“Sa i mjerë ky qytetërim bombardues..!”
(Shkodër,
më 16 janar 2009 -
Hytbeja e xhumasë në xhaminë e
Tophanës )
Porositë e
profetit Muhammed (a.s) dhe të Ebu Bekrit (r.a) drejtuar
ushtrive muslimane, para nisjes në beteja kundër jobesimtarëve,
përballë agresioneve perëndimore në botën e sotme, kanë qenë
epiqendra e hytbes së tretë të këtij fillimviti, në xhaminë e
Tophanës.
Nëpërmjet
fakteve, hatibi i kësaj xhamie, thirrësi islam Muhamed Sytari,
ka treguar sesi i ka porositur profeti (a.s) ushtritë e tij,
saherë niseshin për në beteja kundër jomuslimanëve. “Lufta, në
këndvështrimin e Resulull-llahit ishte mjet, jo qëllim, në
kundërshtim me realitetin e ushtrive moderne të supërfuqive të
kësaj kohe, që nuk arritën ta drejtonin botën me paqe e
qytetërim, por nëpërmjet “muskujve”, dhunës, bombardimeve,
terrorit ushtarak e burgjeve famëkeqe, në të cilat shkelen në
mënyrën më flagrante të drejtat e njeriut!”- ka thënë në fillim
të hytbes së tij, Sytari.
“Nga Burejde (r.a),
është transmetuar, se kur niste ndonjë betejë, profeti (a.s) i
porosiste komandantët dhe ushtarët e tij me frikën e All-llahut,
pastaj u thoshte: “Luftoni në emër të All-llahutm në rrugë të
All-llahut! Mos u bëni të pabesë, as mos tradhëtoni! Mos
masakroni e mos vrisni fëmijë…!”, sipas transmetimit të imam
Muslimit, gjë që fakton realitetin njerëzor të ushtrive të tij
në krahasim me kafshërinë e ushtrive bashkëkohore!”- ka vijuar
Sytari në hytben e tij.
“Edhe Ebu Bekri
(r.a), më i afërti dhe më i dashuri njeri me Resulull-llahin (a.s),
kur nisi Usama ibni Zejdin (r.a) në betejën e parë pas ndërrimit
jetë të pejgamberit tonë (a.s), ndër të tjera e porositi, atë
dhe ushtarët e tij: “Mos tradhëtoni e mos mashtroni! Mos u bëni
të pabesë, mos torturoni e mos masakroni! Mos vritni fëmijë të
vogël! As plakun e moshuar, as gruan! Mos prisni pemët në
lulëzim dhe mos i digjni ato! Mos i prisni pemët me fruta! Mos e
vritni dhinë, as lopën as kaun, vetëm nëse keni nevojë për të
ngrënë! Do të kaloni pranë disa njerëzve të mbyllur në tempujt e
tyre; lërini në qetësinë e tyre!...” Ja, porositë e kalifit të
parë islam dhe ja bombat izraelite që shkatërrojnë xhamitë e
shtëpitë, që vrasin fëmijët, gratë e pleqtë, që djegin pemët e
shfarosin gjelbërimin! Ja realiteti kafshëror i këtij mjerimi
njerëzor në vitin 2009! Sa i mjerë njeriu i kësaj kohe, sa i
mjerë ky qytetërim bombardues, sa i mjerë ky realitet! Sa
nevojtar i mësimeve të Islamit njeriu i kësaj kohe dhe
qytetërimi i tij!”- ka përfunduar hytben e kësaj xhumaje ai.
Në fund të
namazit të xhumasë, thirrësi islam Muhamed Sytari, ka drejtuar
të pranishmit, për të tretën xhuma radhazi, në faljen e namazit
të xhenazes në mosprezencë, për shehidët e pafajshëm të
agresionit izraelit në Gaza të Palestinës.
Ahmed Mahiri