Madhështia e shpirtit islam
(...gjurmët e të cilit nuk shuhen kurrë, sepse në thelb kanë realitetin jetësor dhe realitetin hyjnor)
Kohë
më parë Imam Muhamed Sytari botoi librin
“Madhështia e shpirtit Islam...”.[1]
Përmbajtja e këtij libri është refleks i një ftese nga Qendra
Islame Shqiptare Amerikane të Arizonës
(AAIC), nga data 31 gusht deri më 4
tetor 2009, ku Imam Muhamed Sytari ishte
i mirëseardhur dhe i mirëpritur për të
marrë pjesë në aktivitetet fetare me
rastin e muajit të madhënueshëm të
Ramazanit dhe Fitër Bajramit, të
zhvilluara në “Greenway Masjid”, në
Phoenix.
Njohja me këtë realitet te ri e të
largët siç është Amerika, shpesh herë në
vetvete i shumë ëndërruar, është tashmë
një realitet dhe ti udhëton drejt këtij
realiteti, ku e panjohura dhe e njohura
janë bashkudhëtarë.
Udhëtimi që përkon me muajin e
madhënueshëm të Ramazanit, zbritja në “tokën
e lirive”, njohja me qytete të tilla, si:
Phoenix, Glendale, Tempe, Gilbert etj.,
(që autorit të librit iu “kthyen në ditë
hixhreti”), njohja me xhematë muslimanë
që nuk i ke menduar se mund t’i
takosh ndonjëherë në jetë, me xhami,
akademi, shkolla e institucione fetare
etj., njohja gjithashtu me njerëz që e
duan fenë islame, që kontribuojnë me
devocion etj., - janë pak a shumë
në vija të përgjithshme portreti i këtij
libri, që në palcën e tij ka mirënjohje
e falënderime, mbresa e kujtime,
pjesëmarrje e takime të paharruara...;
të cilat flasin për dëshmi autentike e
përqasjeje, të cilat fokusohen si
vlera të patjetërsueshme në madhështinë
e shpirtit Islam.
Në paraqitjen e kujtimeve, autori i
këtij libri e paraqet veten në dy
pozicione: a) të kundruesit të
kujdesshëm për të parë e për të
përfituar çdo gjë të vlefshme, duke i
fiksuar e përjetësuar në shpirtin e
kujtesës. b) si pjesëmarrës aktiv në
veprimtari të ndryshme, si “i panjohur”
por në fakt i njohur. Këtë shkrirje
organike, Imam Muhamed Sytari e pohon
kështu: “ditët e kaluara në mesin e
muslimanëve shqiptarë në Amerikë u bënë
ditët më të veçanta e më të larmishme të
jetës sime në shërbim të Thirrjes Islame.”[2]
apo “... të përjetoj së bashku me ta
(muslimanët shqiptarë, - nënvizimi im)
kënaqësitë e një muaji plot besim e
shpirt sakrifice.”[3]
Në rrëfimin e tij, sa teologjik aq dhe
poetik, Imam Muhamed Sytari paraqitet si
një vëzhgues i hollë dhe i vëmendshëm
gjatë gjithë përjetimeve të tij në
raporte me dukuri të ndryshme të
realitetit ekzistues. Kjo ka bërë që në
gjithë tekstin e tij, të mbizotërojnë
detajet (të shprehura herë në mënyrë të
drejtpërdrejtë e herë në mënyrë
metaforike) që mbartin e shprehin
ngarkesa emocionale dhe funksione, si:
të përcaktuesit, të mesazhit e të
ndërlidhësit kohor. Doemos rrafshet
paraqitës janë të shumtë, por ne po
përqendrohemi në disa prej tyre.
-Edhe në këtë udhëtim të largët drejt
Amerikës, Imam Muhamed Sytari e ka në
shpirt Vendlindjen, Shkodrën e tij të
shtrenjtë, herë pas here bisedon me të.
Është njohës i mirë i rrënjëve dhe i
historisë së saj, i diakronisë dhe
sinkronisë së saj. Ja, se si i
përshkruan dy figura të rëndësishme me “tharm”
Shkodre: “... në po atë vend (Amerikë, -
nënvizim im) ku gati një shekull më parë
kishte shkelur edhe hoxha shkodran, H.
