Muhamed Sytari
thirrës islam
Të shkruajmë sa më bukur letërsinë fetare
(Duke lexuar librin “Kujtime dhe refleksione të një Ramazani”)
Eljaz Kraja – Shkodër
Autori i librit më të ri: “Kujtime dhe refleksione të një
Ramazani”, z. Muhamed Sytari, ndonëse shumë i ri në moshë, në
serinë e librave të botuar prej tij deri tani, këtë e ka të
tetin, pa përmendur numrin e madh të shkrimeve të tjera në çdo
numër të gazetës “Udha Islame” ose në organe të tjera mediatike,
pa përmendur hytben a ligjëratat në xhami të ndryshme dhe në
televizion, studimet shkencore për çështje të kulturës e të
figurave të shquara fetare islame në Shkodër etj.
Është tipi i
vëzhguesit serioz që pa ndërprerje studion, hulumton, kërkon,
regjistron në audiokasetë, fotografon, analizon, mban shënime e
hedh në letër ide e mendime, fakte e të dhëna, të njohura ose të
panjohura, sikurse edhe mbresa të ditës (si në këtë libër), me
vlerë për kulturën islame, duke u bërë kështu një shembull i
mirë, por në të njëjtën kohë duke e afirmuar personalitetin dhe
figurën e tij në opinionin shoqëror jo vetëm t qytetit tonë por
shumë më gjerë.
Libri që
provojmë sot është fryt i angazhimit të tij tërësor në progresin
e kulturës fetare islame. Le të ndalemi te ky libër.
Veçori
thelbësore e tij është se aty janë përmbledhur në formë skicash
letrare apo fragmente të një reportazhi kujtime dhe refleksione
të një ditari që autori ka mbajtur gjatë vizitave për faljen e
namazit të teravisë të Ramazanit 2006, në disa xhami të qytetit
(xhamia e Plumbit, “Ebu Bekr”, Tophanë, Pazar, Bahçallëk, Tepe,
Shirokë) apo të fshatrave të rrethit tonë: (Zues, Oblikë,
Velinaj, Bërdicë e Sipërme dhe e Mesme, Bushat, Golem, Bardhaj,
Mes-Myselim, Shtoj i Vjetër, Guci e Re). Vizitë të tillë autori
ka zhvilluar edhe në teqen Rifaite.
Në libër
flitet edhe për iftare të organizuara nga xhematet e xhamiave të
Tophanës, Bardhajve etj. Kujtimet mbyllen me konkluzionet që
autori nxjerr nga gjithë kjo veprimtari njëmujore, thuajse e
përmotshme.
Libri në 110
faqe është i ilustruar me foto, ka shënime e referenca, ka një
kopertinë të pëlqyeshme, me paraqitje e simbolikë të menduar
mirë.
Lektori i
librit është myftiu i Shkodrës, Imam Ndriçim Sulejmani,
recensent thirrësi islam Lavdrim Hamja, dhe redaktor letrar
shkrimtari Xhahid Bushati.
Libri fillon
me një hadith nga trashëgimia profetike mbi vlerën e agjërimit,
që duket sikur na fton të shfletojmë faqet që vijnë pas.
Skica
meditative: “Mirë se erdhe, o muaj i Ramazanit” shpalos në
gjithë gjerësinë e vet ç’është në të vërtetë ky muaj i veçantë
dhe veç kësaj tregon se si një grup i vogël thirrësish islamë
programuan dhe zhvilluan një plan vizitash në xhami të ndryshme
të Shkodrës, me qëllimin e mirë të komunikimit, takimit e
këshillimit të ndërsjellët me vëllezërit besimtarë.
