Madhështia e një Feste që na bashkon të gjithë…
(Phoenix,
më 20 shtator 2009 )
Selami i fundit i një teravie…
Jacia e ditës së xhuma, ishte momenti në të cilin do të
përcillnim së bashku namazin e teravisë. Sesi ndjehesha teksa
drejtoja ato 20 rekate, me të cilat krijuam një shoqëri të
papërshkrueshme për krejt netët e këtij muaji të madhëruar… Sesi
ndjehesha, saherë me “All-llahu ekber” merrja të tjerët pas vete
në valët e teravisë së fundit të këtij Ramazani të mbushur me
shpirt dashurie… Në momente të caktuara, zemra nuk ndjehej. Të
rrahurat e saj shpesh përziheshin me shpirtin e kësaj teravie që
ishte nisur drejt udhëtimit të saj… Nuk ishte e lehtë të
ndaheshe nga shoqëria e namazit njëzetrekatësh, ndonëse vetë
muaji i Ramazanit ishte bërë gati për udhëtim…
“Es-selamu alejkum ve rahmetull-llah”… Me gjysëm zëri, selami i
fundit i kësaj teravie, ishte ndarja më e ëmbël e kësaj bote
dhe..., kishim hyrë në orbitën e ditës së fundit të muajit të
agjërimit, pas së cilës do të vinte një ditë, jo si çdo ditë…
Tashmë Fitër Bajrami ndjehej në derë… Lamtumira, ishte bërë një
me lotët e ndarjes, ndërkohë atmosfera në të cilën ndodheshim
kishte filluar të përzihej me shpirtin e ditës së fundit të një
agjërimi 30 ditor…
Ishte dita e parë e Fitër Bajramit…
Mëngjesi i ditës së parë të Fitër Bajramit, na gjeti në sallën e
madhe të “Foothills Recreation Center”, e cila ishte
shtruar e tëra në pritje të tubimit për ceremoninë e faljes së
namazit të Fitër Bajramit. Shqiptarët (që përbënin pjesën
dërrmuese të xhematit), vinin grupe-grupe. Fitër Bajrami kishte
bashkuar në ceremoninë e fillimit të tij familjet e shumta
shqiptare, me banim në qytete të ndryshme të Arizonës. Të gjithë
dukeshin të gëzuar, si vetë kjo ditë! Ngado dëgjoheshin tekbiret
e kësaj dite, që e kishin pushtuar hapësirën akustike të krejt
sallës. Ato, sikur ftonin njëri pas tjetrit, të gjithë të
pranishmit, për të zënë vend, në pritje të fillimit të
celebrimeve të kësaj dite festive. Zërat e fëmijëve, të qeshurat
e tyre, fytyrat e qeshura e përqafimet e
përzemërta me shtërngime e duarsh, ishin gjëja e parë që
të kapte syri. Ishte dita e parë e Fitër Bajramit…
Teksa salla po mbushej, koha e fillimit të ceremonisë së kësaj
feste të madhe po afronte. Kishte ardhur momenti për të filluar.
Imam Didmar Faja, nisi të këndonte ajetet e fundit të sures “El-Furkan”
dhe me zërin e tij bëri që salla (e tejmbushur nga dyndja e
besimtarëve) të binte në nëj heshtje të lumtur. Nëpërmjet zërit
të tij, ajetet e Kur’anit, shpërndanin kudo mirësi dhe dritë!
Ëmbëlsia e përmbajtjes së tyre i jepte shpirt, shpirtit të kësaj
feste! Dhe, ngado ndjehej prekja e përshpirtshme e ajeteve që
përshkruanin natyrën e besimtarëve të përulur para madhërisë së
Zotit të tyre Krijues..!
Këndimi i tij u pasua me tekbiret e Bajramit, pas së cilave
ishte radha ime të këndoja një tjetër pjesë kur’anore. Kisha
përzgjedhur fillimin e sures “El-Feth”, ajetet e së cilës
rrezatonin mbarësinë e All-llahut mbi të dërguarin e Tij dhe
mbarë besimtarët. Në jehonën e tyre, përziheshin edhe lutjet e
dëshirat e secilit, për ecurinë dhe evulimin e kësaj Thirrje të
madhnueshme Islame, kudo në botë, veçanërisht këtu, në vendin e
lirisë! Në botën e këtyre ajeteve, prania e panumërt e
besimtarëve shqiptarë, amerikanë, indonezianë, pakistanezë,
kinezë, indianë etj, të mbledhur për faljen e Fitër bajramit,
përkthente copëza të ndritshme nga një histori e lashtë (mbi 14
shekullore), që nëpërmjet tyre përsëriste veten. Dukej se aty
ishte Resulull-llahi (a.s) dhe sahabët e tij! Dukej se shpirti i
begatisë hyjnore mbi tubimin e tyre, kishte zbritur edhe mbi ne…
Dukeshim, si një vazhdim i përshpirtshëm i tubimit të sahabëve,
para duarve të Mësuesit, nën hijen e pemës së Ridvanit,
pemës së Besës…
Ishin imazh i një Shqipërie të Madhe me shpirt islam…
Në programin e kësaj ceremonie, ishte përfshirë edhe dersi në
gjuhën shqipe, që duhet të mbaja para asaj turme të madhe
besimtarësh shqiptarë. Në mesin e tyre kishte shumë fytyra të
reja që nuk i kisha njohur më parë, në ditët e netët e
Ramazanit. Shumë prej tyre vinin nga shumë larg, si e si të
prezantonin këtë ceremoni. Nuk kisha patur rast të shihja më
parë kaq shumë shqiptarë me origjinë nga krejt trevat shqiptare,
të tubuar në një vend, aq më shumë në një sallë falje! Ishin
imazh i një Shqipërie të Madhe me shpirtin karakteristik islam,
shpirtin e fesë së gjyshërve e baballarëve të shkuar, lutjet e
të cilës na qëndrojnë si bekim mbi kokë! Ishin brezat e rinj që
vazhdonin stafetën dhe mbanin në dorë torçën e udhëzimit,
pishtarin e Islamit që i kishte tubuar nga çdo cep i Arizonës.