Salih ef. Myftija, në rrugën e shpëtimit
të besimit të tij dhe ruajtjes së
dinjitetit të fesë islame dhe
identitetit kombëtar nga invadorët
xhahilë që kishin nisur të mësynin
njëri pas tjetrit Shqipërinë e pas
pavarësisë, në terren, besim e kulturë...
Në atë vend, ku dekada më parë ezheristi
shkodran, Imam Vehbi Ismaili, kishte
shkuar për të realizuar aspiratat e një
jete të tërë në shërbim të vlerave
fetare islame dhe kombëtare...”[4]
-Personazhet që “lëvizin” në këtë libër
janë vizatuar në individualitetin e tyre
me mjeshtri ku gërshetohen frytshëm
teologjikja me artistiken. Gjatë leximit
nuk mund të harrojmë epitetet
mbresëlënëse të këtyre njerëzve që i
ofruan autorit të librit ngrohtësi,
dashuri dhe shpirt Islam. Po përmendim
disa: Imam Ditmar Faja, hoxha i
përkushtuar ndaj komunitetit të tij;
Bardhyl Kosovrasti, aktivisti i zellshëm
dhe burri i devotshëm në rrugën e
ruajtjes së dinamikës në xhami dhe në
qendrën Islame Shqiptare; Ylber Fetahu,
burri i urtë dhe dashamirë; Hisa Saiti,
shembulli i njeriut të përkushtuar ndaj
familjes, shoqërisë e xhamisë, etj.
-Libri ka hapësirën e shpirtit Islam. Ai
nis me fjalën e madhërishme Bismil-Lah
dhe përfundon (në fakt me një vazhdimësi
fjale) të titulluar: “Gjurmë besimi”.
Brenda këtyre dy nocioneve bashkëjetojnë
dhe udhëtojnë përjetësisht edhe këto
sintagma, si: falënderim dhe mirënjohje,
Akademia kulturore e Arizonës dhe
Shkolla Islame në Phoenix, Namazi i parë
i teravisë dhe Dersi i xhumasë,
Pasaporta e Resulull-Llahit dhe sofra e
komunitetit indian, miq në shtëpinë e
një myslimani amerikan dhe Intervista me
z. Richard Pedigo, Mevludi në Ramazan
dhe Iftari i Natës së Kadrit, Një natë
sa një Jetë dhe Selami i fundit i një
teravie, Madhështia e një feste që na
bashkon të gjithëve dhe... Ishin imazhet
e një Shqipërie të Madhe me shpirt
Islam.
- Gjatë qëndrimit në Amerikë, çdo ditë
dhe ditët e marra së bashku kanë disa
konkluzione të rëndësishme e jetike që
ka bërë autori duke u ballafaquar me
përditshmërinë e tij si vlerë njohëse,
progresive e vizionare, por,
njëkohësisht përbëjnë themelin mbi të
cilën ngrihet godina e librit në fjalë.
Ata janë: 1. Dinamika e jetës 2.
Hapësirat e shumta si mundësi 3.
Harmonia ndërkomunitare 4. Ndjenja e
përgjegjësisë. Këto nocione që kanë
dimension identiteti, jetese dhe
ardhmërie zbërthehen përmes argumenteve,
të cilat kanë një bazë historike e
përvojë brezash dhe janë dëshmi e jetës,
mësimit dhe realitetit amerikan, ku
kontribuojnë në mënyrë të vlertë e të
dobishme edhe komuniteti mysliman.
Kjo është arsyeja që autori Imam Muhamed
Sytari të gjithë kapitujt e librit i ka
vënë në funksion të ruajtjes dhe të
zbërthimit të simbolikës së titullit.
Një zbërthim i karakterit analitik dhe
sintetik, që i japin këtij libri vlerat
e një dokumenti jetë e shpresëdhënës
gjurmët e të cilit nuk shuhen kurrë,
sepse në thelb kanë realitetin jetësor
dhe realitetin hyjnor.
Xhahid Bushati
[1]
Sytari, Muhamed: “Madhështia e shpirtit
Islam...” (Kujtime nga Ramazani në “Greenway Masjid” në mesin e
shqiptarëvë të Phoenix – AZ), botim i Sh.B. “Camaj-Pipa”,
Shkodër, 2010)
[2] Po aty, faqe 12, kapitulli: “Bismil-Lah...”
[3] Po aty, faqe 7, kapitulli: “Falënderim
dhe Mirënjohje…”
[4] Po aty, faqe 11, kapitulli: “Bismil-Lah”
|
|