Letër për të dashurën time!..
(Me dashuri dhe përulje për Xhaminë e Plumbit, Shkodër - Simbol i Islamit në Shqipëri )
"Civilizimi lëviz, siç lëviz dielli. Ai
sillet rreth tokës duke lindur
në horizontet e një populli, pastaj lëviz drejt horizonteve të
një populli tjetër..."
Malik bin Nebi[1]
E dashura ime e përvuajtur,
Kjo është letra ime e dytë që po të shkruaj që atë ditë që të
vizitova. Të më falësh, por "familjarët" e tu, letrën e parë ma
flakën tutje, siç duket s'u pëlqeu, sepse i kritikoja që të
kishin lënë pas dore. Por unë sërish po të shkruaj…
Erdha para pak ditësh dhe të vizitova. Të gjeta mos më keq dhe u
lëndova shumë.
Askush s'qënka kujdesur për ty, virgjëreshë shekullore.
Përse paskan neglizhuar kaq shumë me bukurinë dhe hijeshinë
tënde, Zoti i faltë?
Të paskan lënë kaq shumë pas dore. Qënke mbytur në lotët e tu
margaritarë, në lotët e dëshpërimit, mërzisë e pesimizmit. Ke të
drejtë. (Isha në minberin e xhumasë, në xhaminë tënde, kur një
grup bretkosash me "poteren" e tyre më ndaluan. Me siguri, po i
luteshin Zotit në atë orë të begatë për ty dhe mjerimin tënd të
dukshëm. Luteshin me zë të lartë! Amin!)
Ti mos u mërzit e mos u bëj pesimiste. Ata ("frymorët") do ta
kuptojnë se sa e shtrenjtë ti je! Ata duhet ta kuptojnë se ti je
pjesë e identitetit të tyre dhe po shkove, Zot më fal, me ty do
të shkojë dhe fytyra e tyre!...
Erdha e dashur për t'u takuar e për t'u ç'mallur me ty. Kisha
kohë pa të parë.
Eh, udhëtimet e mia, punët, takimet, angazhimet e ndryshme e
jeta e vështirë më larguan paksa prej teje, por më beso…më beso
e dashura ime, se ty të kam patur përherë në zemër, sikurse të
kam të gdhendur në brendësinë e shpirtit tim. Me ty më lidh
dashuria e parë, ajo bardhësi që na shpërndaje, në rininë e parë,
atëherë kur njeriu mendon se çdo gjë e çdokush përreth tij
karakterizohet nga bardhësia, sepse në dukje ka "rroba të bardha"…
Sot i shoh ndryshe gjërat, e dashur..!
Erdha për t'u takuar sërish me ty, por ti mos më mbaj mëri për
mungesën time të gjatë… Të lutem mos më mbaj mëri!
U preka shumë se s'të gjeta mirë. U pikëllova dhe jam shumë i
mërzitur. Nga mërzia po t'i shkruaj edhe këto fjalë, por më lejo
e dashur që këtë letër ta publikoj dhe bota ta marrë vesh se unë
të dua ndonëse jam i pafuqishëm të të vij në ndihmë, në lëngatën
tënde. Duke e lexuar edhe ata këtë letër dashurie që po të
dërgoj, lutem që ndonjërit, për hatër të dashurisë së tij të
pastër e të sinqertë (nëse e njeh dashurinë dhe e ka provuar atë
ndonjëherë), zemra t'i thotë që ty të të vijë në ndihmë…
Eh, kjo jetë sa e vështirë dhe marramendëse që qenka… aq shumë
sa, të të marrë mendjen edhe për përgjegjësitë ndaj familjarëve
të tu që dergjen. Zoti i faltë familjarët e tu, e dashura ime!
"I dua të gjithë zezakët, sepse edhe e dashura ime është e zezë"-
thoshte Anteri i dashuruar.
Ndërsa unë po të them, se nuk i dua të gjithë ata që të kanë
lënë pas dore, Vall- llahi, edhe pse janë familjarët e tu! Më
beso, vetëm ty të dua, sepse e meriton dashurinë time, ndryshe
nga ata…
Erdha e dashura ime e përvuajtur dhe të gjeta të zbehur, të
dobësuar, në kllapi…
M'u ankove. Të kishin sjellë një "mjek". Ishin tallur me
sëmundjen tënde. Të kishin premtuar. Edhe hipokritët premtojnë!