Autori
thotë: “Netë të tëra kaluam nëpër xhamitë e shumta të rrethit
tonë. Ndjenja e fortë e besimit, dashuria për Islamin dhe
mësimet e tij, devotshmëria e shprehur nëpërmjet agjërimit e
nemazeve, bamirësia nëpërmjet sadakave dhe lëmoshave të
ndryshme, iftaret e shtruara për të afërm e dashamirë, ndihmesat
e ndryshme për jetimët, të varfrit e njerëzit në nevojë, fjalët
e ëmbla e dashamirëse, buzëqeshjet e përqafimet... të gjitha
këto i gjetëm, i pamë, i prekëm në realitetin e myslimanëve
shkodranë, gjatë këtyre ditëve e netëve të begata të këtij muaji
të madhnueshëm, muajit Ramazan”. (fq. 11).
Me këto
fjalë, në mënyrë tepër sintetike e të përmbledhur, autori ka
shprehur gjithë çfarë në të vërtetë përmbajnë të gjitha skicat,
natyrisht duke bërë diferencimet nga njëra natë në tjetrën, nga
njëra xhami në tjetrën, nga njëri xhemat në tjetrin, gjë që
lexuesi e ndien dhe prandaj shpejton të vazhdojë leximin nga
njëra faqe në tjetrën.
Është e para
herë në letërsinë fetare shqipe që një tematikë e tillë
shtjellohet në përmasat e një libri. Tematika trajtohet në
mënyrë të atillë sa që është e vështirë të dallohet kufiri që e
ndan nga letërsia artistike. Autori nuk fillon me fjalën “duhet”
(duhet bërë, kështu e ashtu...). Ai flet në kohë tjetër, të
ndryshme nga kjo, flet për efektet që shkakton, pasojat që
sjell, mirësitë që prodhon dhe kënaqësitë që përcjell ky muaj i
madhërueshëm, gjë që për mendimin tim besimtar i devotshëm apo
një lexues i vëmendshëm nuk e ka shumë të vështirë ta
konstatojë.
Është për
t’u çuditur se si autori, me stilin e tij të shkrimtarit të
thjeshtë, ëmbël e bukur, në gjuhën e njësuar letrare, e tërheq
lexuesin, duke ndarë me të ndjenja të përbashkëta të kënaqësisë
që të dhuron agjërimi dhe adhurimi i Zotit (xh.sh.), të luturit
e të falurit së bashku drejt një kileje të vetme me vëllezërit
të një besimi, të kënaqësisë së një iftari me njerëz të
thjeshtë, të një ndihme a përkujdesjeje të veçantë ndaj dikujt,
të një ngazëllimi që vë re kur xhamia mbushet plot me njerëz të
breznive të ndryshme, sidomos të rinj. Një hytbe e përgatitur me
kujdes dhe e shprehur bindshëm, fjala e mirë, biseda e këndshme,
vëllazërimi në tubime të përbashkëta – janë ndoshta ndër gjërat
më bukura që përcjell një ramazan dhe që na e transmeton me aq
ndjeshmëri në këtë libër autori.
Është
gjithashtu në stilin e autorit të përdorë versete kuranore,
hadithe, porosi, përshkrime ndjesish apo situatash konkrete,
zakonisht në kokën e çdo skice, që shërbejnë si ide kryesore ose
si çelës për të hapur zemrat e besimtarëve, që së toku, si
vëllezër adhurojnë Zotin (xh.sh.) në këtë muaj të madhnueshëm “në
muajin e mëshirës e të begatisë, të mirësive e të bamirësisë, të
shëndetit e të mirëqenies, të pendimit e të faljes”. (fq.
9).
Ka vlerë të
madhe për çdo autor ta njohë mirë gjuhën shqipe. Për një vaiz
apo thirrës islam, arti i fjalës, i paraqitjes drejt dhe bukur
të mendimeve (me shkrim dhe me zë), i gjetjes dhe përdorimit me
vend të frazës dhe të fjalës së duhur është padyshim mjet
thelbësor i komunikimit me dëgjuesit a lexuesit, i evidentimit
të nivelit të ligjëratës apo të një shkrimi.
