Gëzuar Kurban Bajramin!
(Shkodër, më 08 dhjetor 2008)
Dita e hënë, më
8 dhjetor 2008, ishte ditë e madhe feste dhe gëzimi për mbarë
muslimanët e botës. Sëbashku festohej dita e parë e Kurban
Bajramit.
Edhe në xhaminë
e Tophanës, me qindra besimtarë (jo vetëm nga kjo lagje), kishin
mbushur haremin e saj, që në momentet e para të thirrjes së
ezanit të sabahut, faljen e të cilit e drejtoi thirrësi islam
Muhamed Sytari, vaiz-hatib i kësaj xhamie. Falja e namazit u
pasua nga virdet e tij dhe lutja me xhemat.
Pas saj, hatibi
i kësaj xhamie, iu përgjigj disa pyetjeve të drejtuara nga
xhemati, pyetje që kanë të bëjnë me përditshmërinë e adhurimit
të tyre, marrëdhëniet me Kur’anin Famëlartë, përfitimin apo jo
nga kamata etj.
Këndimi i sures
“Jasin”, shoqëruar me komentimin e disa ajeteve të saj, ishte
një pjesë e rëndësishme e tubimit madhështor të Kurban Bajramit
në xhaminë e Tophanës.
Me afrimin e
kohës për faljen e namazit të Bajramit, në pozitat e imamit,
hatibi i kësaj xhamie, orientoi të pranishmit sesi falet namazi
i bajrameve dhe me “All-llahu ekber”, filloi rekatin e parë të
këtij namazi.
I shoqëruar nga
tekbiret, ai hipi në minber, prej nga hodhi dritë rreth vlerave,
dobive dhe mesazheve që përcjell tek ne Dita e madhnueshme e
Kurban Bajramit.
Njëkohësisht,
ai u bëri thirrje të gjithë atyre besimtarëve që kanë mundësi
ekonomike për të bërë kurban, të mos neglizhojnë me këtë detyrë
të dobishme fetare islame, për vete, për familjen, miqtë e
shoqërinë në tërësi.
Në fund të
hytbes, ai u lut për mbarësinë e të pranishëmve, për drejtuesit
e këtij vendi dhe prijësit fetarë shqiptarë.
Urimet dhe
përqafimet e kësaj dite festive, ia shtuan edhe më shumë
hijeshinë dhe bukurinë xhamisë së Tophanës në këtë mëngjes të ri
të kësaj dite plot mesazhe besimi, sakrifice e bamirësie.
|
|
|
|
|
|
|
|