E shkreta ime..! Të ngratit ata..! Unë ende vazhdoj ta ndjej
zërin e mekur të ankesës tënde..!
E dashur!
E di fare mirë që më tepër se kurrë sot ke nevojë për ndihmën e
dikujt, por medet që je virgjëreshë… përndryshe të shumtë do të
ishin ata që do të të vinin rrotull, sepse kjo është kohë
imoralësh e imoraliteti. Por… mos u tremb dhe mos e humb
virgjërinë tënde, ruaje atë, koha mos të të trembë, sepse pas
vështirësive hapet qielli, po po ai një ditë do të hapet edhe
për ty…
E dashur!
Do t'i them të gjithëve për ty, se të kam në zemër. Si jo, kur
Zoti (xh.sh) të ka vendosur në atë pozicion që, kushdo që hyn në
qytetin tim të vjetër, pikë së pari me bukurinë tënde syrin e
ushqen edhe i uron mirë se ardhjen.
Do t'i tregoj të gjithëve se të dua më tepër se asnjëherë tjetër,
sepse më duket, sa herë që të vizitoj, dëgjoj thirrjet e atyre
dhjetra e qindra shërbëtorëve të bukurisë tënde, me mjekra të
bardha e çallma-nuri, që më luten ta ngre zërin me sa të kem
fuqi për të ruajtur pamjen madhështore të shfaqjes tënde.
Ti s'meriton që fati yt të mbetet peng në duar të dobëta, të
vogla, të pafuqishme, të paafta, duar të sëmura, këllirë…
Ndoshta kanë harruar se përherë begati e shpirt tradite ke
ruajtur.
Do të lutem për ty, e me shkrim do ta lë, nëse vdekja më merr,
që për ty të kujdesen e mos të të harrojnë, sepse vlerat e tua e
kalojnë kufirin e individit e sekretit personal. Ti u përket të
gjithëve, e dashur..! Je kthyer në emblemë dhe emblemat kudo
ruhen e madhërohen, ndërsa te ne… (?)
E dashura ime e shtrenjtë!
Për diçka po të lutem, pashë bukurinë tënde, me të cilën mahnite
piktorët e poetët, saqë për ty krijimet e tablotë e tyre me
bukuritë e tua i mbushën… Po të lutem e po të përgjërohem, mos u
mërzit, se qielli do të hapet edhe për ty, të betohem pasha Atë
që të ka dhënë atë bukuri e hijeshi..!
Të lutem, pashë nurin tënd që nur këtij qyteti i jep..! Mendo,
se sa mirë do të bëhesh dhe sa të lumtur do të jemi unë edhe ti
së bashku, si dikur, kur rinia jote mahniste, e kur ty sërish
hijeshia e bukuria e rinisë të të kthehet…
Të premtoj, se do të vazhdoj të lutem për ty. Atje, ku unë lutem,
përgjigjet kanë nur…
Me dashuri dhe përulje për Xhaminë e Plumbit,
Shkodër-
Simbol i Islamit në Shqipëri
Muhamed Sytari
Shkodër, më 29. 08. 2004
P.S.
Paradoks!
Ndonëse ky material është shkruar këtu e pesë vite më parë,
realiteti i Xhamisë së Plumbit vazhdon të mbetet po ai, në mos
më keq!
Sa mjerë!
Me siguri po të kishte qenë tempull i jomuslimanëve, për të, do të
ishte interesuar ndonjë i madh a ndonjë e madhe nga Shkodra a
jashtë saj... Normal, a nuk mburremi me bashkëjetesën ndërfetare ne
si komb?!
TURP!
Autori i letrës
11. 11. 2009
[1]
Marrë nga: Dr. Sheuki Ebu Khalil, "El-hadaretul-arabijjetul-islamijje",
fq. 17.
![]() |
![]() |
![]() |
![]() |
![]() |