Në Amerikë, përtej rolit intrigues dhe analizave ekstreme e
denigruese të disa mediave dhe
organizatave radikale me frymë inkuizitore, feja islame përhapet
dita-ditës dhe numri i atyre që trokasin në dyert e saj është i
madh. Sot në Amerikë, Islami është feja e dytë për nga numri i
besimtarëve! (Kushedi sesi mund t’i tingëllojnë këto fjalë
disave në vendin tim, që frymën e mediave të lartpërmendura e
kanë bërë fenë e tyre personale, fe të shenjtë (ndonëse s’është
fe, ndonëse s’është e shenjtë)!?)
Ndjehesha shumë mirë dhe isha i lumtur që po ndaja me secilin
prej tyre kënaqësitë e panumërta të kësaj dite të madhe!
Në atmosferën e dersit të këtij Bajrami, ajetet, hadithet dhe
ngjarjet nga historia islam, të shoqëruar me komente, analiza e
mesazhe, kishin pushtuar sallën. Të gjithë notonim në ujërat e
paqta të tyre. Ishim bërë një, para shpirtit të mesazheve
hyjnore që buronin nga argumentet e shumta. Të gjithë dëgjonin.
Të gjithë vështronin. Secili e gjente veten në dritën e një
ajeti a një fjale profetike. Para duarve të shembujve të
ndryshëm, të gjithë ishim të vegjël e nevojtarë për pak dritë
udhëzimi e ngrohtësi besimi…
“Ju kam vëllezër, ju dua të gjithëve dhe ju përqafoj!”
Nëpërmes tekbireve të shumta, Imam Didmar Faja u ngrit hatib, në
podiumin e vendosur në ballë të sallës së faljes.
Tradicionalisht hytbeja mbahet në gjuhën angleze, ndryshe nga
dersi. “Përpara se të fillojë me hytben e këtij Bajrami, më
lejoni që edhe në emrin tuaj të falënderoj kontributin e
thirrësit islam Muhamed Sytari dhënë në komunitetin tonë gjatë
ditëve të Ramazanit që sapo kaloi. E falënderojmë për
ligjëratat, këshillat e tubimet e zhvilluara në shërbim të
xhamisë dhe bashkësisë tonë. Më lejoni, edhe në emrin tuaj, t’i
shpreh mirënjohjen më të thellë për këtë kontribut të
dobishëm…”- ishin fjalëte imamit të shqiptarëve, që në mesin e
të gjithëve më dorëzoi një dhuratë simbolike në emër të
komunitetit.
I emocionuar, ndjehesha i detyruar për të shprehur mirënjohjen
time për të gjithë. Për mikpritjen, respektin, nderimin dhe
shpirtin e harmonisë ndërkomunitare që gjeta në mesin e tyre.
Imamit të AAIC i dhurova një përmbledhje të krejt kujtimeve dhe
shënimeve të mia të mbajtura gjatë këtyre ditëve të paharruara
në Phoenix. Me duartrokitje e tekbire, të pranishmit shoqëruan
fjalët tona, këmbimin e dhuratave, shtrëngimin e duarve. Ishte
një emocion i fortë! Ishte dhurata më e çmuar e këtij Fitër
Bajrami! Për pak momente, i vështrova sërish të pranishmit. Po
këmbenim vështrime mirënjohje të ndërsjellët. Nga thellësia e
zemrës e ndjeva t’u them: “Ju kam vëllezër, ju dua të gjithëve
dhe ju përqafoj!” dhe me lëvizjen e së djathtës time drejt tyre,
m’u bë se preka shpirtin e mirënjohjes së secilit …
Pas përfundimit të hytbes së Bajramit, shoqëruar edhe nga
tekbiret, turma e të pranishëmve u drejtua nga ne. Në mesin e
përqafimeve të ngrohta e vëllazërore, dukej se atmosfera e këtij
Fitër Bajrami nuk do të kishte të sosur…
Muhamed Sytari
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|