Kush ka Lindun Sod?
("Mirë se vjen, Resul i pritun - Mirë se vjen për botën mbarë)
Po ç'më kujton e ç'më bjen ndër mend këjo pyetje?
Kjo pyetje asht qi më kujton shum gjana, prej të cilave dalin
shum të tjera.
Lindje! E dijmë mjaftë mirë se çka don me thanë kjo fjalë. Por
qëllimi i em, ktu asht për lindjen e Atij, i cili qe i vetmi
pris i njerzimit në lamë të lumnis, a po ma mirë të thomi: ma i
madhi njeri i botës.
Me të vërtetë kur thomi lindje, e kuptojmë se ç'don me thanë;
por kjo lindje qe e mrekullueshme. Të spjegohemi pakës. Kur
Ebreheja kishte avit turmat e ushtris tri ditë afër Meqes dhe
kishte dërgue njerzë aty për me lajmue qëllimin e ardhjes së tij,
qëllim ky, qi ishte jashta vullndesës së Perëndis, pse donte me
shembë Qaben, njerëzit e ktij anmiku ndër ato ditë kishin zanë
disa deve qi kishin qenë t' Abdyl Myt-talibit, i cili vet
personalisht shkoi për me i kërkue.
Ebreheja, qi e dinte mirë se ç'randsi kishte Ai ndër ato krahina,
i thotë: "Sa randsi po i ep deveve t'ua, kur se na kemi ardhë
për me shqymë Qaben". Ai ju përgjegj: "Devet janë të mijat,
prandaj i ap ate randsi e sa për Qaben, Atë e mpron Zoti vet."
Ma në fund Kurejshit liruen Meqen e Abdyl Myt-talibi ju avit
Qabes e ju lut Zotit ksisojit: "O Zot, kjo asht Shpija e Yte e
na nuk jemi të zotët m'e mprojtë, mproje Ti, O Zot!" Mbas pak
kohe kësajë ushtrie i ra sëmundja e lis dhe u zhgatrue fare pa e
plotsue qëllimin e vet.
Kur-ani i Shejt tuj folë mbi kët ngjarje thot: "Elem tere qejfe
feale rab-buqe bias'habi-lfili..."
Qi d.m.th. "A nuk e pe ç'ju punoj Zoti njerzve t'elefantit?"
Kjo asht nji prej mrekullinave qi ka ndodhun, kur ka lindun
Shpëtuesi i njerzimit.
Të vijmë në mrekullin e fëminis:
Si mbas zakonit arab fëmive nuk u apin mamat qumsht. Në vitin 571
mbas Krishtit kishin lindun mjaft fëmi qi, të gjith ato i kishin
marrë gratë e atyne fiseve, të cilave u paguhej nga nji rrogë e
caktueme si mbas pasanis qi kishte ajo familje qi e epte atë
fëmi.
Po në kët kohë kishte lindun edhe Ai njeri i naltë, të cilin nuk
deshtën qi t'a merrshin, pse ishte i vobekt. N'at kohë erdhë nji
grue prej fisit Sa'd; por se kjo grue ishte e vobekt në qumsht,
sa qi nuk mund t'ushqete po thuej as fëmit e vet. E muer Atë
fëmi e, por sa e vuni në gji, i dha qumsht të mjaftë; gjithashtu
edhe delet e shtëpis të sajë e shtuene qumshtin për mrekulli.
Të vijmë në mrekullin e Profetsis:
Kur i erdhë Profetsija në shpellën e Hira-s, ju duk Xhebraili
dhe i tha: "Këndo"! Ju përgjegj: "Nuk dijë me këndue", kjo
bisedë vazhdoj për tri herë rresht; mandej kënduen s'bashkut
suren e Alek-ut.
Kuej i drejtohet ky urdhun? Tjetër kuej jo, për veç se atij qi
din të lexojë. A s'asht nji mrekulli edhe kjo në mes të sa e sa
të tjerave?
Të vijmë në mrekullin e madhe qi na la e qi asht edhe sod:
Po kush asht kjo mrekulli? Asht Kur-ani i Shejt, të cilin sod e
kemi në dorë, qi kur delte prej Asajë goje t'urueme, pritej me
duer haptë dhe rranjosej ndër mend t'asëhabeve të ndershëm. Ajo
letratyrë e naltë e Kur-anit asht qi ka mund të gjithë poetnit
ma të mdhaj t'asaj kohe, asht qi mund të tashmit edhe
t'ardhshmit deri në ditën e fundit.
Po kush asht ky qi ka lindun në këtë hanë? Asht Hazreti
Muham-medi (Paqi i Zotit qoft mbi Te), qi mbas gjurmave të Tij
sod bota po udhton.
"Mirë se vjen, Resul i pritun
Mirë se vjen për botën mbarë
Zoti të ka porositun,
T'a udh-heqish pa e ndarë."
--o--
"Mirë se vjen Mëshira e Zotit,
Mirë se vjen Nuri i Tij,
Ti je shpresa e Kahmotit,
Vetëm Ti je, vetëm Ti!..."
Cillsija ma karakteristike e Tij asht, pse u ka diftue njerzve
se si lypset me punue në ç'do rrugë të jetës së tyne e, ma tepër
asht të vumit, për të gjallë të vet, në zbatim rregullat qi ka
caktue për udhzimin e njerzis.
Qe pra arsyja qi naltson Pejgamberin t'onë mbi të gjith
udh-heqsit qi ka pa fëtyra e tokës.
HYSNI BUSHATI
Revista "Zani i Naltë",
viti V, qershor-korrik, 1933, nr. 10-11, fq. 728-730.