, thonë, egoist dhe mashtrues!
Mjerim
Mjerim është të duash,
kur ai që do, kë tjetër do!
Edhe njeriut të mirën t'i duash,
kur ai vetëm të keqen të do!
Larg, shumë larg do të shkoj...
Do largohem, do udhëtoj nëpër botë,
qëllimin tim të arrij, a i huaj të vdes.
nëse rrugës shkoj, shpirtin Zoti e mëshiroftë,
nëse shpëtoj, kthimi im i afërt do jetë!
Në përfundim të kësaj mbrëmjeje poetike, me Imam Shafiiun,
thirrësi islam Muhamed Sytari është lutur për vijimësinë e
këtyre tubimeve që ia shtojnë vlerat dhe dobitë organizimeve në
xhamitë tona.
Ahmed Mahiri