Myftiu i parë i Shkodrës në faqet e një libri…
Imam Maliku: “Prej çdo njeriu merret, por edhe refuzohet!”, ç’ka vërteton natyrën njerëzore të secilit... !"
Para pak ditësh shtëpia botuese
“LOGOS-A”, në Shkup, ka nxjerrë në qarkullim një libër mbi jetën
e Myftiut të Shkodrës (1991-2003), H. Faik Hoxha.
Libri në fjalë është vepër e thirrësit islam Imam Muhamed Sytari
(aktualisht Myfti i Zonës Shkodër). Në rreshtat e këtij libri,
autori ka shpjeguar qëllimin e kësaj pune, duke u shprehur se:
“heshtja e madhe me të cilën është rrethuar personaliteti i
Myftiut Faik Hoxha (më jetëgjati në drejtimin e kësaj detyre të
vështirë, aq më tepër në një qytet si Shkodra e pas viteve 1990)
dhe elementë të shumtë përreth saj, që e bëjnë më intriguese, më
kanë “thirrur” dhe më kanë “kërkuar”, për t’u bërë nxitësit
kryesorë që në një ditë të bukur qershori, të trokas në derën e
madhe të shtëpisë së vjetër të Haxhi Faik Hoxhës, për t’i
kërkuar me vendosmëri të më hapë “dosarët” e jetës së tij, për
të parë në to se kush është në të vërtetë ky njeri që kaderi e
solli të ishte Myfti i Shkodrës për 12 vite me radhë! Çfarë
përfaqëson ai në mesin e një vargu të gjatë hoxhallarësh,
myftilerësh e shërbyesish të përkushtuar ndaj Thirrjes Islame në
vendin tonë? Çfarë kontributi ka ai në lëvizjen islame të këtyre
dy dekadave të fundit në Shkodër, por jo vetëm? E, në prehrin e
80 viteve jetë që mban mbi supe, si e ndjen veten përpara
pasqyrës së jetës? Një jete, plot peripeci e ngjyra..!? Një jetë
plot vuajtje, mundime, por edhe të papritura të këndshme...”-
(fq. 7-8).
Më pas, në faqet e këtij libri janë përfshirë intervistat që autori ka
zhvilluar me personazhin kryesor të kësaj vepre, duke marrë
direkt nga goja e tij të pathënat e një jete të mbushur me
zhvillime të ndryshme.
Një vend i domosdoshëm në këtë libër i kushtohet edhe
personalitetit të Sheh Qazim Hoxhës, për të cilin i biri rrëfen
momente shumë interesante nga jeta dhe mendimi i tij.
Autori ka shfrytëzuar edhe arkivin e Myftinisë Shkodër për të
nxjerrë prej tij fazat nëpër të cilat kaloi kjo myftini nën
drejtimin e Faik Hoxhës. Në këtë kapitull të titulluar “Gjurmë
arkivi…”, autori ka theksuar se: “Nëpërmjet këtyre shkresave (jo
tërë shkresave të viteve të Myftinisë së tij), lexuesi do të
ketë mundësi të lexojë në mënyrë të drejtpërdrejtë zhvillime
interesante të jetës fetare islame në Shkodër në disa momente të
zhvillimit të saj.
Nëpërmjet deklaratave e fjalimeve, relacioneve me shkrim,
kërkesave për ndërtim të xhamive a lirim të objekteve islame të
zëna padrejtësisht, projekteve për zhvillimin e aktiviteteve
elitare, afrimin e intelektualëve Myslimanë të kohës,
gjallërimin e bibliotekës islame shqiptare me libra seriozë që
pasurojnë njohuritë tona mbi jetën e hoxhallarëve mendjendritur
të Shkodrës (si: “Në kujtim të brezave”, “Mevludet në gjuhën
shqipe” etj), organizimin e ceremonive fetare për netët e mëdha,
këndimin e mevludit etj, përpjekjet për hapjen e medresesë,
marrëdhëniet me shoqatat bamirëse islame etj, mund të krijohet
një imazh i përpjekjes, në vazhdimësi, për t’i shërbyer
Thirrjes Islame në Shkodër gjatë kësaj periudhe.
Në arkivin e atyre viteve (të cilin e kam shfletuar, lexuar e
hulumtuar me shumë vëmendje e durim), ka dokumente të ndryshme e
të shumta ( vende-vende, jo të bollshme), që po të analizohen së
bashku, mund të vizatojnë mjaft mirë para syve tanë realitetin e
vërtetë të Myftinisë Shkodër dhe të personazheve të saj
shumëngjyrëshe në këtë periudhë 20 vjeçare. Por sikurse ka thënë
Imam Maliku: “Prej çdo njeriu merret, por edhe refuzohet!”, ç’ka
vërteton natyrën njerëzore të secilit prej nesh! E, ndoshta, ky
është një rregull i artë që përcakton kufijtë e vërtetë të
veprës dhe jetës tonë.
Shpresoj se lexuesi do të më kuptojë dhe do të më japë të drejtë
për çfarë kam shkruar e çfarë i kam afruar në këto rreshta të
kësaj monografie.”- (fq. 47-48).
Libri në fjalë është i pari që i kushtohet një Myftiu në
Shkodër.
Ahmed Mahiri