Nga kujtimet me hoxhën tim Shejkh Vehbi S. Gavoçi
(me u afru me të gjithë ata që drejtohen nga Kibla jonë e falin namazin tonë)

Sigurisht, për të shkruar këta fragmente të begata, nga kujtimet
e mia me Shejkh Vehbinë, Zoti e shpërbleftë për të mirat e tija
ndaj meje dhe ndaj muslimanëve me shpërblimet e Tija, do të më
dhurojë një kënaqësi të madhe, pasi do të hyj në një botë plot
emocione, dashuri, mirësi dhe sinqeritet, sepse kjo është
gjëndja e atij që hyn tek njerëzit e sinqertë, që mbajtën besën
e dhënë All-llahut (xh.sh). Do të mundohem që mos të jem xheloz
deri në atë masë sa t'ju ndaloj kënaqësinë e kujtimeve të mija
me hoxhën tim, në vite! Kjo për shkakun se është një mirësi
hyjnore, që duhet shpërndarë ndër njerëz, që të kënaqen me
flladet e dashurisë së pastër dhe begatisë së qëndruarit nën
hijen e shoqërisë së njerëzve të mirë!
Ejani me mua t' ju tregoj disa nga këto kujtime…
Edukata me Zotin, Krijuesin e Gjithësisë
Një ditë, kur po e vizitoja tek shtëpia e Zekajve, e gjeta duke
ecur në tokë këmba- dorasi… Mendova se mos bën ushtrime
gjimnastikore, megjithatë menjëherë më erdhi një dëshirë e madhe
për ta pyetur dhe me ndrojtje i thashë: "Çfarë po bën Haxhi
Vehbi"?
Me shumë qetësi ma ktheu:
"Po mbledh ndonjë nga qimet e mjekrës që më kanë rënë në tokë,
sepse Zoti (xh.sh) e ka nderuar njeriun dhe nuk është mirënjohje
ndaj Tij (xh.sh), që t'i lëmë nëpër tokë pjesët e ndryshme të
këtij krijimi të mrekullueshëm"!
Kush drejtohet nga Kibla jonë dhe falë namazin tonë, është prej
nesh
Fakt interesant është, se më tepër se një herë në takimet e mia
private me të, Haxhi Vehbiu më porosiste: "Kujdes mor djalë nga
ata që duan të mënjanojnë fenë tonë të drejtë, duke futur
grindje e përçarje në mes të besimtarëve. Kur të ktheheni në
vendin tuaj, mundohuni me u afru me të gjithë ata që drejtohen
nga Kibla jonë e falin namazin tonë, se ky është besimi i ehli
sunneti vel xhemaas. Ju kanë ndarë në Muslimanë, Bektashi,
Rrufai, Tixhani, etj. Të gjithë gabojmë, por ajo që na kthen në
rrugë të drejtë është Kur'ani Famëlartë e Synneti i Pejgamberit
(a.s) . Atyre kthehuni dhe jetoni sëbashku për të mirën e fesë,
se jemi vëllezër. Kujdes nga ata që mundohen t'ju luftojnë në
emër të Islamit, si Bahaitë, Ahmeditë[1],
etj….".
Respekti për dijen dhe librin
Po vizitonim sëbashku bibliotekën e vjetër të Myftinisë Shkodër.
Kur hymë brënda në dhomën e librave u habit dhe njëkohësisht
shenjat e mërzisë për gjendjen e atyre librave, u duken të qarta
në fytyrën e tij të ndriçuar… Filloi të kërkonte dhe të
shfletonte dhe sa herë që gjente ndonjë libër interesant, më
thoshte:
"Ky është libër i mirë mor djalë…". Mbas përreth një ore,
mbaruam punën. I solla një shishe me ujë të pastër për të
shplarë duart, që kishin marrë me vete pluhurin e librave… I
thashë: A të hedh ujë për të larë duart?
Më shikoi në sy për pak
çaste,
pastaj përplasi duart duke thënë:
"Hadha ghubarul- ilm",
që do thotë: "Ky
është pluhuri i dijes", pastaj buzëqeshi dhe tha: "Mirë mor
djalë, më hidh"!
Nga monografia e thirrësit islam Muhamed Sytari:
“Vehbi
Sulejman Gavoçi- dijetar nga dijetarët e ymmetit”,
Prishtinë 2005.
[1]
Në lidhje me vërtetësinë e Ahmedizmit, Kadianizmit dhe
Bahaizmit, Shejkh Vehbiu ka botuar edhe një fletushkë që
në ditët e para të rihapjes së fesë në Shqipëri, me
titull "Ruajuni Bahaizmit" dhe "Ruajuni Kadjanizmit (Ahmedizmit)",
botim i Shoqatës "Rinia dhe Kultura Islame", Tiranë
1992.