Z. Muhamed
Sytari, për mendimin tim, e ka këtë dhunti dhuratë nga Zoti, por
edhe fryt të përgatitjes së tij të përgjithshme intelektuale.
Cilësia e
ligjërimit apo e cilitdo shkrim është me shumë rëndësi për të
tërhequr interesin e dëgjuesve apo të lexuesve, për një kuptim
më të mirë e më të plotë të asaj që thuhet a shkruhet, për një
efektivitet më të lartë të mësimeve të Islamit, sikurse edhe të
dokumentimit të zhvillimeve të sotme të veprimtarive fetare, siç
e shohim në këtë libër.
Sikurse edhe
në librat e mëparshëm edhe në këtë fundit, të bie në sy që
autori përgjithësisht shkruan prozë të bukur e pa gabime, të
qartë e lehtësisht të kuptueshme.
Reflekton
dhe mban qëndrim për çfarë sheh e dëgjon, shqetësohet kur diçka
nuk shkon siç ia do zemra, ndërsa kënaqësinë që ndien pas faljes
së namazit përpiqet t’ia përcjell xhematit që e rrethon, të
rinjve a pleqve që duan ta përshëndesin, t’i shtrëngojnë dorën,
ta ftojnë për t’u mbledhur së bashku në një iftar apo për të
pirë një çaj pas teravisë.
Kënaqësinë
që të falë adhurimi në këtë muaj të mirësive e të faljes duket
sikur e përjeton edhe lexuesi, aq e sinqertë e dashamirëse është
proza e tij.
Mund të
themi pa mëdyshje se për patosin që përmban, proza e z. Muhamed
Sytari fare mirë mund të lexohet si letërsi artistike, diçka kjo
krejt e veçantë në letërsinë e kësaj natyre. Për të argumentuar
këtë mendim, më lejoni që sado shkurt të ndalem tani vetëm te
figuracioni artistik, d.m.th. te mënyra e tërthortë e të
shprehurit të mendimit:
Të bie në sy
që autori përdor rëndom metaforën, që sot është element i modës
në të shkruar. Ja disa metafora:
-
“Në to (xhami) dominonte jeta (rinia)”, ( fq. 22)
-
“...ia shtonin hijeshinë mozaikut të moshave”, (fq. 26)
-
“...ndieva se shpirti i këtij muaji shumëvlerësh ishte ulur dhe
po na e zbukuronte ndenjën dhe bisedën”, (fq. 39)
-
“Këto tubime pas teravisë janë njëlloj iftari shpirtëror dhe
intelektual”, (fq. 39)
-
“Sofra e begatë e xhamisë së Mes-Myselemit ishte kthyer në “kible”...
xhamia në një mejdan të madh adhurimi e përgjërimi të sinqertë”,
(“Meditim në një natë Ramazani”, fq. 90-91), etj.
Në libër
përdoren krahasime, p.sh: “si një mortajë e
kobshme”, (fq.23); epitete: “mexhlis i
bereqetshëm”, (fq. 22); “realitet katran”, (fq. 23); “çorientim
hutaq”, (fq. 23) etj.; personifikime: “Xhamia e
Bahçallëkut... çdo ditë u uron mirëseardhjen... vizitorëve”, (fq.
18).
Në një
shkrim të mëparshëm e kam pasë quajtur autorin mjeshtër të
përdorimit të pikësimit. Me presjen që është njëra nga shenjat e
pikësimit ai ndërton enumeracione në formë shkallëzimi, ku
shprehet një shumë cilësish të një dukurie. P.sh. në faqen 31 me
emra në rasën kallëzore, flitet për cilësi që kanë individë të
shoqërisë sonë: “... besën, drejtësinë, kulturën e dialogut,
përkrahjen ndaj nevojtarit, mikpritjen, mendimin e pjekur, ...”
