“Lehjei seadeti” në xhaminë e Tophanës
(Tophanë, më 26 shkurt 2010)
Në një atmosferë të ngrohtë, nën shoqërinë e salavatit të
vazhdueshëm, besimtarë të shumtë, frekuentues të xhamisë së
Tophanës kanë patur mundësinë të prekin nga afër dhe të puthin
në shenjë respekti dhe dashurie, atë që njihet si “Lehjei
seadeti”, qimja e mjekrës së pejgamberit Muhammed (a.s), pas
faljes së namazit të xhumasë së datës 26 shkurt 2010.
“Lehjei seadeti”, sikurse ka shpjeguar Haxhi Mithat Myftija,
imam i xhamisë së Plumbit, njëkohësisht trashëgimtar i saj nga
Hafiz Esat Myftija, nga Jusuf ef. Tabaku nga Hasan ef. Kllyçi,
“ka mbërritur në vendin tonë para rreth 6 shekujsh, dhjetra vite
para ardhjes së osmanëve në trojet shqiptare”. Ajo është
trashëguar brez pas brezi në këtë familje dijetarësh, sikurse i
ka shpëtuar zjarrit tragjik që shkatërroi shtëpinë dhe
bibliotekën më të madhe islame të Shkodrës, atë të familjes
Myftija në dhjetorin e vitit 1998. “Gjithçka ishte djegur. Në
gërmadhat e shtëpisë sonë gjetëm edhe “Lehjei seadetin” të
padëmtuar fare, njëkohë që gjithçka ishte shkrirë nga zjarri i
madh! Ishte argument se as zjarri, as uji e as dheu nuk mund ta
dëmtojnë gjurmën e të dërguarit të All-llahut”- ka thënë ai me
shumë emocion.
Pas hytbes së xhumasë, në të cilën Imam Muhamed Sytari ka folur
për mrekullinë e përmallimit të trungut të hurmës për
pejgamberin (a.s), faljes së xhumasë dhe lutjes në gjuhën shqipe
të drejtuar prej tij, të pranishmit e shumtë kanë patur
mundësinë ta puthin këtë trashëgimi të shtrenjtë të profetit
Muhammed (a.s) që ka mbërritur para shumë shekujsh në Shkodër.
Mevludi Sherifë i këtij viti ka qenë shumë i veçantë për
besimtarët e xhamisë së Tophanës, për vetë faktin e prezantimit
të kësaj gjurme profetike në mesin e tyre.
Ahmed Mahiri
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|