Libri i ri i Imam Muhamed Sytarit
(“Dhe kthehet kjo hëna e re e Ramazanit...”)
Ditën e mërkurë, më 23 dhjetor 2009, doli nga shtypi libri i
ri i thirrësit islam Imam Muhamed Sytari, i titulluar: “Dhe
kthehet kjo hëna e re e Ramazanit...”. Libri në fjalë është një
përmbledhje e shërbesave fetare të kryera nga autori gjatë
Ramazanit 1429/2008 në xhami të ndryshme të rrethit Shkodër dhe
jashtë tij.
“Materiali që vjen sot në dorë të lexuesit është në një
farë mënyre një vijimësi e asaj pune të madhe shërbestare në
rrugën e gjallërimit të jetës islame në vendin tonë, (sidomos në
xhamitë e fshatrave, ku nevoja për një prezantim cilësor e
kompetent i mësimeve të fesë tonë është më e madhe se kudo
tjetër).
Angazhimet e Ramazanit 1429/2008, ishin të mbushura me shumë
dashuri, përkushtim e motivim për të mos u ndalur në një rrugë
të nisur me kohë, në një mision sa të lashtë aq të ri, në
forcimin e besimit dhe elementëve të fesë islame në jetën e
shoqërisë shqiptare. Një mision e një shpirt, për të cilët,
shoqëria e jonë ka nevojë sot më shumë se asnjëherë tjetër..!
Xhami të shumta, besimtarë të panumërt, biseda fetare, takime
intelektuale, iftare vëllazërore e ndërfetare, vase, hatme
Kur’ani, mexhlise dhikri, namaze nate, duá me xhematet, hytbe
xhumaje, hytbe Bajrami, shkrime në gazeta e revista, publikime
në internet, intervista e mesazhe televizive etj, ishin
elementët përbërës të këtij muaji të madhnueshëm, plot energji,
muaj sakrifice, shërbimi e dashurie, që përveç pasurisë
shpirtërore, u bënë edhe motiv nxitës për ditët postramazanore.
Kujtimet dhe refleksionet e këtij Ramazani, i mblodha dhe i
rreshtova në faqet e këtij libri, me shpresën e mirë që të
shërbejnë si shembull pozitiv për imamët, hatibët dhe të
angazhuarit me seriozitet e siqeritet në shërbim të Thirrjes
Islame në Shkodër e përtej saj.”- shkruan në parathënien e
librit të tij të ri autori.
Në këtë libër, të ilustruar edhe me fotot e rastit, lexuesi do
të ketë mundësi të përjetojë emocionet e netëve të madhnueshme
të Ramazanit 1429, por edhe aktiviteteve të tjera të realizuara
gjatë tij nga autori dhe bashkëpunëtorët e tij.
“All-llahut i lutem ta pranojë këtë punë prej meje dhe të ma
kthejë shpërblimin e saj në ditën e gjykimit, atë ditë kur
njeriu do të ketë nevojë më shumë se kurrë për një vepër të mirë
të pranuar e një shpërblim të pëlqyer nga Zoti i gjithësisë!
Amin, për hatrin e Zotërisë së bijve të Ademit!”- përfundon
parathënien e librit të tij të ri Imam Muhamed Sytari.
Libri në fjalë është botim i Sh.b. “Progresi”, është redaktuar
nga shkrimtari Xhahid Bushati dhe është botuar në shtypshkronjën
“Volaj”, Shkodër.
![]() |