– të gjitha të ndara me presje. Vini re enumeracionin që vijon
më poshtë dhe që shpreh aq bukur jo më një shumë cilësish, por
një gjendje të caktuar emocionale – botën shpirtërore të
fëmijëve të vegjël që hyjnë e dalin në Xhaminë e Plumbit në
kohën e faljes: “Ata, herë të habitur, herë me kuriozitet
hynin brenda, vështronin, shiheshin në fytyrë me njëri-tjetrin,
diçka pëshpërisnin dhe përsëri ktheheshin në lojën e tyre, të
cilën sërish e ndërprisnin për të hyrë sërish në xhami”. (fq.
16).
Autorë të
ndryshëm shpesh përsërisin pa vend fjalë a shprehje të cilat e
rëndojnë leximin dhe e mërzisin lexuesin, prandaj këto lloj
përsëritjesh nuk janë të pëlqyeshme dhe nuk duhen përdorur. Por
kur përsëritja bëhet në mënyrë artistike, kjo e zbukuron
shprehjen. Ja një shembull i përsëritjes artistike: “Ishte
natë teravie, jo si çdo natë teravie. Ishte teravia e fundit e
këtij muaji plot të mira”. (fq. 101).
Te faqja 22
e librit, kënaqësia e brendshme e autorit vihet në paralelizëm
me zhurmën qetësuese të pikave të shiut që bijnë poshtë xhamisë
buzë lumit. Këtu kemi të bëjmë me një figurë tjetër artistike që
quhet paralelizëm figurativ, të cilin autori nuk ngurron ta
përdorë me sukses.
Të gjitha
këto janë çështje të formës dhe jo të përmbajtjes. Pa dashur të
trajtojmë raportet mes përmbajtjes e formës, themi atë që dihet
se përmbajtja është kryesorja, ndërsa forma është e dytë. Por
edhe elementët e formës kanë vlerën dhe rolin e tyre, sepse
pasqyrojnë një nivel të caktuar të kulturës së të shkruarit dhe
ndikojnë për një paraqitje sa më të hijshme e sa më tërheqëse të
përmbajtjes.
Forma nuk
është indiferente, por ka rol aktiv ndaj përmbajtjes.
Figuracioni
artistik nuk është i pranishëm në gjithë librin, atë e gjejmë
kryesisht aty ku autori mediton. Në rrjedhën e shumicës së
faqeve që shfletojmë, mendimi shprehet drejtpërsëdrejti,
thjeshtë e pa ndërlikime kuptimesh të tërthorta.
Prandaj vlen
të vemi në dukje diçka me shumë rëndësi: Autori është i
kujdesshëm, ka ndjenjën e masës, nuk e tepron me përdorimin e
figuracionit artistik, nuk e vështirëson kuptimin e frazës, por
përpiqet të jetë sa më komunikues me lexuesit, çka nuk ia zbeh
por ai rrit vlerat shkrimeve të tij.
Përveç
kujtimeve që sjellin për autorin takimet dashamirëse me
besimtarët, në këtë libër kemi indirekt edhe elementë
historikësh të shkurtër të xhamive të vizituara, po ashtu
sikurse kemi edhe përshkrimet e gjendjes së tyre aktuale.
Konkluzionet
në fund të librit kanë peshën e vet. Në fakt ato janë
refleksionet e autorit.
Është
qëndrimi që mban ai ndaj asaj që ka parë e përjetuar gjatë atij
muaji në xhami të ndryshme. Ky kapitull i fundit i librit është
në fakt një përmbledhje e gjykimeve të tij rreth kënaqësisë që
ndien për arritjet, por edhe e shqetësimit qytetar për çfarë
duhet përmirësuar.
Libri
“Kujtime dhe refleksione të një Ramazani” është shembull i të
shkruarit bukur të letërsisë fetare, çka përbën ndoshta vlerën
më të spikatur.
I urojmë
autorit suksese në krijimtarinë e tij të mëtejshme e shumë të
dobishme, në këtë rrugë të mundimshme e të vështirë, por edhe të
hijshme e dinjitoze.
Shkodër, më 09. 08. 2007